Shëndeti dhe jetëgjatësia

matja e shtypjesLajm i mirë dhe i keq për jetëgjatësinë. Lajm i mirë është se njeriu jeton më gjatë. Lajm i keq është se ka rrezik më të madh për probleme shëndetësore.
Në botë, jetëgjatësia është rritur me gjashtë vjet që nga viti 1990. Një studim i ri thotë se kjo është për shkak të përparimeve që janë bërë kundër virusit HIV, SIDA-s dhe malaries. Përparim është bërë edhe në pakësimin e vdekjeve nga sëmundjet ngjitëse dhe çrregullimet e ushqyerjes së nënave, dhe foshnjeve.

10 vendet me jetëgjatësinë më të lartë janë Japonia, Singapori, Andorra, Islanda, Qipro, Izraeli, Franca, Italia, Korea e Jugut dhe Kanadaja. Shtetet e Bashkuara renditen në vendin e 34 në listën për jetëgjatësinë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Besohet se problemet shëndetësore janë më të shumta kur popullsia është e përzierë.

Theo Vos është autori kryesor i studimit dhe profesor i shëndetit global në Institutin e Shëndetit në Universitetin e Uashingtonit. Ai thotë se në përgjithësi ka pasur një ulje të dukshme të vdekshmërisë:
“Më e rëndësishmja është se ka patur pakësim të të gjitha sëmundjeve infektive që prekin fëmijët e vegjë, dhe të porsalindurit.  Por, kemi parë gjithashtu rënie shumë të qëndrueshme në vdekjet nga lëndimet, ndërsa vdekjet nga disa prej sëmundjeve kryesore jo ngjitëse kanë rënë më ngadalë.”
Për shumë njerëz, cilësia e jetës në vitet shtesë mund të jetë dëmtuar nga probleme shëndetësore.

“Duke rritur jetëgjatësinë mesatare njeriu ka më shumë gjasa për të marrë sëmundje që të pengojë aftësinë për të funksionuar. Ndërsa kemi qenë relativisht të suksesshëm në pakësimin e shkaqeve kryesore të vdekjes, ne kemi qenë më pak të suksesshëm në shërimin e shkaqeve të paaftësisë afatgjatë”, – thotë profesori Vos.

Disa sëmundje dhe paaftësi mund të parandalohen, por Dr. Vos thotë se investimi në trajtimin, apo shërimin e tyre nuk ka qenë i njëjtë me investimet për sëmundjet kryesore:

“Pra, i bëjmë thirrje komunitetit kërkimor mjekësor të fillojë të mendojë për të investuar më shumë në shkaqet e mëdha të paaftësisë sesa vdekshmërisë. Dhe shpresojmë se kjo do të çojë në disa përparime siç ka ndodhur në rastin e pakësimit të vdekshmërisë.”
Nëntë nga 10 vendet me jetëgjatësinë më të ulët janë në Afrika nën-Sahariane. Lesoto paraqitet më keq, me një jetëgjatësi prej vetëm 42 vjet, e ndjekur nga Swaziland, Republika e Afrikës Qendrore, Guinea-Bissau dhe Zimbabve, pastaj Mozambiku, Afganistani, Çadi, Sudani Jugor dhe Zambia.
“Kërcënimi më i madh i përbashkët në këto vende është shkalla e epidemisë HIV. Unë kam punuar për 10 vjet në Afrikën jugore dhe në Lesoto para se virusi HIV të prekte vendin, i cili qysh atëhere vuante nga shumë sëmundje që lidhen me varfërinë,” – thotë profesori Vos.

Sëmundja ishemike e zemrës, një pakësim i rrjedhjes së gjakut në zemër, është shkaku kryesor i asaj që njihet zyrtarisht si DALY apo vitet e jetës me aftësi të kufizuar. Sëmundja tjetër është infeksioni i pjesës së poshtme të aparatit të frymëmarrjes; pastaj vijnë dhimbjet në pjesën e poshtme të shpinës, dhimbjet e qafës dhe aksidentet rrugore.
Janë edhe sëmundjet e diarresë, sëmundja kronike e mushkërive e njohur si SPOK që përfshin bronkitin kronik dhe emfizemën. Edhe komplikimet para dhe gjatë lindjes, dhe HIV / SIDA, sëmundjet e syve,  humbja e dëgjimit dhe çrregullimet e shëndetit mendor.
Studimi bazohet në një analizë të të gjitha sëmundjeve kryesore dhe lëndimeve në 188 vende. Profesor Vos thotë se qëllimi është për të gjetur mundësi për të përmirësuar shëndetin e njerëzve. Studimi do të ndihmojë në krijimin e  objektivave të reja të zhvillimit të qëndrueshëm që zevendësojnë Objektivat e OKB-së mbi Zhvillimin e Mijëvjeçarit, këtë vit. (voa)

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>