Tre shkencëtarë nderohen me çmimin Nobel në fizikë për zbulimet në të kuptuarin e klimës

Amerikani me origjinë japoneze Syukuro Manabe, gjermani Klaus Hasselmann dhe italiani Giorgio Parisi fituan çmimin Nobel për fizikë në vitin 2021 për kontributin e tyre në të kuptuarin e sistemeve komplekse fizike, siç është ndryshimi i klimës në tokë.

Gjysma e çmimit, me vlerë 10 milion korona suedeze (1.15 milion dollarë), do të ndahet mes studiuesve Manabe, i cili është 90 vjeç, dhe Hasselmann për modelimin e klimës së tokës dhe parashikimin e saktë të ngrohjes globale.

Gjysma tjetër i jepet studiuesit Parisi për zbulimin e “rregullave të fshehta” në lëvizjet dhe qarkullimet në dukje të rastësishme në gaze ose lëngje.

“Sistemet komplekse karakterizohen nga rastësia dhe çrregullimi dhe janë të vështira për t’u kuptuar,” shprehej Akademia Suedeze e Shkencave në një deklaratë. “Çmimi i këtij viti vlerëson metoda të reja për përshkrimin e tyre dhe parashikimin e funksionimit të tyre afatgjatë.”

Manabe është aktualisht profesor në Universitetin Princeton në Shtetet e Bashkuara, Hasselmann në Institutin Meteorologjik Max Planck në Hamburg të Gjermanisë dhe Parisi në Universitetin La Sapienza të Romës.

Çmimi për fizikën është Nobeli i dytë që jepet këtë javë pasi amerikanët David Julius dhe Ardem Patapoutian fituan atë për mjekësinë të hënën për zbulimin e ndjesorëve të temperaturës dhe prekjes në lëkurë.

nobel_feature-Çmimet Nobel janë dhënë çdo vit që nga 1901, kur ato u krijuan në bazë të testamentit të investitorit dhe biznesmenit Alfred Nobel. Ka patur shumë pak vite që nuk janë dhënë, që nga viti 1901 me disa përjashtime shumë të rralla, kryesisht për shkak të dy luftërave botërore.

Për shkak të pandemisë COVID-19, laureatët do t’i marrin medaljet dhe çmimet në vendet e tyre.

Shpallja e çmimit të fizikës do të pasohet në ditët në vijim nga çmimet për kiminë, letërsinë, paqen dhe ekonominë.

Vitin e kaluar, shkencëtarët Roger Penrose, Reinhard Genzel dhe Andrea Ghez fituan çmimin Nobel të fizikës për zbulimet e tyre në lidhje me vrimat e zeza.

voa

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>