GM kalon në anën e Kalifornisë në konfliktin për standartet e ndotjes me Presidentin Trump

General Motors Chief Executive Officer Mary BarraFILE PHOTO: General Motors Chief Executive Officer Mary Barra announces a major investment focused on the development of GM future technologies at the GM Orion Assembly Plant in Lake Orion

General Motors ndryshoi qëndrimin duke kaluar në anën e Kalifornisë në betejën ligjore kundër të drejtës së këtij shteti për të vendosur standardet e ajrit të pastër, duke braktisur administratën Trump ndërsa mandatit të presidentit po i afrohet fundi.

Drejtorja Ekzekutive Mary Barra tha në një letër të hënën për organizatat mjedisore se kompania GM nuk do të mbështesë më administratën Trump në procesin gjyqësor kundër standardeve të Kalifornisë. Dhe GM po u bën thirrje prodhuesve të tjerë të automjeteve të bëjnë të njëjtën gjë.

Ky veprim është një shenjë se GM dhe prodhuesit e tjerë të automjeteve po parashikojnë ndryshime të mëdha kur Presidenti i zgjedhur Joe Biden të marrë detyrën në janar. Tashmë të paktën një prodhues tjetër i madh automjetesh, Toyota, tha se mund të bashkohet me GM-in duke mbështetur qëndrimin e autoriteteve shtetërore të Kalifornisë.

Në letrën e saj, zonja Barra shkruante se kompania pajtohet me planin e zotit Biden për të zgjeruar përdorimin e automjeteve elektrike. Javën e kaluar, GM tha se po teston një bateri të re kimike që do të ulë koston e automjeteve elektrike brenda pesë viteve të ardhshme.

Zonja Barra e dërgoi letrën pas një bisede të hënën në mëngjes me zonjën Mary Nichols, drejtuesja e Bordit të Burimeve Ajrore të Kalifornisë, thuhet në njoftimin e kompanisë GM. Bordi është rregullatori i shtetit për ndotjen e ajrit.

“Ne besojmë se qëllimet ambicioze të Presidentit të zgjedhur, Kalifornisë dhe kompanisë General Motors për rritjen e përdorimit të produkteve elektrike janë në të njejtën linjë, si një mënyrë për të trajtuar ndryshimin e klimës duke ulur në mënyrë drastike emetimet e karbonit nga automjetet”, thuhet në letër.

Nichols e quajti lajm të mirë njoftimin e kopmpanisë GM. “Jam e kënaqur që jemi përsëri në komunikim me zonjën Mary Barra”, tha ajo. “Ka kaluar një kohë e gjatë që nuk kemi biseduar”.

Lajmi, së bashku me njoftimin e kompanisë GM për të tërhequr nga tregu 7 milionë automjete difektoze, duke shmangur një luftë të zgjatur ligjore, ndihmoi në rritjen me 4 për qind të aksioneve të prodhuesit të automjeteve të hënën.Çmimi i një aksioni të kompanisë arriti në 45,16 dollarë, niveli më i lartë në më shumë se dy vjet. Vlera e aksioneve të kompanisë GM është dyfishuar që nga prilli.

Dan Becker i Qendrës për Diversitetin Biologjik, një nga grupet mjedisore që mori letër nga zonja Barra, tha se GM bëri gabim në përpjekjen për të ndalur Kaliforninë që të mbronte njerëzit e saj nga ndotja e shkaktuar nga automjetet.

“Tani prodhuesit e tjerë të makinave duhet të ndjekin shembulllin e kompanisë GM dhe të tërheqin mbështetjen për sulmin e (Presidentit Donald) Trump ndaj makinave të pastra (atyre që nuk shkaktojnë ndotje)”, shkruante ai në një email.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment dhe Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit, duke thënë vetëm se është interesante të shohësh ndryshimin e qëndrimeve të kompanive amerikane.

Në një deklaratë, zoti Biden tha se vendimi i kompanisë GM është inkurajues për ekonominë, planetin dhe suksesin e kompanive amerikane të prodhimit të makinave.

“Vendimi i kompanisë GM tregon se sa dritëshkurtra janë përpjekjet e administratës Trump për të shkatërruar novacionin amerikan dhe mbrojtjen e Amerikës nga kërcënimi i ndryshimit të klimës”, thuhet në deklaratë.Efektet e këtij zhvillimi do të ndihmojnë Shtetet e Bashkuara të jenë novatore dhe të krijojnë vende pune me paga të mira dhe të mbrojtura nga sindikatat.

Vitin e kaluar General Motors, Fiat Chrysler, Toyota dhe 10 prodhues më të vegjël dolën në krah të administratës së Presidentit Trump në një proces gjyqësor mbi të drejtën e Kalifornisë për të përcaktuar standardet e veta për emetimet e gazeve që shkaktojnë efektin serrë dhe teknologji që mundëson përdorim ekonomik të karburantit.

Kompanitë thanë se do të ndërhynin në një proces gjyqësor të ngritur nga Fondi i Mbrojtjes së Mjedisit kundër administratës Trump, që ka mbështetur heqjen e standarteve kombëtare të ndotjes të miratuara nga administrata e Presidentit Barack Obama.

Ky grup e quan veten “Coaliton for Sustainable Automotive Regulation” dhe në të janë të përfshira kompanitë Nissan, Hyundai, Kia, Subaru, Isuzu, Suzuki, Maserati, McLaren, Aston-Martin dhe Ferrari. Ky koalicion tha se prodhuesit e makinave po përballen me standarde të shumëfishta dhe të paqëndrueshme, të cilat do të rrisnin koston për konsumatorët.

Në një deklaratë, Toyota tha se ajo ka mbështetur rritjen e përvitshme dhe graduale të standardeve të efektshmërisë ekonomike të makinave dhe ajo u bashkua me koalicionin sepse shumica e prodhuesve të tjerë të automjeteve ranë dakord se duhet të ketë një standard të vetëm për këtë në mbarë Shtetet e Bashkuara. Por kompania e pranoi se zoti Biden së shpejti do të marrë një qëndrim tjetër.

“Duke patur parasysh ndryshimin e rrethanave, ne po vlerësojmë situatën, por mbetemi të përkushtuar në qëllimin tonë për standarte të qëndrueshme, të njësuara për përdorimin ekonomik të karburantit, të zbatueshëm në të 50 shtetet”, tha kompania Toyota.

Masa fillestare i vuri prodhuesit e makinave të përfshirë në koalicion në kundërshtim me pesë kompani të tjera, BMW, Ford, Volkswagen, Volvo dhe Honda, të cilat mbështetën Kaliforninë dhe miratimin e standarteve më të forta se ato të administratës Trump kundër çlirimit të gazeve serrë. Rreth 10 shtete të tjera ndoqën shembullin e Kalifornisë.

Në shtator të vitit 2019, Presidenti Trump njoftoi se administrata e tij do të kërkonte t’ia hiqte Kalifornisë autoritetin e dhënë nga Kongresi për të vendosur standarde më të rrepta se ato të lëshuara nga rregullatorët federalë.

Masa erdhi pasi Ford, BMW, Honda, Volkswagen dhe më vonë Volvo nënshkruan një marrëveshje me Kaliforninë, që për muaj me radhë ishte në kundërshtim me qëndrimin e administratës Trump.

Shumë prodhues të automjeteve kanë thënë në të kaluarën se ata mbështesin rritjen e standardeve, por jo në nivelin që kërkonte administrata Obama në vitin 2016.

Sipas kërkesave të atëhershme të administratës Obama, flota e automjeteve të reja do të duhet të djegë mesatarisht 12.7km për litër karburanti deri në vitin 2021, duke u rritur atë në 15.3km për litër karburanti deri në vitin 2025. Kjo parashikon gjithashtu vazhdimin e rritjes së efektshmërisë rreth 5 për qind çdo vit pasues. Plani i administratës Trump rrit efektshmërinë ekonomike të karburantit për makinat me 1.5% në vit, duke mbështetur një propozim të mëparshëm për të ngrirë standardet për vitin 2021.

Prodhuesit e automjeteve thonë se për shkak se blerësit po përdorin makina më të mëdha, shumë kompani nuk do të jenë në gjendje të përmbushin standardet më të rrepta.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>