Kompania e turizmit hapësinor “Blue Origin” e miliarderit Jeff Bezo ka njoftuar planet për të ndërtuar dhe për të përdorur një stacion hapësinor komercial, të quajtur Orbital Reef.
Stacioni pritet të fillojë të funksionojë në gjysmën e dytë të kësaj dekade.
Stacioni është menduar të jetë një vend ku kushdo mund të ketë adresën e tij në orbitë.
Kompania e turizmit hapësinor “Blue Origin” njoftoi kohët e fundit planet për të ndërtuar dhe për të drejtuar një stacion të ri hapësinor komercial, të quajtur Orbital Reef.
Blue Origin është në partneritet me kompaninë Sierra Space me bazë në Nevada. Projekti mbështetet nga një numër kompanish të industrisë hapësinore, duke përfshirë gjigantin amerikan të hapësirës ajrore Boeing dhe Redwire Space me bazë në Florida.
“Blue Origin” thotë se stacioni Orbital Reef do të operojë si një “hapësirë biznesi për qëllime të ndryshme”, duke ofruar një vend për studiuesit, prodhuesit dhe vizitorët.
“Të gjitha llojet e kompanive mund të bashkohen dhe të bëjnë kërkime ndërsa stacioni ofron gjithashtu mundësi për turistët që të vijnë dhe thjesht të përjetojnë hapësirën,” thotë Janet Kavandi, presidente e Sierra Space, në një video promovuese.
Stacioni pritet të fillojë funksionimin në gjysmën e dytë të kësaj dekade.
Në fillim të muajit shtator, “Blue Origin” çoi në hapësirë aktorin 90-vjeçar William Shatner.
Fluturimi, është ndër fillesat e industrisë së turizmit hapësinor me pasagjerë, në anijet e ndërtuara dhe të drejtuara nga disa prej njerëzve më të pasur në botë.
Themeluesi i kompanisë Virgin Galactic, Richard Branson shkoi në hapësirë me anijen e tij në korrik, duke u pasuar nga Bezos nëntë ditë më vonë në fluturimin e parë të anijes Blue Origin. Kompania SpaceX e Elon Musk bëri udhëtimin e saj të parë privat në mes të shtatorit, megjithëse pa Musk-un në bord.
voa