Firma Samsung ka prezantuar linjën e re të telefonave që palosen dhe orëve inteligjente. Modelet e reja ofrojnë përmirësime nga ana e efikasitetit si dhe elegancës. Telefonat që palosen, të prodhuar nga gjigandi jugkorean Samsung, së bashku me brezin e ri të orëve inteligjente tashmë kanë dalë në treg.
Modelet e telefonave Zflip4 dhe Fold4 kanë një menteshë të re dhe procesor më të fuqishëm. Linja e re ka përmirësuar disa të meta si karikimi i ngadaltë, jetëgjatësia e shkurtër e baterisë dhe kamera.
“Është një linjë e mirë sa i përket dy telefonave të saj të palosshëm. Modelet e reja dalin çdo dy vite. Firma Samsung vitin e kaluar i përmirësoi ndjeshëm këto dy modele. Telefonit më të madh që paloset, iu shtua përdorimi i lapsit elektronik. Këtë vit kemi një përparim më të vogël”, thotë Dominic Preston me faqen elektronike “Tech Advisor” e cila analizon pajisjet elektronike për konsumatorët.
Modeli Fold4 paloset vertikalisht, sikurse një libër, duke u tjetërsuar në një tablet kur hapet plotësisht. Telefoni nuk ka ndryshuar ekranin e përkulshëm me një gjatësi diagonale prej 20 centimetra, por ka përmirësuar raportin e pamjes.
Ky model do të jetë telefoni i parë inteligjent që do të përdorë programin operues Android 12L, një variant i modifikuar i Android 12. Ky sistem operimi i jep përdoruesit më shumë hapësirë veprimi, si rezultat i ekranit të madh, dhe shton një shirit në fund të ekranit çka ofron një mënyrë më të shpejtë për hapjen e aplikacioneve të preferuara.
Firma Samsung thotë se kjo është një veçori e re në ndihmë të përdoruesit. Modeli në fjalë ka sjellë përmirësime të mëdha edhe për të apasionuarit e fotografisë.
Firma Samsung po përdor kamerat e suksesshme nga modeli Galaxy S22. Ka përdorur pothuajse të njëjtën strukturë. Tre kamerat kanë qartësi tejet të lartë dhe lente që kapim imazhe në distanca të largëta.
Telefoni tjetër, Zflip4, paloset horizontalisht si një guaskë. Kjo veçori u ofron përdoruesve t’i bëjnë fotografi vetes nga distanca, pasi telefoni qëndron vetë, dhe kamera mund të aktivizohet me gjeste me dorë. Modeli i ri ka një përmirësim në bateri prej afro 3 orësh më shumë jetëgjatësi para se të karikohet përsëri.
Në rrafshin e orëve inteligjente, firma Samsung ka nxjerrë dy modelet e reja Watch5 dhe Watch5 Pro. Sikurse në rastin e telefonave, edhe orët nuk kanë përmirësime të mëdha.
“Samsung-u është përqendruar tek jetëgjatësia e baterisë, materialet me të qëndrueshme, ekrani më rezistent ndaj gërvishtjes dhe sistemi më i saktë i gjurmimit”, thotë zoti Preston.
Modelet e reja të telefonave dhe orëve intelgjente nga firma Samsung tashmë kanë dalë në treg.
voa