Një shtëpi e pazakontë, dykatëshe, po ndërtohet në Hjuston të Teksasit. Në sheshin e ndërtimit funksionon një printer gjigant tredimensional që printon blloqe betoni për ndërtimin e saj. Megjithëse aty do të jetojë vetëm një familje, projekti po shfrytëzohet si një rast studimor për të nxjerrë mësime për ndërtimin në të ardhmen e banesave më të mëdha ku mund të jetojnë disa familje.
Në një rrugë të qytetit Hjuston të Teksasit, po ngrihet një shtëpi e re me kate. Por, kjo nuk është një shtëpi e zakonshme.
Aty ndodhet një printer tredimensional, me peshë mbi 12 tonë, i cili prodhon vazhdimisht shtresa betoni me të cilat po ndërtohet shtëpia me sipërfaqe mbi 370 metra katrorë. Makineria printon sipas skicave të projektuara nga arkitektja Leslie Lok, bashkëthemeluese e studios së projektimit HANNAH. Kjo do të jetë shtëpia e parë me kate e ngritur krejtësisht me pjesë të printuara në një printer 3D.
Zonja Lok thotë se godina me katin e dytë pothuajse të përfunduar, do të ketë një kombinim strukturash betoni dhe skelet druri. Ajo thotë se megjithëse në Shtetet e Bashkuara po bëhet më popullor ndërtimi i shtëpive nëpërmjet printerave 3D, ngritja e katit të dytë përbën një sfidë shumë më të madhe.
“Mund të gjesh godina me printim 3D në shumë shtete… Por në ngritjen e katit të dytë krahas sfidës së makinerisë ka edhe sfida të tjera; sfida strukturore dhe sfida logjistike që shfaqen kur printon katin e dytë të godinës. Shpresojmë që të mësojmë nga përvoja këtu dhe t’ia dalim mbanë”, thotë zonja Lok.
Ajo thotë se duke ia kaluar barrën e punës printerit, lehtësohen punonjësit e ndërtimit dhe mund të veprohet me ekipe më të vogla me një proces më të automatizuar. Sipas arkitektes ndërtimi i kësaj shtëpie do të kërkojë gjithsej rreth 330 orë printimi.
Projekti është në kuadrin e një bashkëpunimi dy vjeçar mes studios HANNAH dhe dy kompanive të inxhinierisë së ndërtimit. Kryeinxhieri në njërën prej tyre thotë se projekti është si një rast studimor për projektet e së ardhmes, për shkak të përmasave të godinës dhe faktit që po përdoret çimentoja si “bojë” për printerin.
“Për ndërtimin tradicional dihen rregullat e lojës, dihen cilësitë e materialeve, dhe si përshtaten ato. Këtu, çdo gjë është e re. Materiali është i ri, megjithëse betoni është në përgjithësi një material i vjetër, por printimi i tij 3D është diçka e re”, thotë kryeinxhinieri në kompaninë CIVE, Hikmat Zerbe.
Arkitektja thotë se betoni shërben si një material i qëndrueshëm për një kohë të gjatë dhe e ndihmon godinën t’u rezistojë uraganëve, furtunave të forta dhe kushteve të tjera të motit në Hjuston të Teksasit.
Godina dykatëshe pritet të përfundohet në gjysmën e dytë të vitit. Shtëpia do të ketë tre dhoma gjumi dhe në të do të jetojë një familje që nuk dëshiron t’i publikohet emri.
“Megjithëse kjo është një shtëpi për vetëm një familje, objektivi i këtij projekti është që të mendojmë se si mund të projektojmë dhe të ndërtojmë godina ku mund të banojnë disa familje. Pra, logjika e projektimit dhe sistemit strukturor të kësaj godine mund të përshkallëzohet dhe të zbatohet për godina me disa familje. Në këtë drejtim mund të përfitojmë nga printimi 3D”, thotë arkitektja.
Kompania e projektimit synon të shfrytëzojë mësimet e nxjerra nga ky projekt me synimin për t’u shërbyer më shumë njerëzve në të ardhmen nëpërmjet printimit 3D.
voa