Josh dhe Michael Kingsley janë binjakë. Josh humbi dëgjimin në moshë të mitur.
Ai jeton me vëllain e tij Michael dhe familjen e tij. Josh thotë se një lloj i ri syzesh interaktive po e ndihmojnë për të komunikuar.
“Kur Josh vuri syzet për herë të parë dhe fjalët filluan të dalin në ekranin e tyre, shprehja në fytyrën e tij më la të kuptoja se kishim blerë pajisjen e duhur”, thotë vëllai i tij, Michael Kingsley.
Syzet nga kompania “XRAI Glass” i mundësojnë Josh-it që të lexojë në kohë reale bisedat që bëhen në prani të tij.
“Ishte fantastike kur i përdora syzet për herë të parë”.
Një aplikacion i ndërthurur në syze i dëgjon bisedat përreth përdoruesit dhe i konverton në tekst, që shfaqet në kohë reale në ekranin e syzeve ose në një program në telefonat inteligjentë. Kjo e ndihmon Josh-in gjatë takimeve.
“Syzet e ndihmojnë të lexojë bisedat. Kur ndodhet mes 50 apo 60 individëve, ai nuk e di se çfarë po ndodh dhe ata nuk mund t’i drejtohen atij me radhë. Por përdorimi i syzeve ose programit në telefonin inteligjent ka ndryshuar gjithçka që ai mund të bëjë”, thotë Michael Kinglsey.
Bashkëthemeluesi i kompanisë “XRAI Glass”, Paul Mealy thotë se ai u frymëzua nga puna e babait të tij, që ndihmonte njerëz me aftësi të kufizuara që të gjenin punë.
“Gjithmonë kam menduar se duhet të ekzistojë një mënyrë për shfrytëzuar teknologjinë apo kompjuterat për të ndihmuar në lehtësimin e aftësive njerëzore në të gjithë spektrin. Teknologjia mund të plotësojë aftësitë e munguara dhe të sjellë balancë”.
Zoti Mealy thotë se syzet nuk janë vetëm për individët që nuk dëgjojnë. Ai thotë se syzet mund të përdoren edhe për të përkthyer në kohë reale në disa gjuhë të huaja.
Syzet me realitet interaktiv mund të përdoren në mjedise të zhurmshme, si në restorante plot me njerëz apo për të parë një film, dëgjuar muzikë apo veprimtari të tjera.
voa