Rreziqet e mjekimit të gabuar të diabetit

Isuf KaloKoma diabetike dhe koma hipoglicemike janë dy gjendje që vijnë nga mjekimi i keq i diabetit. Ato janë dy gjendje të rënda urgjente, që e çojnë jetën e diabetikut në buzën e greminës. Ç’përfaqësojnë këto dy gjendje, si shkaktohen ato?

KOMA DIABETIKE

Koma diabetike ose koma acido-ketozike është gjendja më e rëndë e diabetit insulinovartës, të lënë pa mjekim. Ajo karakterizohet me nivele shumë të larta të glicemisë, me glukozuri të theksuar dhe shfaqjen me shumicë të trupave ketonikë (acetonit) në gjak dhe urinë.

Pse dhe si zhvillohet një gjendje e tillë?

Në të sëmurët me diabet insulinovartës, kur prodhimi i insulinës mungon fare, glukoza e marrë me ushqime do të grumbullohet në gjak, meqë nuk hyn dot në qeliza dhe as depozitohet dot si dhjamë. Rritja e nivelit të glicemisë mbi 180 mg% do të bëjë që glukoza të kalojë pragun e veshkës dhe të dalë në urinë. Sa më shumë rritet glicemia, aq më shumë glukozë do të dalë në urinë. Por bashkë me të do të ikë dhe një sasi e madhe e ujit dhe e kripërave të organizmit. Trupi do të thahet, i sëmuri do të urinojë shumë dhe shpeshherë, do të ketë etje, dobësi, uri etj.

Meqë glukoza nuk hyn dot në qeliza për të plotësuar nevojat me “karburant”, trupit do t’i duhet të mobilizojë karburantet e tjera, aminoacidet dhe acidet yndyrore. Ai, pra, do të detyrohet të tresë e të ushqehet me mishin dhe dhjamin e vet. Në mungesë të insulinës, zbërthimi i dhjamrave bëhet kaq i vrullshëm, sa bashkë me acidet yndyrore vërshojnë në gjak dhe një sasi e madhe trupash ketonikë si acetoni etj. Këto, në të vërtetë, janë karburante të cilësisë së dobët, por që kanë njëkohësisht përbërje acide. Si të tilla, ato do të “helmojnë” gradualisht gjakun e më vonë qelizat e trurit deri në shfaqjen e komës që shoqërohet me humbjen e ndërgjegjes.

Koma diabetike zhvillohet relativisht ngadalë për disa ditë apo javë rresht. Kur diabeti shfaqet për herë të parë, sidomos te fëmijët apo të rinjtë, ata mund të arrijnë përnjëherë deri në komën diabetike, meqë akoma nuk e dinë se vuajnë nga kjo sëmundje. Kur i sëmuri është diabetik i diagnostikuar dhe mjekohet me insulinë, shfaqja e komës diabetike në shumicën e rasteve është kryesisht për faj apo neglizhencë të tij, nga mosmarrja e masave në kohë. Në të sëmurë të tillë, shumë ditë përpara se të ketë arritur gjendja deri në komë me humbjen e ndërgjegjes, i sëmuri ka pasur me siguri shenjat e acidoketozës diabetike, të cilën ai mund ta parandalonte e ta mjekonte me kohë.

Acidoketoza diabetike është gjithashtu çrregullim i rëndë i diabetit, por i një shkalle më të lehtë se koma diabetike. Ajo shfaqet vetëm në të sëmurët diabetikë insulinovartës që kanë ndërprerë mjekimin me insulinë ose mjekohen me doza të pamjaftueshme të saj dhe e kanë për pasojë diabetin të çrregulluar prej shumë kohe.

Cilat janë shenjat e saj?

Shenja të tilla si: etja, urinimi i shumtë dhe i shpeshtë, dobësia, rënia në peshë, mungesa e oreksit, të vjellat, dhimbjet e barkut etj., janë paralajmëruese për zhvillimin e acidoketozës. Gjetja paralelisht me këto shenja e glukozës në urinë (me shumicë) dhe e glicemisë së lartë, duhet t’ju bëjë të dyshoni seriozisht për rrezikun që ju kërcënon. Në këto raste duhet bërë analiza e urinës për aceton, e cila mund të bëhet në çdo laborator mjekësor apo edhe nga ju vetë me anë të disa shiritave reaktivë të posaçëm që quhen keto-diastiks.

Urina normale nuk ka asnjëherë aceton. Po kështu urina e diabetikëve mund të ketë herë pas here glukozë, por jo aceton. Dalja e acetonit në urinë, së bashku me një sasi të madhe glukoze, është sinjal alarmi. I sëmuri që i ka këto shenja, është tashmë në gjendje acidoketoze diabetike. Ai është akoma me ndërgjegje të ruajtur dhe gjendje të përgjithshme relativisht të mirë, por në qoftë se në këtë fazë nuk fillohet mjekim energjik, gjithçka do të rrokulliset me shpejtësi drejt komës diabetike deri në humbjen e ndërgjegjes. Në këtë fazë, për shkak të acidozës së rëndë, frymëmarrja e të sëmurëve fillon e shpeshtohet dhe fryma u mban erë acetoni, si mollët e prishura.

Shkaqet më të shpeshta që i çojnë të sëmurët diabetikë në acidozë apo komë diabetike janë ndërprerja e mjekimit të insulinës nga pakujdesia ose mungesa e njohurive për sëmundjen; dozat e papërshtatshme të saj (më të ulëta seç duhet) për një periudhë relativisht të gjatë; prishjet e shpeshta të dietës me ushqime që përmbajnë shumë sheqerna; infeksionet e të gjitha llojeve nga ato më të rëndat me temperaturë të lartë, deri nga një vatër infeksioni në rrënjën e një dhëmbi; ndërhyrjet kirurgjikale pa përgatitjet paraprake; emocionet ose traumat e tjera të forta fizike e psikike; infarkti i miokardit apo aksidente të tjera të rënda vaskulare dhe mjekimi me doza të larta e për një kohë të gjatë me ilaçe të tilla si kortizoni, që rrisin gliceminë etj.

A mund të parandalohet shfaqja e acidoketozës dhe e komës diabetike?

Parandalimi është krejtësisht i mundshëm, mjafton që i sëmuri të njohë arsyet e shfaqjes së këtyre e të marrë masa mjekuese me kohë. Të sëmurët nuk duhet të bëjnë gabime të tilla të rënda në mjekim, sidomos bërja e injeksionit të insulinës ose mospërshtatja e dozës së saj kur diabeti fillon të çrregullohet. Mënyra më e mirë e parandalimit të tyre është përshtatja e dozës së insulinës qëkurse shfaqen shenjat e para të glukozës në urinë apo tendencat për rritjen e glicemisë. Shfaqja e shenjave të tilla, si: etja, urinimi i shpeshtë, dobësia etj., që nuk kanë qenë deri atëherë, duhet t’ju tërheqin vëmendjen menjëherë për të ndjekur më me kujdes e më shpesh analizat e diabetit dhe për t’i përshtatur dozat e insulinës deri në normalizimin e tyre. Në mënyrë të veçantë duhet t’ju tërheqë vëmendjen mungesa e oreksit, të përzierat e të vjellat. Sa herë që shfaqen shenja të tilla, mos i nënvleftësoni e mos veproni me hamendje që t’i lidhni me sëmundje të tjera, por bëni me urgjencë një analizë të urinës për glukozë e aceton.

Një i sëmurë që ndjek rregullisht e me vëmendje gjendjen dhe analizat e tij, nuk mund të arrijë asnjëherë në acidozë diabetike. Përkundrazi, një i sëmurë që bie herë pas here në acidozë diabetike, i vë vetes vulën e pajustifikueshme të pakujdesisë.

A mund ta mjekojë vetë i sëmuri acidozën diabetike pasi ajo të jetë shfaqur?

Një diabetik në acidoketozë mund ta ndihmojë shumë mirë veten edhe pa praninë e ndihmën e mjekut. Sapo vëren që në analizën e urinës glukoza është pozitive e theksuar dhe acetoni po kështu pozitiv, i sëmuri, pavarësisht nëse ka bërë apo jo insulinë atë ditë, pavarësisht nga lloji dhe doza e saj, duhet të injektojë menjëherë një dozë tjetër insuline shtesë, psh. prej 20 unite njëherësh në muskul. Insulina që bëhet në këtë rast, duhet të jetë patjetër insulinë ordinere. Insulinat gjysmë të vonuara ose të vonuara nuk vlejnë për mjekimin e acidozës, sepse kanë veprim të ngadalshëm, kurse koha dhe gjendja nuk pret. Injeksioni i kësaj insuline duhet bërë jo si zakonisht nën lëkurë, por në muskul, në tul, sepse kështu mund të thithet dhe të veprojë më shpejt. Për shkak të urinimit të shumtë, lëkura e trupit thahet dhe insulina po të injektohet aty thithet shumë ngadalë.

Në rastet kur gjendja është më e rëndë, kur ka filluar të turbullohet ndërgjegjja, doza suplementare e insulinës ordinere mund të bëhet direkt në venë e të jetë më e madhe, psh. 40 unite menjëherë. Rreth 2 orë pas injektimit të kësaj doze, shihen analizat e glicemisë në një pikë gjaku të marrë në gisht dhe urina për glukozë dhe aceton. Nëse acetoni është akoma pozitiv, vazhdohet me injeksionin e insulinës ordinere çdo 2 orë, psh. nga 10-15 unite, gjithmonë në muskul. Meqë i sëmuri ka humbur shumë lëngje me urinë apo edhe me të vjella, atij duhet t’i jepen të pijë sa më shumë lëngje nga goja, qoftë edhe me përmbajtje sheqeri të pastër, si p.sh. komposto, çaj, limonata, si edhe ushqime të tilla, si: syltiash, paluze, të përgatitura me sheqer etj.

Më mirë është që i sëmuri në gjendje acidoketoze të paraqitet në qendrën më të afërt shëndetësore dhe aty të kërkojë t’i bëhen serume fiziologjike dhe tretësirë glukoze 5-10%, deri sa të zëvendësojë lëngjet që ka humbur me shumicë. Sheqeri që lejohet në këto raste në ushqim apo me serume nuk është i dëmshëm, por përkundrazi, i nevojshëm, sepse me ndihmën e insulinës së injektuar ai do të digjet e do të zhdukë trupat ketonike nga gjaku. Mjekimi me injeksionet e përsëritura të insulinës çdo 2-3 orë vazhdohet derisa të zhduket krejtësisht acetoni në urinë. Më pas, doza e insulinës rrallohet në çdo 4-6 orë, gjithmonë nën kontrollin e analizave derisa të nesërmen kalohet në mjekimin e zakonshëm. Në qoftë se gjendja e të sëmurit është shumë e rëndë, me frymëmarrje të shpeshtë dhe ndërgjegje të errësuar, duhet të transportohet me shpejtësi në qendrën mjekësore më të afërt, ku duhet mjekuar me urgjencë, sepse jeta e tij kërcënohet nga ora në orë.

A mund të shfaqet acetoni në urinë te një i sëmurë që nuk është me acidozë diabetike?

Po, vetëm në rastin e urisë së zgjatur, kur i sëmuri, për një arsye apo një tjetër, ka mbetur shumë kohë pa ngrënë. Në këto raste acetoni mund të dalë pozitiv në urinë, por karakteristike është që, në ndryshim nga gjendja e acidozës diabetike, glukoza del negative. Pra, urina në këto raste ka aceton, por jo glukozë. Mos u shqetësoni nga një analizë e tillë. Ajo nuk tregon për një gjendje të rëndë të diabetit, por për një gjendje urie të zgjatur. Trupi nga mosngrënia ka tretur dhjamrat, ato kanë prodhuar shumë trupa ketonikë (si acetoni) që kanë dalë kështu në urinë. Jo rrallë acetoni gjendet në urinën e fëmijëve jodiabetikë që kanë vjellë shumë ose nuk kanë ngrënë për një kohë të gjatë. Përderisa glukoza është negative, kjo gjendje nuk është pasojë e hiperglicemisë. Në këto raste i sëmuri nuk duhet mjekuar me insulinë, por, përkundrazi, i duhen dhënë më shumë ushqime me sheqerna ose t’i bëhet serum me glukozë. Pas kësaj, acetoni do të zhduket vetvetiu.

KOMA HIPOGLICEMIKE

Është e kundërta e komës diabetike. Ajo është pasojë e uljes tej mase të glicemisë. Zakonisht shkaktohet nga gabime në mjekim, sidomos nga teprimi i dozave të insulinës apo sulfamideve hipoglicemiante. Koma hipoglicemike është në dukje më dramatike. Ajo krijon alarm të madh si tek i sëmuri, ashtu dhe te njerëzit që e rrethojnë. Arsyeja është që kjo komë shfaqet pothuaj pa pritur, kur i sëmuri është mirë p.sh. gjatë një aktiviteti. Brenda pak çastesh ai mund të rrëzohet papritur pa ndjenja. Ai shpesh përpëlitet në konvulsione muskulare që të kujtojnë epilepsinë (“sëmundjen e tokës”), i skuqur në fytyrë e i mbytur në djersë. Një i sëmurë diabetik kur bie në komë hipoglicemike nuk e ndihmon dot më vetveten. Glicemia e tij në këto çaste është nën 50 mg%.

Fatmirësisht që organizmi ka një sërë mekanizmash që vihen automatikisht në lëvizje për të vetëkorrigjuar këtë gjendje. Në sajë të tyre, kriza gradualisht kalon. Niveli i glicemisë normalizohet dhe jo rrallë rritet edhe më shumë duke arritur në shifra tepër të larta sa bën që të shfaqet edhe glukoza në urinë. Kjo përgjigje reflektore, rritja e tepërt e glicemisë pas kalimit të gjendjes hipoglicemike, quhet efekti Somogy. Atë duhet ta njohin edhe diabetikët se jo rrallë i ngatërron në interpretimin e analizave ditore. Koma hipoglicemike jo gjithmonë kalon vetvetiu, kaq thjeshtë dhe pa pasoja. Veçanërisht në të sëmurët e moshuar ajo mund të bëhet shkak i aksidenteve vaskulare që janë kërcënuese për jetën e tyre. Si e tillë koma hipoglicemike duhet të parandalohet me çdo kusht.

Si mund të parandalohet koma hipoglicemike?

Pavarësisht nga dramaticiteti dhe shpejtësia e shfaqjes, ajo ka një sërë shenjash paralajmëruese që, po të njihen mirë nga të sëmurët dia¬betikë, bëjnë të mundur zbulimin e tyre në kohë dhe mjekimin shumë efikas.

Cilat janë shenjat e para të hipoglicemisë?

Si shenja fillestare të saj janë: dridhja e duarve, e trupit, rrahjet e shpeshta të zemrës, djersitja e theksuar, skuqja e fytyrës, errësimi i pamjes, marrje mendsh, trrullosje, ndjenjë urie si “gërryerje” apo “boshllëk” në stomak etj. Ndonjëherë shenjat e para të hipoglicemisë mund të jenë sjellja e çuditshme dhe jo e zakonshme e të sëmurit, nervozizëm pa shkak i tij, të folur pa kuptim, lëvizje të pakoordinuara të gjymtyrëve etj. Këto shenja nuk është e thënë të shfaqen të gjitha bashkë gjatë një krize të vetme apo te secili i sëmurë. Më shpesh shfaqen një, dy apo disa prej tyre. Rëndësi vendimtare ka që i sëmuri t’i njohë këto shenja e të dijë t’i vlerësojë drejt dhe në kohë. Një i sëmurë i tillë, i mësuar dhe i stërvitur di si të veprojë kur i shfaqen këto shenja, nuk arrin asnjëherë deri në humbjen e ndërgjegjes, në komën e plotë hipoglicemike. Kjo e fundit shfaqet vetëm tek ata të sëmurë që nuk i vlerësojnë shenjat e mësipërme si sinjale me shumë domethënie të uljes së sheqerit në gjak, por i keqinterpretojnë ose i nëvleftësojnë si të rastit, kalimtare apo të pa lidhura me ndryshimet e glicemisë.

Ata bëhen kështu fajtorë të drejtpërdrejtë për rënien e tyre në komë, sepse humbasin kohën më të mirë për të marrë masa mje¬kuese që e frenojnë menjëherë keqësimin e gjen¬djes dhe madje e korrigjojnë me shumë lehtësi. (Mjafton të hamë apo të pimë diçka që përmban sheqer). Gjendje të tilla hipoglicemike janë veçanërisht të rrezikshme për fëmijët e vegjël që mund të ndodhen pranë zjarrit apo në rrugë, për disa diabetikë me profesione delikate, si: shoferë, muratorë, elektricistë, polumbarë etj., ku një krizë e tillë, me turbullime të ndërgjegjes, mund të rrezikojë jetën dyfish.

Përse shkaktohet hipoglicemia?

Në të sëmurët që mjekohen me insulinë shkaqet e shfaqjes së hipoglicemisë zakonisht janë tre: gabime në dozimin dhe injektimin e insulinës; mosmarrja e mjaftueshme e ushqimeve dhe lodhja fizike më e madhe se zakonisht. Me gabimet në dozimin dhe injektimin e insulinës, kryesisht kuptojmë injektimin e një doze insuline më të madhe nga ajo që duhet, qoftë nga nxitimi i të sëmurit, nga mosparja mirë e shifrave të shiringës etj. Gabimet më të shpeshta të injektimit të insulinës që mund të japin hipoglicemi janë: injektimi i insulinës më thellë seç duhet, p.sh., jo nën lëkurë, por deri në muskul. Si pasojë e këtij injektimi më të thellë, insulina shkon më shpejt në gjak se në rastin kur bëhet nën lëkurë. Duke u thithur më shpejt, ajo vepron përpara se glukoza e ushqimeve të ketë mbërritur në gjak. Pikërisht kjo mospërputhje në kohë midis insulinës dhe ushqimeve të marra, mund të krijojë hipogliceminë; injektimi aksidental i insulinës në venë. Gjatë futjes së gjilpërës në lëkurë, përpara se të shtypim pistonin e shiringës për injektimin e insulinës është mirë që ai të tërhiqet pak dhe të kontrollohet nëse në shiringë futet gjak apo jo dhe injektimi i insulinës duhet të bëhet vetëm pasi të jemi siguruar që gjatë tërheqjes së pistonit nuk kemi thithur gjak. Kur kjo këshillë nuk respektohet, ndodh që maja e gjilpërës të jetë futur në ndonjë enë gjaku dhe kur ne shtypim pistonin, e gjithë përmbajtja e insulinës kalon drejtpërdrejt në gjak. Edhe në këtë rast, sikurse shpjeguam në rastin e injektimit të insulinës në muskul, thellë, tek i sëmuri mund të shfaqet hipoglicemia po për të njëjtën arsye.

Gabimet në dozimin e insulinës mund të ndodhin te të sëmurët që nuk kanë mësuar mirë të dozojnë me saktësi insulinën, tek ata që përdorin shiringa që nuk janë të posaçme për insulinë ose që përdorin shiringa difektoze. Duke bërë gabimisht dozë më të madhe nga ç’duhet ata natyrisht do të bien në hipoglicemi. Gabime në llojin e insulinës së injektuar: Kur i sëmuri në vend të njërës insulinë bën gabimisht një lloj tjetër, p.sh. në vend të insulinës ordinere bën insulinë semilente ose lente. Në këtë rast mund të kryqëzohet koha e veprimit maksimal të insulinës që i sëmuri ka injektuar gabimisht me kohën e veprimit maksimal të insulinës që bën më vonë i sëmuri e për pasojë do të shfaqet hipoglicemia.

Mosmarrja e mjaftueshme e ushqimeve ndodh kur i sëmuri në këtë rast mund të ketë bërë në rregull e pa gabime insulinën, por nuk ka marrë racionin e zakonshëm të ushqimit të tij. Kështu p.sh., gjatë një ekzaminimi mjekësor (radioskopi e stomakut, analiza të tjera etj), të sëmurët mund të bëjnë insulinën e mëngjesit dhe rrinë disa orë pa ngrënë. Një veprim i tillë i çon ata në gjendje hipoglicemie. Hipogliceminë mund ta favorizojë gjithashtu mosrespektimi i orarit të ngrënieve. Kështu p.sh., në rast se një i sëmurë bën insulinë ordinere në orën 7 dhe nuk e merr ushqimin brenda 10 deri 30 minutave por e merr më vonë, p.sh. në orën 8 ose 9, glukoza e ushqimeve do të vijë në gjak me vonesë, në një kohë që insulina e ka arritur kohën e maksimumit të veprimit të saj. Për pasojë i sëmuri do të bjerë në hipoglicemi.

Njëkohësisht ka rëndësi dhe sasia e ushqimeve të marra për çdo vakt, e cila duhet të jetë e tillë që të përballojë sasinë e insulinës që merr i sëmuri. Në të kundërt, kur kjo sasi është më e vogël, i sëmuri detyrimisht do të bjerë në hipoglicemi. Në disa raste edhe mosshpërndarja e rregullt e vakteve të ngrënies së ushqimit bëhet shkak për shfaqjen e hipoglicemive, sidomos kur për mjekim përdoren insulina të vonuara. Kështu, në të sëmurët që bëjnë në darkë insulinë semilenta, ngrënia e një sasie ushqimi para se të flenë, mënjanon mundësinë e shfaqjes së hipoglicemive natën.

Lodhja dhe veprimtaria fizike më e madhe se zakonisht. Shpjeguam më sipër që gjatë një aktiviteti fizik të rëndësishëm, organizmi konsumon sasi më të madhe glukoze sesa kur është në gjendje qetësie. Kështu, kur një i sëmurë diabetik kryen një punë fizike të rëndë ose aktivitet sportiv dhe nuk pakëson më parë sasinë e insulinës së injektuar ose të shtojë sasinë e ushqimeve që merr, gjithmonë ka rrezik të bëjë gjendje hipoglicemie, e cila shpesh shfaqet që gjatë kohës së aktivitetit fizik. (shekulli)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>