Panairet e makinave koncept në Los Angeles shërbejnë si vitrinë për stilin dhe teknologjinë e tyre. Por, shumica e këtyre makinave nuk ka gjasa të shiten ndonjëherë tek klientët. Ndryshe nga disa stile të veçanta në panairet e modës në Nju Jork, panairet e makinave koncept janë për të frymëzuar si pronarët e makinave ashtu edhe prodhuesit e tyre. Korespondetja e Zërit të Amerikës Genia Dulot vizitoi një panair makinash në Monterei të Kalifornisë.
Makina e parë koncept, Bucik Y-Job, u krijua në vitin 1938 nga Harley Earl, dizanjues i makinave për kompaninë General Motors. Ishte makina e parë që fenerët i kishte të ndërtuara brenda parakolpit dhe jo të vëna veças mbi të. Po ashtu pati një veçori rrënjësore, dritare elektrike. Gary Wells është pronar i makinës së tipit Buick Y-Job.
“Ishte makina e parë e dizanjuar me një qëllim të vetëm, për të treguar se çfarë do të sillte e ardhmja, për të parë këto elemete të ndryshme dhe për të tërhequr njerëzit.”
Buick Y-Job ishte makina e parë e krijuar nga dizanjuesit dhe jo vetëm nga inxhinierët. Synimi ishte bashkimi i efikasitetit me stilin. Tani, mbi 80 vjet më vonë, krijuesit e makinës elektrike sportive Lotus Evija po përpiqen për kombinimin e përsosur mes formës dhe funksionit.
Brenda 3 sekondash kjo makinë mundë arrijë shpejtësinë nga 0 në 100 kilometra në orë, me një shpejtësi maksimale prej 320 kilometra në orë. Për të patur këtë rendiment, makina është e lehtë dhe aerodinamike. Russell Carr është njeriu pas dizanjos së makinës sportive Lotus Evija.
“Për ndërtimin e kësaj makine jemi frymëzuar nga makinat e garave sportive dhe si ato menaxhojnë rrjedhjen e ajrit përmes makinës si dhe mbi sipërfaqet e jashtëme.”
Kompania Lotus thotë se do të prodhojë vetëm 130 makina të tilla. Në panair u paraqitën edhe disa motoçikleta.
Motoçikleta elektrike “Zeus Radial V8” nga kompania “Curtis Motorcycles” mund të përshkruajë 200 kilometra në qytet dhe 100 në autostradë me një karikim. Motorçikleta nuk bën zhurmë thotë Matthew Chambers që drejton kompaninë “Curtiss Motorcycles”.
“Jetojmë në një botë ku jemi të bombarduar nga informacionet ndaj eksperienca që ofrojnë motoçikletat tona është largimi nga ajo dhe ofrimi i nevojave që ka klienti”.
Automjetet konceptuale parashikojnë të ardhmen ndërsa për shumë inxhinierë nuk ka sfidë më të madhe sesa krijimi i makinës së të ardhmes.