Videot e gatimit në internet janë një mjet i domosdoshëm për ata që gatuajnë në shtëpi, por përdorimi i një pajisjeje celulare në kuzhinë mund të mos jetë i volitshëm. Një studente e Universitetit të Nju Jorkut e ka zgjidhur problemin duke e kthyer përparësen tradicionale të kuzhinës në një telekomandë për pajisjet.
Anna Oh është fillestare kur bëhet fjalë për gatimin, kështu që ajo bën atë që bëjnë shumë për të përmirësuar aftësitë e tyre të kuzhinës – shikon video në internet. Por gjërat ndonjëherë bëhen të rrëmujshme. . .
“Ishte e bezdisshme të prekja iPad-in shpesh me duart me yndyrë.”
Anës i erdhi në mendje një zgjidhje – një përparëse inteligjente që i lejon përdoruesit të navigojnë vidiot online pa prekur ekranin.
“Mund ta përdorësh këtë përparëse si një telekomandë për të kontrolluar përmbajtjen e videove gjatë gatimit”, thotë Anna Oh.
Përparësja përdor një mikrokontrollues Arduino, një kompjuter me një çip të vetëm që ka lidhje Bluetooth. Gjithçka është e lidhur, bile edhe stampat e përparëses.
“Kjo mund të duket si përparëse normale por copa e saj është me një material përçues që unë mund ta programoj”.
Përparësja mbështetet tek përdorimi i materialeve alternative për të krijuar qarqe elektrike në vend të metodave tradicionale si instalimet dhe saldimet elektrike, duke e bërë më të lehtë integrimin e tyre në copë dhe materiale.
“Çdo stampë ka një lidhje elektrike për një komandë të caktuar.”
Secila stampë është e programuar për një funksion të caktuar dhe prekja e tyre do të ndalojë ose do të luaj videon apo do ta kthejë atë mbrapsht apo para. Nëse do të ngresh volumin? Thjesht lëviz këtë zinxhir nga e majta në të djathtë.
Anna shqyrtoi mundësinë e dhënies së komandave me zë por teknologjia rezulton të jetë më pak e dobishme në kuzhinë.
‘Komandat me zë mund të duan më shumë kohë sesa thjesht të prekësh butonin”, thotë Anna.
Ana ka ndërthurur mirë dizajnin e përparëses me teknologjinë. Moduli elektronik mund të shkëputet në mënyrë që përparësja të mund të lahet në lavatriçe.
“Doja që përparësja ime të dukej thjesht si një përparëse gatimi e zakonshme”.
Rezultati – një recetë e shijshme.
voa