SHBA, shpërndahen 2.9 milionë dozat e para të vaksinës

FedEx transportimi i vaksinesRreth tre miliona doza të vaksinës së parë kundër COVID-19-s të miratuar në SHBA, do t’u shpërndahen shteteve këtë javë. Vaksinimi filloi me punonjësit e kujdesit shëndetësor të cilët përballen me një rrezik të lartë infektimi. Ky zhvillim vjen ndërsa numri i të vdekurve në vend si pasojë e sëmundjes vazhdon të rritet. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Michelle Quinn njofton.

Një moment shprese në një periudhë të errët…Që nga dje kamionë dhe avionë me 2.9 milionë doza do të shpërndajnë në të gjithë vendin, vaksinën e parë të miratuar kundër COVID-19-s.

Punonjësit e kujdesit shëndetësor si dhe ata që jetojnë e punojnë në azile janë të parët që do të marrin vaksinën e Pfizer-BioNTech-ut.

Entuziazmi mbi fillimin e përpjekjeve për vaksinim vjen ndërsa numri i infeksioneve të reja vazhdon të rritet dhe numri i vdekjeve nga COVID-19, në ShBA ka arritur në rreth 300 mijë.

Nju Xhersi është një prej shteteve që po përjeton një shtim të lartë të rasteve të reja me COVID-19.

Pavarësisht lajmeve të mira, dritës në fund të tunelit e vaksinës që është një shembull ilustrues i kësaj, javët në vazhdim kam frikë se do të jenë shumë të vështira. Ndaj u lutem njerëzve të jenë vigjilentë“, thotë Phil Murphy, Guvernator i shtetit të Nju Xhersit.

Ndërsa vaksinimet do të jenë në rrugë e sipër, Administrata e Ushqimit dhe Barnave po shqyrton dhënien e autorizimit për një tjetër vaksinë kundër COVID-19-s, asaj të prodhuar nga kompania Moderna.

Por zyrtarët e shëndetit publik kanë ngritur shqetësimin rreth atyre që do të hezitojnë të vaksinohen.

Ka shumë njerëz që hezitojnë të vaksinohen për shumë arsye. Besoj se duhet të flasim mbi sigurinë, efikasitetin e këtyre vaksinave, rëndësinë e saj për gjithësecilin prej nesh e komunitetin global“, thotë Dr. Stephen Parodi, i Grupit Mjekësor “Kaiser Permanente”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, ka paralajmëruar mbi rrezikun që paraqet i ashtuquajturi “nacionalizmi i vaksinave”, që mund t’i vendosë vendet e varfëra në vështirësi për të siguruar vaksina.

Ndërsa këto vende ndodhen nën presion për të zhvendosur burimet e tyre financiare për të siguruar vaksina, ky nuk është rreziku i vetëm, thotë drejtoresha e Qendrës Ndërkombëtare të Vaksinave të universitetit Johns Hopkins-in për Nigerinë, Chizoba Wonodi.

Nga do të vijnë këto para?! Me siguri do të ketë zhvendosje të shpenzimeve nga një çështje që lidhet me kujdesin shëndetësor tek një tjetër. Dhe nëse mendoni barrën e sëmundjeve në vendet në zhvillim, ka shumë njerëz që ngrejnë pikëpyetje në lidhje me përfitimet që do të sillte zhvendosja e fondeve tek vaksinat, përballë përdorimit të atyre parave për programe të tjera të kujdesit shëndetësor“, thotë ajo.

Ndërsa në horizont po shfaqen të tjera vaksina që luftojnë COVID-19-n autoritetet e kujdesit shëndetësor thonë se ruajtja e vigjilencës është më e rëndësishme se kurrë.

Vaksina na jep shpresë të madhe për vitin 2021, por rritja aktualisht e numrit të të infektuarve krijon një pauzë të madhe …ndaj duhet t’i përmbahemi atyre tre rregullave, të lajmë duart, të mbajmë maskën e të ruajmë distancën fizike“, thotë Dr. Stephen Parodi, i Grupit Mjekësor “Kaiser Permanente”.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>