Richard Branson i kompanisë Virgin Galactic planifikon të udhëtojë në hapësirë nëntë ditë para miliarderit tjetër Jeff Bezos. Kompania e zotit Branson njoftoi këtë javë se fluturimi i saj i ardhshëm provë do të jetë të dielën më 11 korrik dhe se themeluesi i saj do të jetë mes gjashtë personave në bord, të gjithë punonjës të kompanisë.
Anija e hapësirës do të fluturojë nga New Mexico – e para që udhëton me ekuipazh të plotë.
Në një njoftim të postuar në mediat sociale, zoti Branson që gjithmonë ka qenë në ndjekje të aventurës dhe mbush 71 vjet brenda pak javësh, tha:
“Gjithmonë kam qenë një ëndërrimtar, mamaja më mësoi të mos dorëzohem kurrë dhe të synoj yjet. Këtë korrik, ëndrra jonë do të bëhet realitet.”
Javën e kaluar, Virgin Galactic siguroi autorizimin e Administratës Federale të Aviacionit për të filluar fluturimet me pasagjerë. Më shumë se 600 persona tashmë kanë rezervuar një udhëtim në hapësirë.
Zoti Bezos ndërkohë, planifikon të niset në hapësirë nga Teksasi Perëndimor më 20 korrik, 52 vjetori i uljes në hënë të misionit Apollo 11.
Ai do të udhëtojë në fluturimin debutues të një rakete Blue Origin me pasagjerë, i shoqëruar nga vëllai i tij, një astronaute pioniere dhe fituesi e një ankandi bamirësie prej 28 milionë dollarësh.
Deri më 30 qershor, zoti Branson nuk kishte thënë se kur do të nisej raketa në hapësirë për shkak të kufizimeve të vendosura nga kompania.
Por ai theksoi se ishte i shëndetshëm dhe i aftë për të fluturuar sapo inxhinierët e tij ta miratonin një gjë të tillë.
“Ajo që mund të them është se kur inxhinierët të më thonë se mund të shkoj në hapësirë, unë jam gati, i aftë dhe i shëndetshëm për të shkuar,” i tha ai agjencisë Associated Press të mërkurën.
Virgin Galactic e lëshon raketën e vet nga një aeroplan, duke arritur një lartësi prej afërsisht 88 kilometra.
Blue Origin e lëshon raketën e saj New Shepard nga toka, dhe kapsula e saj arrin lartësinë 106 kilometra.
Të dy ato lartësi konsiderohen si skaji i hapësirës.
Ndërkohë, kompania SpaceX e Elon Musk i lëshon kapsulat – si për ekuipazh ashtu edhe për ngarkesë – në orbitë përreth botës.
Të tre kompanitë private të hapësirës kanë në plan të dërgojnë pasagjerë me pagesë në hapësirë. SpaceX do të jetë i pari që do të ketë fluturim privat në shtator.
Ndryshe nga SpaceX, Virgin Galactic dhe Blue Origin po përpiqen të dërgojnë turistë hapësinorë në udhëtime të shkurtra vertikale – jo në orbitë përreth botës.
Fluturimet e Virgin Galactic dhe Blue Origin zgjasin rreth 10 minuta, me rreth tre minuta pa gravitet.
Por kthimet janë krejt të ndryshme: Avioni raketë i Virgin Galactic ulet në një pistë, siç bënin anijet e vjetra hapësinore të NASA-s, me dy pilotë në kabinë.
Kapsulat e automatizuara të kompanisë Blue Origin hidhen me parashutë në sipërfaqen e shkretëtirës, e ngjashme me mënyrën se si kapsulat e NASA-s Mercury, Gemini dhe Apollo uleshin në oqean.
Aeroportet e tyre hapësinore janë vetëm 320 kilometra larg njëri-tjetrit.
voa