Një kompani e re në Berlin po shpreson të revolucionarizojë mënyrën e hapjes së dyerve të banesave. Sistemi Kiwi.ki, i bazuar në teknologjinë e njëjtë që përdoret në çelësat inteligjentë të makinave të reja, deri më tani është instaluar në më shumë se 1400 dyer të banesave në kryeqytetin gjerman, Berlin.
Çelësi Kiwi Ki, i shpikur nga kompania me të njëjtin emër, përdoret çdo ditë nga mijëra njerëz në Berlin për të hapur dyert banesave.
Mbi 1400 dyer banesash janë pajisur me këtë sistem në kryeqytetin gjerman dhe qindra të tjera në Hamburg.
Çelësi Kiwi.ki funksionon në bazë të një sistemi i cili përdor teknologjinë e identifikimit të radio-frekuencave, RFID.
“Kur i afroheni derës tre apo katër metra, ky çelës e hap atë automatikisht”,thotë bashkë-themeluesja e kompanisë Kiwi.ki, Claudia Nagel.
Kjo nuk është teknologji e re.
Ajo përdoret gjerësisht në çelësat e makinave, sistemet e sigurisë në ndërtesat administrative dhe shumë aplikacione tjera.
Por sipas kompanisë Kiwi.ki, sistemi i saj është i pari që do të instalohet në ndërtesat e banimit në një shkallë të gjerë.
Kompania thotë gjithashtu se Kiwi Ki është sistemi i parë i këtij lloji që përmes një aplikacioni të telefonave inteligjentë mund të hapë dyert nga distanca.
“Ideja për çelësin Kiwi ki më lindi në nëntor të vitit 2007. Nuk mund të hapja derën e pallatit pas i kisha duart të zëna me djalin në një anë dhe çantat në anën tjetër. Ishte ditë e ftohtë me shi dhe unë nuk mund të gjeja çelësin. Në atë moment unë mendova se duhet të kishte një mënyrë më të lehtë për hapjen e derës”.
Kompania Kiwi Ki është themeluar në vitin 2012 dhe aktualisht ka 30 punonjës.
Kohët e fundit ajo ka lidhur kontrata me disa kompani shërbimesh me bazë në Berlin, duke përfshirë postën dhe departamentin e zjarrfikësve.
Klientëve të tyre u jepet një çelës, i cili mund të hapë të gjitha dyert në një zonë apo rrugë.
Kompania e riciklimit Remondis po provon këtë sistem dhe ka marrë 20 çelësa për të hapur mbi 1000 dyer në Berlin.
Prova do të zgjasë disa muaj. Pastaj kompania do të vlerësojë efikasitetin e këtij sistemi dhe do të vendosë nëse do ta përdorë atë rregullisht.
“Ne duhet të hyjmë në shumë ndërtesa e shtëpi dhe për ta bërë këtë duhet të mbajmë me vete tufa çelësash. Me teknologjinë Kiwi-ki ne do të jemi në gjendje të hapim shumë dyer me një çelës të vetëm”, thotë Lutz Wedegartner i kompanisë Remondis.
Kompania Kiwi Ki thotë se sistemi mund të instalohet për 20 minuta në një derë standarde dhe kushton më pak se 400 euro.
Në rast të humbjes së çëlësit, ai mund të çaktivizohet dhe të zëvendësohet për 25 euro. Ndërkohë, banorët mund të përdorin një aplikacion të telefonave inteligjentë për të hyrë në shtëpitë e tyre.
Në të ardhmen, kompania shpreson të jetë në gjendje të pajisë dyert e brendshme të apartamenteve me këtë sistem.
Ashensorët në disa ndërtesa tashmë janë pajisur me këtë sistem.
Henryk Ploetz është analist i sigurisë së sistemeve të çelësave.
“Është shumë më i sigurt se një çelës i zakonshëm. Një çelës i zakonshëm mund të kopjohet lehtë, nganjëherë vetëm përmes një fotografie. Me këtë sistem, ju nuk mund ta bëni këtë,” thotë ai.
“Kjo vlen për të gjithë çelësat pa kontakt, por Kiwi Ki është më i sigurt se të gjithë çelësat e tjerë të këtij lloji”.
Kompania Kiwi Ki thotë se sistemi i saj pritet të instalohet edhe në qytete të tjera evropiane në muajt e ardhshëm. (voa)