Supa, pjesë e rëndësishme e dietës

supaMbështetësit e një diete të re pretendojnë se ajo është ‘super e shëndetshme’. Tani banorët e Kalifornisë që i kushtojnë rëndësi të veçantë dietës po braktisin dietën që bazohet tek lëngjet e frutave dhe perimeve, në favor të supës së gatshme me perime dhe fruta.

Kanë kaluar ditët kur dreka më e shëndetshme e ofruar në Los Anxheles ishte një gotë me lëng frutash dhe perimesh.

Supa tani është prirja e fundit e dietave të shëndetshme dhe popullariteti i saj është në rritje.

Blogerja e temave të shëndetit, Jen Johnson thotë se ajo është praktikuese e rregullt e “pastrimit me supë”, një dietë disa ditëshe vetëm me supë.

Ajo thotë se kur ha supë, nuk ka dhimbje të forta urie siç i ka ndodhur me dietën e lëngjeve.

“Supa më pëlqen sepse ajo është një racion i plotë ushqimor. Kam provuar dietën me lëngje dhe nuk mund t’i qëndroja një ditë e jo më një javë të tërë. Dietën me supë mund ta bëj për pesë ditë dhe ndoshta më shumë”, thotë ajo.

Për ata që besojnë tek kjo dietë, supa ofron fibra dhe proteinë, gjë që nuk ndodh me dietën e lëngjeve, duke e bërë konsumin e supës më të lehtë dhe më të kënaqshme.

Një dietë mesatare e supës përfshin pesë deri tetë racione supe në ditë: disa të nxehta, disa të ftohta, disa me fruta, disa me perime, disa të përziera.

“Soupure”, një kompani me qendër në Los Anxheles shet lloje të ndryshme supe me produkte bio.

“Soupure” shet produkte të ndryshme në dyqanet e saj dhe në internet.

“Përmes supës mund të merrni të gjithë përbërësit ushqyes, përfshirë fibrën dhe proteinën. Çdo gjë është e lidhur, trupi e ka më të lehtë të tresë sheqerin natyror nga frutat dhe perimet në supë”, thotë Angela Blatteis, bashkë-themeluese e kompanisë “Soupure”.

Kompania ka punuar një vit për krijimin e recetave për produktet e saj të supës duke marrë ndihmën e ekspertëve të dietës dhe kuzhinierëve.

Dieta një ditore e prodhuar nga kompania “Soupure” përbëhet nga tetë pako supe, që së bashku kanë 1200 kalori dhe kushtojnë 79 dollarë.

“Beaming” është një tjetër kompani që ofron lloje të ndryshme supe në katër kafenetë e saj në Kaliforninë jugore.

Pronarja Lisa Odenweller thotë se dëshiron të ndihmojë njerëzit të kuptojnë fuqinë e ushqimit si ilaç.

Supa më e njohur e kompanisë “Beaming” është “Buda Bowl”, që përgatitet e freskët, me pure të lulelakrës, lakër jeshile, dhe arra.

“Është e mirë dhe ushqyese. Të bën të ndihesh i ngopur gjatë gjithë ditës. Metabolizmin ta mban aktiv, që është pjesë e rëndësishme e pastrimit. Kjo supë është e pasur me fibër, që nuk gjendet në dietën e lëngjeve”, thotë zonja Odenweller.

Sarah Mirkin, dietologe nga Los Anxhelesi që njihet në Hollywood me nofkën Trajnerja e Kuzhinës, thotë se ideja që duhet të konsumosh disa gjellë të caktuara për të pastruar trupin nga mbetjet toksike mund të jetë e gabuar.

“Tradicionalisht, dietologët kurrë nuk kanë rekomanduar pastrimin në përgjithësi sepse trupi e bën vetë detoksikimin. Këtë e bëjnë veshkat, mëlçia, zorra e trashë, dhe sistemi ynë imunitar. Megjithatë, tani në këtë epokë ne jemi të ekspozuar ndaj shumë ndotësve dhe kimikateve dhe trupi ka nevojë për një ndihmë të vogël shtesë. Supa dhe lëngjet, edhe pse unë nuk e rekomandoj sheqerin në lëngje, janë të pasura me antioksidantë dhe fitokimikate që mund të ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve kronike”.

Pra, supa në vetvete nuk mund të jetë një dietë magjike, por siç thekson dietologia Mirkin, nuk ka asgjë të keqe nga konsumi i një sasie më të madhe frutash e perimesh, në çdo formë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>