Një laborator në Gjermani po shpreson të kursejë kohën e nevojshme për dërgimin e testeve për koronavirus në Berlin, duke përdorur dronët për të shmangur trafikun e ngarkuar të kryeqytetit. Kompania që e ka selinë në Kaliforni, Matternet, po e provon këtë ide duke transportuar me dronë nga spitali tek “Labor Berlin” që është një nga laboratorët më të mëdhenj në Evropë.
Distanca nga spitali në laborator është rreth 11 kilometra. Duke transportuar me dronë, kompania pret që nga janari të shkurtojë kohën e dërgimit të materialeve nga rreth një orë në afër dhjetë minuta.
Shpresat janë që dronët të mundësojnë transportime të rregullta në laborator nga gjashtë pika të ndryshme në Berlin, duke kursyer minuta të vlefshme për testimet e koronavirusit.
“Koha e marrjes së një rezultati është shumë e rëndësishme, sidomos kur dyshon për një të infektuar. Duhet të identifikohet personin dhe të merret rezultati sa më shpejt që është e mundur, në mënyrë që personi të vetë-izolohet ose të jetë në gjendje të vazhdojë përditshmërinë” thotë Klaus Tenning, drejtues i projektit në laboratorin “Labor Berlin”.
Në çdo rrugë do të shërbejnë dy dronë, të cilët ofrojnë transport 24 orë në ditë. Bateritë ndërrohen kur para se të shkarkohen, për të shmangur kohën e karikimit.
Secili dron mund të mbajë rreth 40 mostra. Nuk do të transportohen vetëm teste për COVID, por çdo mostër që duhet ekzaminuar në laborator.
“Qëllimi ynë ishte që të mos bëjmë një projekt kërkimor për të parë nëse kjo është e mundur. Ne thamë që nga fillimi se ky është një projekt pune që shfrytëzon aplikacionet ekzistuese”, tha zoti Tenning.
Sipas agjencisë për kontrollin e epidemive në Gjermani, Institutit Robert Koch, 175 laboratore gjermane kanë kapacitet për kryerjen e 307 mijë testeve për COVID-19.
Çdo javë, bëhen mbi një milion teste, disa në qendrat e krijuara të testimeve por edhe në klinika dhe spitale.
Zoti Tenning mendon se ka hapësirë për përmirësim të mënyrës së dërgimit të mostrave nga qendrat testuese në laboratore.
“Një situatë urgjente si ajo e pandemisë mund të sjellë ndryshime të shpejta dhe kreative”, tha ai.
Matternet përdor një sistem të ngjashëm të shpërndarjes me dronë në Zvicër dhe SHBA, por Berlini do të jetë vendi i parë në Bashkimin Evropian që bën dërgesa me dronë.
Kompania pret që më 30 dhjetor të hyjë më fuqi rregullorja e re e përdorimit të dronëve, përpara se të fillojnë funksionimin.
Në rast se motori i një droni pushon papritur, pajisjet kanë parashuta.
Ata gjithashtu vërejnë mjetet e tjera si helikopterë. Në raste të tilla qendra e kontrollit lidhet me operatorët e helikopterëve për të shmagnur një dronë që fluturon në zonën e njëjtë.
Por shumica e veprimeve të dronit janë autonome.
“Dronët fluturojnë në mënyrë automatike. Ata ndizen vetë, ndjekin rrugën e përcaktuar dhe aterojnë në mënyrë autonome në destinacion”, shpjegon Alex Norman, menaxher i projektit Matternet.
Faza tjetër e pandemisë së koronavirusit, pritet të fillojë kur vaksina të jetë gati.
Nuk ka plane për shfrytëzimin e dronëve për bartjen e vaksinave, por kjo ka mundësi të ndodhë në të ardhmen thotë zoti Norman.
Matternet është duke krijuar konteinerë që mund të përdoren për ruajtjen e materialeve të domosdoshme për vaksina të caktuara në temperatura të ulëta.
voa