Një raport i posaçëm i Kombeve të Bashkuara paralajmëron se një pjesë e madhe e njerëzimit kërcënohet nga ndikimi shkatërrues i ngrohjes globale në oqeane dhe në pjesët e ngrira të tokës.
Raporti i Komisionit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike (IPCC) arrin në përfundimin se ndryshimi i klimës po përshpejton ngrohjen e oqeaneve, rritjen e nivelit të detit, shkrirjen e akullnajave dhe po shkakton probleme të tjera mjedisore.
Raporti i publikuar të mërkurën, paralajmëron më tej se nëse ngrohja globale nuk ngadalësohet, niveli i detit do të rritet gati një metër deri në fund të shekullit. Një dukuri e tillë do të rezultonte në pakësimin e popullatës së peshqve, më pak dëborë e akull si dhe uraganë më të fuqishëm.
Raporti hedh një vështrim mbi ndikimin e ndryshimeve klimatike të nxitura nga njerëzit tek akullnajat apo oqeanet.
“Ai dokumenton mënyrat se si oqeani ka vepruar si një sfungjer, duke thithur dioksid karboni dhe nxehtësi për të rregulluar temperaturën. Por kjo nuk mund të mos vazhdojë kështu”, sipas nënkryetarit i IPCC-së Ko Barrett.
“Të marra së bashku, të dhënat tregojnë se oqeanet dhe shtresat e ndryshme të atmosferës kanë thithur prej dekadash të tëra nxehtësi falë ndryshimeve klimatike. Pasojat për natyrën dhe njerëzimin janë të mëdha e të rënda“, thotë ai.
Ky është raporti i tretë kryesor i IPCC-së brenda një viti lidhur me ndikimin e ndryshimeve klimatike. Publikimi i tij vjen pas protestës javën e kaluar nga miliona vetë në mbarë botën duke kërkuar veprime urgjente ndaj ndryshimeve klimatike. Raporti pason gjithashtu takimin e nivelit të lartë mbi klimën mbajtur në selinë e Kombet e Bashkuara në New York, për të cilin kritikët thanë se kishte më shumë fjalë, sesa vepra.