Martin Cooper, shpikësi i telefonit celular mbi përparimet e industrisë

Martin CoperMartin Cooper, i lindur në Çikago në vitin 1928, është një inxhinier amerikan që udhëhoqi ekipin që ndërtoi telefonin e parë celular në vitet 1972-73 dhe bëri telefonatën e parë. Ai njihet gjerësisht si “babai” i telefonit celular. Ai thotë se përparimet e ardhshme në fushën e teknologjisë celulare mund të transformojnë jetët e njerëzve, ndërsa shpreh shqetësimet për rreziqet që paraqesin telefonat inteligjentë për moshat e reja dhe tek privatësia e individit.

 

Më 3 prill të vitit 1973, nga një rrugë në qytetin Manhatan, inxhinieri Martin Cooper i firmës Motorola përdori telefonin e modelit Dyna-TAC për të bërë telefonatën e famshme me rivalin e tij në “Bell Labs” në pronësi të kompanisë AT&T. Telefoni peshonte 1.1 kilogram dhe ishte rreth 23 centimetra i gjatë.

Inxhinieri do të shpenzonte një pjesë të mirë të dekadës së ardhshme për të sjellë në treg një variant komercial të telefonit celular. Telefonata nxiti përparimet në fushën e telefonave celularë. Por 50 vjet më pas, zoti Cooper thonë se atëherë nuk mund të kuptohej nëse telefonata ishte një moment historik.

“Në fillim, 50 vjet më parë, kur konceptova celularin dhe në të vërtetë ndërtuam një të tillë dhe bëmë një telefonatë, e dija që një ditë të gjithë njerëzit do të kishin një celular”, thotë 94-vjeçari Cooper.

Duke e cilësuar veten si ëndërrimtar dhe optimist, zoti Cooper thotë se shpreson që zhvillimi i teknologjisë së telefonisë celulare do të sjellë përparime që do të revolucionarizojnë fusha si arsimi dhe kujdesi shëndetësor.

“Sipas gjykimit tim, sapo kemi filluar. Industria celulare po mëson se si të bëjë gjëra të tilla si transformimi i arsimit dhe kujdesit shëndetësor, ndryshimi i konceptit të bashkëpunimit. Pra, ky është vetëm fillimi”.

Zoti Cooper thotë se telefonat do të evoluojnë në atë mënyrë sa të jenë pjesë e trupit të njeriut, ndoshta si sensorë që vrojtojnë shëndetin gjatë gjithë kohës dhe bateritë mund zëvendësohen nga energjia që prodhon trupi i njeriut.

Ai e pranon edhe anën e errët, apo efektet negative që përhapen me telefonat inteligjentë dhe median sociale, si varësia nga interneti dhe përmbajtjet e dëmshme për fëmijët. Erozioni i jetës private nga telefonat inteligjentë po ashtu përbën shqetësim për inxhinierin.

“Opinioni im më negativ është se tani nuk kemi më jetë private sepse gjithçka rreth nesh është e regjistruar diku dhe këto të dhëna mund të merren nga dikush që ka synime të tilla. Qeveritë duhet të vendosin se ku do të jetë kufiri”.

Ai thotë se duhet kufizuar përdorimi i telefonave inteligjentë nga fëmijët. Zoti Cooper thotë se e përdor telefonin për të kontrolluar emailet, bërë hulumtime në internet dhe rezervime në restorante.

“Ka shumë gjëra që nuk i kam mësuar. Ende nuk e di se çfarë është TikTok-u. Ka shumë aplikacione që nuk i kam mësuar”, thotë shkencëtari 94 vjeçar.

Telefonat mobilë u prezantuan në vitin 1946 nga kompania AT&T.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>