Ndikimi i ndërhyrjeve në sistemet elektronike të avionëve civilë në zonat e konflikteve

bllokues sinjaleshSipas studiuesve, sistemet e navigimit të mijëra avionëve të pasagjerëve po bllokohen çdo ditë gjatë fluturimeve të tyre pranë zonave të konfliktit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell nga Londra, ata paralajmërojnë se teknologjia që po përdoret për bllokimin e sinjaleve elektronike të avionëve, mund të rrezikojë jetën e pasagjerëve.

 

Avionët që fluturojnë rreth zonave të konfliktit ndeshen me rreziqe të dukshme. Kompanitë ajrore të Libanit kanë vazhduar fluturimet nga aeroporti i Bejrutit gjatë gjithë konfliktit mes Hezbollahut dhe Izraelit.

Por veç rrezikut nga luftimet në tokë, avionet rrezikohen edhe në lartësitë prej mijra metrash.

Studiuesit thonë se rajoni ka parë një rritje të madhe të luftës elektronike.

Sistemi i pozicionimit global, apo sinjalet satelitore “GPS”, po bllokohen dhe “manipulohen”, thotë Raphael Monstein nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Zyrihut në Zvicër.

“Sistemet elektronike të avionëve manipulohen përmes sinjaleve keqdashëse, që dërgohen nga grupe të forcave të ndryshme në një zonë të caktuar konflikti. Ato i japin informacion të gabuar ekuipazhit të avionëve mbi vendndodhjen e tyre, duke shkaktuar paqartësi mbi pozicionin e tyre. Këto sinjale mund të shkaktojnë paralajmërime të rreme dhe humbje të kontrollit mbi vijën e fluturimit, sepse pilotët nuk mund të jenë plotësisht të sigurt që sistemi i tyre i navigimit “GPS” po jep sinjale të rreme se ata ndodhen diku tjetër.”

Eksperti Monstein gjurmon ndërhyrjet në sistemet e navigimit “GPS” të avionëve civilë në kohë reale dhe i publikon të dhënat në internet. Ai thotë se ka patur një rritje të madhe të ndërhyrjeve që nga fillimi i vitit.

“Ndërhyrjet po ndodhin kryesisht rreth zonave të konfliktit, si ato në Lindjen e Mesme, Detin e Zi dhe rreth Rusisë. Mesatarisht, rreth 1000 avionë në ditë preken nga këto ndërhyrje, që është një numër shumë i lartë”, thotë ai.

Ekspertët thonë se qeveritë dhe grupet e armatosura ndërpresin sistemet satelitore të navigimit “GPS” për t’u mbrojtur nga sulmet me raketa dhe dronë.

Por kjo nuk ndodh vetëm në zonat e luftës. Në prill, kompania ajrore “Finnair” pezulloi fluturimet për në Tartu, në Estoninë lindore pasi ndërprerja e sinjalit të sistemit “GPS” pengoi uljen e dy avionëve.

Kompania ajrore raportoi një rritje të ndërhyrjeve në sistemin satelitor të navigimit “GPS” afër kufirit rus që nga viti 2022, kur Finlanda aplikoi për anëtarësim në NATO, e nxitur nga sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë në Ukrainë.

Në atë kohë, Estonia fqinje tha se kjo ndërhyrje ishte një taktikë e qëllimshme ruse.

“Ne të gjithë e kuptojmë se këto sulme hibride janë shumë të rënda. Duhet të jemi gati edhe për këto lloje sulmesh”, thotë Hanno Pevkur, Ministër i Mbrojtjes i Estonisë.

Rusia ka mohuar akuzat për ndërprerjen e sinjaleve të sistemit “GPS”. Por, sa e rrezikshme është kjo për avionët dhe pasagjerët e tyre?

“Ka shumë sisteme në aviacion, që janë ndërtuar për një arsye të caktuar. Dhe një prej tyre është, për shembull, sistemi i paralajmërimit të afërsisë me tokën. Nëse detyroheni ta çaktivizoni atë sepse ju jep paralajmërime të rreme, kjo nuk është një gjë e mirë sepse e ul shkallën e sigurisë. Pra ky mund të jetë një rrezik i lartë në aspektin afatgjatë, por jo i menjëhershëm”, thotë eksperti Raphael Monstein.

Bllokimi dhe manipulimi i sinjalit të sistemit “GPS” gjithashtu ndikon në navigimin në tokë.

Banorët e Moskës janë ankuar kohët e fundit për mosfunksionim të aplikacioneve të telefonave inteligjentë, si ato të porositjes së taksive dhe ato të dërgesave ushqimore. Ekspertët e kanë lidhur këtë me përpjekjet ruse për t’u mbrojtur nga sulmet ukrainase me dronë. Kremlini nuk ka bërë komente për këtë çështje.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>