Prodhimi i protezave me teknologjinë 3D

proteza 3dNjerëzit të cilëve u mungon një dorë apo një krah duhet të paguajnë mijëra dollarë dhe të presin disa javë për të marrë një protezë. Por teknologjia tre dimensionale e shtypjes, ofron një alternativë me kosto më të ulët dhe një afat kohor më të shkurtër. Duart e printuara me teknologjinë 3D janë duke u ndryshuar jetën njerëzve në mbarë botën, veçanërisht fëmijëve. Një nga këta fëmijë jeton në një qytet në jug të Los Anxhelesit.​

Kjo dorë mban shumë emra si “dorë e një superheroi” apo “dorë robotike”. Faith Lennox thotë se miqtë e saj në shkollë mendojnë se dora e saj është interesante.

“Edhe ata duan një dorë robotike”.

Faith Lennox e humbi parakrahun kur ishte nëntë muajshe. Ajo tani është gati tetë vjeç.

“Kur ajo lindi, qarkullimi në krahun e saj të majtë u ndëpre duke bërë që ta humbiste këtë pjesë të gjymtyrës.”

Nëpërmjet një grupi mbështetës në internet, nëna e Faith Lennox-it, Nicole dëgjoi për një organizatë të quajtur e-NABLE që përdor tekonologjinë e printimit 3-D  për të krijuar proteza me kosto të ulët për fëmijët në mbarë botën. Ajo u takua edhe me Mark Lengsfeld-in, pronari i kompanisë “Build It Workspace,” që merret me inxhinieri dhe dizajn. Nicole e pyeti zotin Lengsfeld nëse ai mund t’i printonte vajzës së saj një dorë artificiale.

“Ne i hodhëm një shikim dhe thamë pse jo, mund ta printojmë si pjesët e tjera.  Mund të jetë protezë për dorë artificiale ose një mbajtëse, pra është thjeshtë një pjesë”.

Me ndihmën udhëzimeve të faqes së internetit e-NABLE, zoti Lengsfeld e shtypi dhe e montoi pajisjen.

“Ta provojmë këtë dhe të shohim se si mund ta ndihmojmë vajzën e vogël që ajo në fund të arrijë t’i jap biçikletës”.

Mark Suarkeo është specialist i prodhimit të protezave tradicionale.

“Teknologjia e shtypjes 3-D krahasuar me atë tradicionale mund të kursejë shumë kohë dhe krah pune”.  

Prodhimi i një proteze tradicionale si kjo mund të marrë  një deri dy muaj dhe kushton mijëra dollarë. Nga ana tjetër, prodhimi i një pajisje të tillë me teknologjinë 3-D mund të realizohet brenda disa ditëve.

Organizata e-NABLE thotë se prodhimi i protezës mund të kushtojë rreth 30 dollarë. Organizata gjithashtu dërgon pajisje të madhësive të ndryshme jashtë vendit të cilat pastaj shpërndahen nga mjekët vendas.

“Unë besoj se teknologjia e shtypjes 3D do t’u mundësojë këtyre njerëzve pajisjen me proteza dhe do t’u ndryshojë jetën atyre dhe familjeve të tyre”.

Në një intervistë me Skype për Zërin e Amerikës, John Wong nga organizata e-NABLE thotë se ka edhe përfitime psikologjike.

“Unë vetë kam lindur pa disa gishtërinj dhe në shkollë më kanë ngacmuar për këtë, prandaj unë i kuptoj vështirësitë e këtyre fëmijëve”.

Nicole Lennox thotë se ajo ka parë një ndryshim në vajzën e saj pasi ajo filloi të përdorte dorën robotike.

“Kjo i ka hapur shumë mundësi dhe i ka shtuar besimin. Është një përmirësim prekës”.

“Tani unë mund të ngasë biçikletën”.

Në qoftë se krahu i Faith-it rritet ose proteza dëmtohet, ajo thjeshtë mund të printojë një pjesë të dorës së saj robotike. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>