Psikologjia e vrasësve masivë

policDhuna me armë ndërpret sërish një grumbullim paqësor dhe dhjetëra njerëz vriten. Këtë herë ndodhi në Las Vegas, ku një sulmues i armatosur shtiu ndaj mijëra njerëzve të mbledhur për një festival muzikor mbrëmjen e së dielës. Të paktën 59 persona vdiqën. Mbi 500 të tjerë u plagosën. Korrespondetja e Zërit të Amerikës, Carol Pearson, u hedh një sy arsyeve se përse njerëzit kryejnë këto akte mizore.

Kur filluan të shtënat, në Las Vegas po zhvillohej një festival i muzikës country.

Reagimet janë sërish të parashikueshme. Flamujt ulen në gjysëm shtizë. Presidenti i drejtohet kombit.

“Bashkëqytetarët e mi amerikanë; mblidhemi sërish sot në hidhërim, tronditje dhe zi”, tha Presidenti Trump.

Vëllai i sulmuesit reagoi i shokuar.

“Nuk kam fjalë”, u shpreh ai.

Studimet e FBI-së tregojnë se vrasjet masive janë trefishuar gjatë viteve të fundit. Në SHBA, armët e zjarrit janë më të preferuarat.

Deri mbrëmjen e së dielës, sulmi me armë në një klub të Orlandos në qershorin e vitit të kaluar ishte sulmi më vdekjeprurës në historinë amerikane.

Nga ai sulm vdiqën 49 persona.

Por, vrasësit kanë përdorur edhe kamionë të ngarkuar me pleh kimik… si dhe aeroplanë në vitin 2001 në Nju Jork.

Nga këto raste të shumta vrasjesh masive, psikologët patën mundësinë të krijojnë një profil të vrasësve.

“Zbuluam se këta individë kanë më shumë të përbashkëta se sa diferenca”, thotë psikologu ligjor, J. Reid Meloy.

Dr. Meloy thotë se vrasësit kanë një historik problemesh psikiatrike. Janë shumica meshkuj me marrëdhënie intime problematike, dhe që i shohin vrasjet si rifitim statusi.

Edhe sulmuesit e ashtuquajtur “ujqër vetmitarë” pretendojnë se përfaqësojnë ndonjë kauzë.

“Shpesh, rrugëtimi drejt dhunës fillon me një pakënaqësi personale të përbërë nga tre komponentë. Së pari, ekiston një ndjenjë humbjeje; së dyti, është ndjesia e poshtërimit; dhe së treti, ekziston mllef dhe fajësim i një personi apo grupi njerëzish si shkaktarët e problemit”, thotë Dr. Meloy.

Një faktor është qasja ndaj armëve dhe gjithashtu edhe mediat sociale. Lajmet për vrasjet shkojnë në mbarë botën nëpërmjet Facebook-ut dhe Twitter-it.

“Më shkruanin në Facebook për të më thënë që nuk e gjenin dot. Në 6:10 të mëngjesit e pashë emrin në listën e viktimave dhe më filluan lotët”, thotë shoqja e një prej viktimave të Orlandos.

Dr. Meloy thotë se mediat sociale i bëjnë vrasësit të njohur dhe se të tjerë që i shikojnë vrasjet drejtpërsëdrejti online dëshirojnë t’i imitojnë.

Dr. Meloy parashikon edhe më shumë vrasje masive në të ardhmen. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>