Përmes realitetit virtual, përdoruesit përjetojnë emocione dhe ndjeshmërinë e udhëtimit në një botë të mbushur me pamje dhe tinguj të mahnitshëm. Një artist po përpiqet që të sjellë në realitetin virtual edhe sensin e shijes që ka munguar deri tani. Tina Trinh e Zërit të Amerikës sjell më shumë hollësi.
Përvoja e realitetit virtual është një ndjesi e mahnitshme për sytë dhe veshët e përdoruesve. Por tani “Aerobanquets RMX”, po përpiqet që të sjellë sensin e shijes në botën virutale. Mattia Casalegno është artist me kompaninë “Aerobanquets RMX”.
“Është një nga eksperimentet e para ku ne po përziejmë realitetin virtual dhe ushqimin.”
Në “James Beard House” në Nju Jork, Mattia Casalegno ka krijuar një darkë virtuale që mundëson mysafirët të shijojnë ushqimin në një mënyrë të re.
“Zakonisht na pëlqen kur shikojmë me syrin tonë ushqimet. Kur shkojmë në restorante e kemi një ide se çfarë shije do të kenë ushqimet. Kur zgjedh mes ushqimeve, filloj të kem një lloj pritshmërie”, thotë artisti Casalegno.
Por përmes realitetit virtual, të papriturat janë pjesë e eksperiencës. Në realitetin virtual, ushqimi përfaqësohet nga forma abstrakte 3 dimensionale që korrespondojnë me ushqimet e botës reale të përgatitura aty. Mysafirët mund të shikojnë këto forma virtuale, dhe pastaj mund t’i hanë ato. Chintan Pandya drejton kompaninë “Aerobanquets RMX”.
“Askush nuk mund t’i spjegojë askujt me fjalë këtë koncept, duhet përjetuar.”
Veprimet në botën fizike korrespondojnë me ato në botën virtuale përmes kamerave që gjurmojnë lëvizjet. Roni Mazumdar është me kompaninë “Aerobanquets RMX”.
“Jemi në gjendje të lidhim hendekun mes botës virtuale dhe asaj reale. Kur përfshin ushqimet në këtë eksperiencë të botës vituale, atëherë bota vituale duket më pak virtuale.”
“Lidhja dhe shkëputja me ushqimin përmes kësaj paraqitje dixhitale, të bën të mendosh rreth shijes, strukturës së ushqimit dhe ndjesisë në një mënyrë tjetër.”
voa