Inteligjenca artificiale dhe manipulimi i zërave, mes kërcënimeve për dezinformata gjatë zgjedhjeve

IA

Inteligjenca artificiale dhe manipulimi i zërave, mes kërcënimeve për dezinformata gjatë zgjedhjeve

Manipulimi i audios, përmes të ashtuquajturave “deepfakes”, po përdoret për të ndikuar tek qëndrimet e votuesve në zgjedhjet e nëntorit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Matt Dibble, inteligjenca artificiale mund të ndihmojë në zbulimin e zërit sintetik që përdoret për dubluar citimet e politikanëve dhe figurave të njohura. 

Të gjithë ata që kanë qasje në internet i kanë mundësitë për të krijuar mesazhe zanore sintetike, të njohura si “deepfakes”. Ndërsa më shumë se 50 vende mbajnë zgjedhje këtë vit, po shtohen përpjekjet për t’i zbuluar dezinformatat përpara se të shkaktojnë dëm.

Sarah Barrington, me Universitetin e Kalifornisë në Berkley, hulumton dukurinë e manipulimit të zërit.

“Le të regjistrojmë zërin tënd”, i kërkon ajo gazetarit të Zërit të Amerikës.

Brenda pak minutash, ajo ka klonuar zërin e gazetarit duke përdorur një program në internet dhe ka krijuar një variant të rremë të një deklarate të shkurtër. Ajo tregon variantin real dhe atë të manipuluar, çka është tejet e vështirë për t’u dalluar.

“Regjistrimi kalohet në kompjuter dhe shikojmë format e valëve zanore dixhitale dhe zhurmën e krijuar nga sinjali për të parë dallimet”, thotë Sarah Barrington, studiuese e shkencave mjeko-ligjore.

Disa të dhëna dallohen nga një sy i stërvitur, si pauzat që zakonisht bëjnë njerëzit kur flasin.

“Zakonisht, ka më shumë pauza në realitet sesa tek regjistrimet e manipuluara”, thotë hulumtuesja Sarah Barrington.

Ajo gjithashtu përdor inteligjencën artificiale për të analizuar zërin sintetik dhe dalluar manipulimet.

“Për inteligjencën artificiale këto dallime janë shumë të dukshme dhe mund të jenë detaje shumë të vogla që ne nuk mund t’i dëgjojmë”, thotë ajo.

Po në rastet kur manipulimi është bërë me një sistem të panjohur?

“Inteligjenca artificiale do të përpiqet thellësisht që ta kuptojë. Mund të mos tregojë saktësisht të njëjtat shenja që shfaqnin falsifikimet e mëparshme”, thotë analistja.

Zonja Barrington thotë se zbulimi i zërit të manipuluar, edhe kur është i suksesshëm, mund të bëhet shumë vonë për të ndaluar një postim mjaft të përhapur. Ajo thotë se rrjetet sociale dhe përdoruesit e tyre duhet të jenë më të angazhuar për të zvogëluar përhapjen e përmbajtjeve që mund të jenë false.

“Po shkojmë drejt një zgjidhjeje që është pjesërisht teknike, por pjesërisht ka të bëjë me ndryshimet në shoqëri dhe qëndrimin e hartuesve të politikave”, thotë ajo.

Duhet angazhim i të gjithë qytetarëve për të mbrojtur të vërtetën.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>