Dronët përdoren shpesh në luftë, në fushën e zbatimit të ligjit dhe në bujqësi. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Julie Taboh, tani gjithnjë e më shumë biznese amerikane po i përdorin dronët për të dërguar ushqime në shtëpitë e klientëve.
Diçka e pazakontë po ndodh në një lagje në periferi të një qyteti në Virxhinian lindore.
Artikujt ushqimorë po i dërgohen familjes Baugh me dron.
“Kemi fëmijë binjakë dhe kjo është shumë e përshtatshme për ne. Nuk kemi nevojë të shpenzojmë kohën shtesë për t’i ngarkuar ato në makinë”.
Chad Baugh e bëri porosinë në internet, nga një dyqan i kompanisë Walmart afër shtëpisë së tij. Walmart është një nga kompanitë më të mëdha të shitjeve me pakicë në Amerikë, e cila bëri më shumë se gjashtë mijë dërgesa me dron për klientët e saj vitin e kaluar.
“Dronët janë vërtet të efektshëm, të shpejtë dhe të dobishëm për disa operacione. Ata janë gjithashtu shumë të qëndrueshëm”, thotë Phillip Wallace, drejtor i kompanisë Walmart për Çështje të Qeverisë Federale.
Kompania përdor një shërbim të quajtur “DroneUp” për pjesën më të madhe të porosive të saj.
Shërbimet e dërgesave me dronë janë veçanërisht të përshtatshme për njerëzit që jetojnë në zonat rurale, të moshuarit dhe ata që kanë vështirësi të lëvizin.
Droni qëndron rreth 25 metra mbi tokë, një gjë e mirë për mbrojtjen e privatësisë dhe reduktimin e nivelit të zhurmës.
Por sfidat kryesore janë rregullat e forta të Administratës Federale të Aviacionit.
“Unë mendoj se Administrata Federale e Aviacionit ka bërë shumë për të avancuar teknologjinë e dronëve, por nuk është në ritmin e duhur për të ardhmen”, thotë Anthony Vittone, shef i operacioneve të shërbimit “DroneUp”.
Në një deklaratë për Zërin e Amerikës, Administrata Federale e Aviacionit tha se në shtator, do të kërkojë që dronët të transmetojnë informacionin e identifikimit në distancë, një hap i madh drejt mundësimit të menaxhimit të trafikut të mjeteve fluturuese pa pilot.
“Integrimi i dronëve është një temë e rëndësishme në Administratën Federale të Aviacionit. Ajo po zhvillon diskutime për çështjet si integrimi i dronëve në sistemet ekzistuese të kontrollit të trafikut ajror”, thotë Miriam McNabb, redaktore e DroneLife, e cila publikon të rejat e fundit për çështjet që kanë të bëjnë me dronët.
Ky është një lajm i mirë për konsumatorët.
“Unë mendoj se industria e avionëve pa pilot në të ardhmen do të jetë vërtet e dobishme për të gjithë. Ndërsa më shumë kompani ofrojnë shërbime në internet, ju do të jeni në gjendje t’i dërgoni produktet në shtëpinë tuaj më shpejt dhe në një mënyrë më të sigurt”, thotë Chad Baugh, klient i kompanisë Walmart.
voa