Panairi i teknologjisë 2016

robot panairiSot në Las Vegas hapet panairi më i madh në botë i pajisjeve elektronike për konsumatorët. Pritshmëritë janë të larta. Flitet për njoftime të tilla të rëndësishme, si makina që vetëdrejtohen, apo televizione me rezolucion tepër të lartë.

Firmat më të mëdha të prodhimit të televizorëve do të përpiqen të bindin blerësit se tashmë u ka kaluar koha televizioneve të tyre HD dhe se duhet të blejnë televizione me rezolucion 4k apo 8k. Këto numra përfaqësojnë teknologjinë e re Ultra High Definition e cila ofron rezolucion prej 4 – 8 mijë piksel horizontalë që prodhojnë një imazh shumë pranë realitetit.

Një tjetër teknologji që pritet të tregojë progres të rëndësishëm, është ajo e realitetit virtual, me syze që i zhvendosin lojëtarët në botë të ndryshme.

“Mendojmë vërtet se do të tërhiqen drejt lojërave edhe njerëz që nuk janë marrë kurrë me to”, thotë Eric Bright i “Gamestop”.

Zhvillimet teknologjike dhe testimi intensiv gjatë kësaj periudhe i makinave që vetëdrejtohen, është tregues se mund të paraqiten makina më të sofistikuara autonome. Prodhuesit e makinave po nxitojnë të paraqesin makina që marrin nën kontroll timonin gjatë momenteve të rrezikshme apo radhëve të gjata të trafikut.

“Kemi tashmë drejtimin autonom kur makina mund të lëvizë timonin, të marrë shpejtësi dhe të ndalojë në trafik. Kjo e përmirëson jetën e shoferëve dhe e bën drejtimin e makinës më të sigurtë”, thotë Paul LaPuenta i kompanisë Mercedes.

Teknologjia që mbartet në trup pritet gjithashtu të ketë zhvillime, jo vetëm në orët inteligjente, syze, por edhe unaza.

Do ketë edhe celularë të rinj me aplikacione të reja, si dhe robotë të ndryshëm, madje edhe të përmasave të vogla që mund të mbahen në xhep.

“Tashmë pakot e porositura do të sillen nga një robot tek dera juaj”, thotë Ahti Heinla i “Starship Technologies”.

Ekspertët thonë se 2016-ta do të jetë një tjetër vit interesant për novacionet e teknologjisë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>