Shkencëtarët në agjencinë amerikane të hapësirës njoftuan se kanë zbuluar gjurmë të burimeve me ujë të kripur në siperfaqen e Marsit. Shkencëtarët thonë se rrjedhat e ujit në siperfaqen e Marsit shfaqen vetëm gjatë stinës së verës. Zbulimi mbështet idenë se mund të ketë forma jete në planetin e kuq.
Shkencëtarët e kanë ditur për një kohë të gjatë se në Mars dikur ka patur ujë. Por ata mendonin se ndryshimi i klimës e kishte tharë planetin. Të hënën, shkencëtarët e NASA-s njoftuan se kanë prova se ka më shumë ujë në planetin e kuq sesa mendohej më parë.
“Sondat tona po gjejnë më shumë lagështi në ajër se ç’kemi menduar më parë. Mostrat e dheut janë me lagështi, janë të hidratuara, plot me ujë”.
Për disa vite shkencëtarët kanë monitoruar gjurmët misterioze të rrjedhave të ujit në terrenin e Marsit që duket se po zbehen. Një analizë e plotë e të dhënave të mbledhura nga sondat e NASA zbulon se vijat e errëta që shfaqen gjatë verës mund të jenë rrjedha të ujit.
“Por ne nuk e dimë se nga ku po vjen uji, kështu që mund të ketë një burim të madh ujor të fshehur nën sipërfaqen e planetit. Por ne nuk dimë asgjë për këtë. Pra ky është një mister tjetër nga ky zbulim i fundit”.
Përgjigja për këto pyetje mund të vijë pas rreth pesë vitesh, kur sonda tjetër e NASA-s do të sjell përsëri mostra nga Marsi. Prania e ujit do të nënkuptonte ekzistencën e organizmave të gjallë në planet.
Kjo gjithashtu do të lehtësonte udhëtimet e ardhshme në hapësirë.
“Ne e dimë se çfarë është uji: hidrogjen dhe oksigjen. Me këto elemente ne prodhojmë karburantin për raketa”.
Njoftimi i NASA-s vjen disa ditë para fillimit të shfaqjes në kinema të një filmi të ri mbi Marsin, ku aktori Matt Damon luan rolin e një astronauti të braktisur në Mars. Filmi fantastiko-shkencor i regjisorit Scott Ridley, i bazuar në një libër të njohur, pritet të shtojë kuriozitetin e njerëzve rreth planetit Mars. (voa)