Pajisje për të penguar vjedhjen nga kartat e kreditit

MastercardDisa hakerë vjedhin numrat e kartave të kreditit gjatë operacioneve online, të tjerë vjedhin direkt nga karta, kur klienti e përdor kartën në bankomat. Shërbimi Sekret Amerikan thotë se këto vjedhje përllogariten në mbi një miliard dollarë çdo vit. Një grup studentësh nga Universiteti i Floridës po punojnë për të krijuar një pajisje që mund të ndalë këtë lloj aktiviteti kriminal.

Kartat e reja të kreditit kanë një çip elektronik që e bën të vështirë vjedhjen e fondeve, por shumë prej tyre kanë edhe një shirit magnetik që bën të mundur përdorimin e tyre në makina të vjetra në dyqane që ende nuk kanë modernizuar sistemin. Në këto dyqane llogaria e përdoruesit është në rrezik:

“Kartat e kreditit futen në pajisjen përkatëse për të bërë pagesën. Në këto raste, vetëm një pajisje për leximin e kartës duhet të jetë në përdorim,” thotë profesori i Universitetit të Floridës, Patrick Traynor.

Keqbërësit lidhin pajisjen e tyre të leximit të kartës me pajisjen e dyqanit dhe kur klienti fut kartën për të paguar, lexuesi i dytë regjistron gjithë informacionin për të krijuar një kopje ekzakte.

Kjo lloj vjedhjeje është mjaft e përhapur sidomos në qytete të mëdha si Nju Jorku, ku vetëm katër hetues punojnë për të zbuluar pajisjet e paligjshme të lidhura me bankomatët.

Tani një pajisje e re mund t’ua bëjë punën më të lehtë. Studentë të Universitetit të Floridës, nën udhëheqjen e profesorit Patrick Traynor kanë shpikur “Zbuluesin e Hajdutit Dixhital”.

“Jemi të gëzuar që po krijojmë diçka që do ta luftojë këtë krim,” thotë një student.

Shpikja e re ka një kartë elektronike me përmasa dy herë më të mëdha se karta e rregullt e kreditit, e vendosur mbi një kuti me ekran elektronik. Kur përdoret tek bankomati, ajo tregon nëse është e pranishme një pajisje tjetër për leximin e të dhënave të kartës.

“Teknologjia e tyre është mbresëlënëse, po ashtu edhe imagjinata që dëshmojnë studentët me këtë pajisje për të zbuluar hajdutët dixhitalë,” thotë James Lilla, hetues i krimit financiar në Nju Jork.

Aktualisht kostoja për këtë pajisje shkon në rreth 50 dollarë, por ekipi kërkimor thotë se po përpiqen ta bëjnë më të lirë, në mënyrë që të jetë e disponueshme per çdo pjesëtar i forcave të rendit, jo vetëm nga ekipet e specializuara. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>