Shkencëtarët britanikë kanë përzgjedhur 100 individë dhe kanë filluar provat klinike për një vaksinë kundër koronavirusit. Kjo tentativë në Universitetin e Oksfordit është një ndër disa prova që po zhvillohen në laboratore të ndryshme të botës me shpresën për të gjetur një mënyrë për mbrojtje nga infektimi.
Dy të rinj, Edward O’Neill dhe Elisa Granato, të dy shkencëtarë, kanë dalë vullnetarë për vaksinën e re që shpreson të zhvillojë një grup kërkimor në Universitetin e Oksfordit.
“Jam shkencëtare, prandaj dua ta provoj. Dua të mbështes shkencën, procesin shkencor. Ngaqë nuk studioj viruset, jam ndjerë disi pa vlerë këto ditë. Prandaj e mendova si mënyrë të thjeshtë për të mbështetur këtë kauzë,” thotë Elisa Granato, pjesëmarrëse në provë.
30- vjeçari O’Neill thotë se e kupton rrezikun, por ka besim tek ekipi kërkimor:
“Nuk mendoj se është e mundur të përjashtosh plotësisht rrezikun, por besoj se kur u futesh këtyre gjërave duhet t’u hysh me bindje. Duhet të besosh se po bëjnë të pamundurën dhe se e dinë që kjo është punë e rëndësishme,” thotë pjesëmarrësi në prova, Edward O’Neill.
Ai madje ka marrë edhe mbështetjen e bashkëshortes për këtë mision:
“Gruaja është plotësisht në dieni. Djali mendon se shkova në punë. Në fakt, edhe kjo është punë, por për diçka jashtë normales,” thotë O’Neill.
Shkencëtarët në Oksford thonë se fokusi kryesor i provave aktuale është për të parë nëse vaksina funksionon kundër koronavirusit dhe nëse ka apo jo efekte anësore,
Sarah Gilbert është profesore e vaksinologjisë në Oksford:
“Unë personalisht kam shumë besim tek vaksina, sepse është teknologji që e kemi përdorur përpara për të bërë shumë vaksina të tjera. Po ashtu kemi bërë një numër studimesh tek kafshët,” thotë profesorja e Universitetit të Oksfordit, Sarah Gilbert.
Ekipi i Universitetit të Oksfordit thotë se paralelisht me provat po punohet për të prodhuar miliona doza të kësaj vaksine ende pa marrë rezultatet e provave. Por çdo gjë do të bëhet në bazë të protokollot të duhur, me të gjitha masat e sigurisë shprehet Profesore Gilbert:
“Unë jam shumë optimiste se do të funksionojë. Po testojmë efikasitetin për të parë çfarë rezultati jep. Nuk duam në asnjë mënyrë të sugjerojmë se kjo vaksinë mund të përdoret në popullatën e gjerë para se të provojmë se funksionon dhe se të mbron nga infektimi,” thotë Profesore Gilbert.
Aktualisht po zhvillohen prova me rreth 100 vaksina kandidate nga laboratore në mbarë botën. Të paktën pesë prej tyre janë në fazën e testimit paraprak në njerëz, apo në fazën e provave klinike.
voa