Ish- ambasadori shqiptar në Berlin, Bashkim Zeneli, shpreh vlerësimet e tij rreth vizitës së kancelares gjermane në Tiranë dhe bën një analizë të marrëdhënieve dypalëshe
Vetëm një ditë na ndan nga vizita historike e kancelares gjermane Angela Merkel në Tiranë. Ish- ambasadori shqiptar në Gjermani, Bashkim Zeneli, është një ndër diplomatët që e njeh më mirë politikën gjermane. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Zeneli shprehet se vizita e Merkelit në vendin tonë do t’i japë një shtysë drejt BE-së, jo vetëm vendit tonë, por të gjithë Ballkanit Perëndimor. Ai përmend edhe disa nga pikat kyçe, rreth së cilave Shqipëria dhe Ballkani duhet të fokusohen, siç janë mungesa e stabilitetit, ulja e kriminalitetit, korrupsionit, lufta kundër terrorizimit apo edhe kërkesat e larta për azil. Zeneli ka drejtuar ambasadën shqiptare në Gjermani gjatë viteve 1997-2002, një periudhë intensive kontaktesh në nivele të larta mes dy vendeve. Gjatë këtyre viteve, një rol të veçantë në diplomacinë shqiptare zuri edhe çështja e Kosovës.
Zoti Zeneli, si një njohës i mirë i politikës gjermane, por edhe i raporteve të Gjermanisëme Shqipërinë, si e shihni vizitën e kancelares Angela Merkel në Tiranë?
E vlerësoj si një vizitë shumë të rëndësishme e që pa asnjë dyshim do t’i japë një shtysë të re marrëdhënieve midis dy vendeve. Por ajo që është më e rëndësishme duhet parë në një kuadër rajonal, të angazhimit të Gjermanisë në proceset integruese euroatlantike të Ballkanit Perëndimor. Zonja Merkel është kancelarja e dytë gjermane që viziton Shqipërinë, 16 vjet pas vizitës së kancelarit Shrëder. Unë mund të them se nga qeveria shqiptare shihet një synim bindës për marrëdhënie të qëndrueshme, prioritare, strategjike me Gjermaninë. Ka një rinisje të përgjegjshme e me synime konkrete për bashkëpunim në të gjitha fushat. Gjermania na ka mbështetur vazhdimisht në rrugën tonë euro-atlantike dhe ka kontribuar si rrallëkush në forcimin e shtetit ligjor, të demokracisë, zhvillimit ekonomik, teknik e financiar. Tashmë edhe me vizitën e zonjës Merkel, unë shpreh bindjen se Shqipëria do të dijë ta shohë më së miri Gjermaninë, jo vetëm si një mbështetëse të rëndësishme, serioze, partnere të pazëvendësueshme në BE, por edhe për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit, për paqen, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin midis vendeve.
Ky angazhim i Gjermanisë, a mendoni se ka të bëjë edhe me realizimin e detyrave të mbledhjes së Berlinit një vit më parë?
Sigurisht, në radhë të parë ka të bëjë me marrëdhëniet midis të dy vendeve, por pa dyshim është një mesazh i qartë edhe për Ballkanin Perëndimor. Procesi i Berlinit me takimin e 28 gushtit të vitit të kaluar, ishte iniciativë e kancelares Merkel, por si një pjesë e strategjive të BE-së drejt rajonit, për një të ardhme të stabilizuar, në siguri, në mirëkuptim, në paqe, pa konflikte, me demokraci e shtet të së drejtës. Në Gjermani, u kërkua shumë qartë pajtimi midis vendeve të rajonit. Dhe kjo flet shumë, flet se ende ka sherre, të vjetra e të reja, ka shfaqje të nacionalizmit, ka mllefe të së kaluarës që shfaqen edhe me egërsi në momente të caktuara, ka çështje të hapura që duhen zgjidhur, ka mungesë besimi ndaj njëri-tjetrit.
Dhe tashmë që ka kaluar një vit nga Procesi i Berlinit, mund të them se gjërat në rajon kanë nisur të ecin më mirë, apo së paku të gjitha vendet po e kuptojnë se nuk mund të shkohet drejt BE-së, pa mirëkuptim, pa ballafaqim me njëri-tjetrin. Gjermania ka mbështetur dhe nxitur fillimin e një faqe ndryshe të marrëdhënieve të Tiranës me Beogradin, madje e ka paralajmëruar këtë të fundit se nuk ka anëtarësim në BE pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe përparimin e tyre drejt nënshkrimit të marrëveshjeve në shërbim të qytetarëve. Në konferencën e ardhshme që do të mbahet në Vjenë më 27 gusht, vendet e Rajonit, pavarësisht problemeve, do të kenë një bilanc të këtij bashkëpunimi dhe do të mund të paraqesin edhe projekte të përbashkëta në fushën e energjetikës, të infrastrukturës apo të autostradës Nish–Prishtinë, etj.
Mendoni se Gjermania do të jetë mbështetëse e plotë edhe për këto projekte rajonale?
Sigurisht, Gjermania do të jetë mbështetëse, aq sa do të jetë edhe e hapur dhe kritike për gjërat që nuk ecin mirë, në vendet e rajonit, edhe në kuadër të përbashkët. Dhe ka probleme të shumta që krijojnë mungesë stabiliteti. Zhvillimet e paqëndrueshme politike në një vend, padyshim që bëhen pengesë për një bashkëpunim të qëndrueshëm. Aq më tepër, për investime perëndimore në rajon. Ajo që po bën, në kuadrin e BE-së, Gjermania dhe kancelarja Merkel për rajonin, do një vlerësim të veçantë, por është edhe një përgjegjësi e veçantë e secilit vend. Kancelarja Merkel mori iniciativën për Procesin e Berlinit tamam kur nga KE-ja u tha qartë e prerë se nuk do të ketë zgjerim e anëtarësim në BE, të paktën për 5 vitet e ardhshëm. Dhe atëherë kur vendet e rajonit mund të “tulateshin”, të ulnin përgjegjësinë apo të rrisnin skepticizmin ndaj anëtarësimit në BE, Gjermania zgjoi në rajon një vëmendje dhe përgjegjësi të shtuar.
Sot kjo përgjegjësi e Gjermanisë, më shumë se e çdo vendi evropian, është rritur për rajonin edhe për disa motive të tjera, siç janë Ukraina dhe orekset ruse për sfera influence e për invazion. Ky është padyshim një mesazh që BE, në tërësi, është siç po e bën Gjermania në veçanti, duhet të kthejë realisht sytë nga Ballkani Perëndimor. Vendet e rajonit dallohen për kriminalitet të lartë, për korrupsion, për ekonomi informale dhe kjo kërkon edhe reforma të mëdha e të thella në drejtësi, por edhe funksionimin e shtetit ligjor. Nga ana tjetër, këtij angazhimi të Gjermanisë i shtohet për vendet e rajonit edhe lufta kundër terrorizmit. Shqipëria ka një vullnet të qartë në këtë drejtim, por gjithsesi ky problem mbetet i mprehtë në rajon e me rreziqe potenciale, që e bëjnë të domosdoshme një vëmendje ndaj rajonit nga shtetet e BE-së. Së fundi do të thoja se edhe në kuadër të BE-së, por sidomos për Gjermaninë, është rritur vëmendja ndaj rajonit edhe për fenomenin e kërkesave të larta për azil në Gjermani, në radhë të parë. Ndaj përparimi ekonomik do t’i shërbente edhe frenimit të largimeve, sidomos nga Shqipëria, që renditet me kërkesa të larta azilkërkuesish.
Në gjykimin tuaj, cilat do të jenë disa nga çështjet më të rëndësishme që do të diskutohen midis kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama?
Nuk mund të ndalem konkretisht. Por sigurisht që edhe temat që preka më sipër do të jenë objekt diskutimi. Zonja Merkel, përveç nevojës së forcimit të marrëdhënieve dypalëshe, pa asnjë diskutim sheh edhe problemet rajonale, ato të integrimit në BE, të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, të forcimit të stabilitetit, të paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ndaj në këtë tur ajo do të vizitojë edhe Beogradin dhe Sarajevën. Sigurisht që Gjermania politike ka qenë edhe shumë kritike ndaj problemeve të sistemit tonë të drejtësisë dhe unë mendoj se kjo do të jetë një temë shumë e rëndësishme në bisedimet me Ramën. Po kështu, në mënyrë konstante qeveria gjermane na ka bërë vërejtje për një luftë më të vendosur kundër krimit të organizuar e korrupsionit, e sigurisht, mendoj se edhe kjo çështje do të jetë në vëmendjen e zonjës Merkel.
Gjermania ka qenë shumë e ndjeshme ndaj problemeve edhe ndaj toneve nacionaliste e deklaratave të tilla që krijojnë probleme për të ardhmen tonë euroatlantike, por edhe për stabilitetin në rajonin tonë, që gjithsesi, pavarësisht përparimeve, shpesh ecën si i sforcuar në aspiratën evropiane. Shikojmë ç’po ndodh në Maqedoni, por shohim edhe atë se çfarë ndodhi në Kosovë 6 muaj mbas zgjedhjeve të fundit, sherre karrikesh, duke dhënë një imazh jo të mirë në rrugën drejt BE-së. Kancelarja Merkel i bëri të qartë në Berlin kryeministrit të Kosovës, Mustafa, se pavarësisht përparimeve, ka ende shumë detyra për të përmbushur, si në politikën e brendshme, në plotësimin e standardeve, por edhe në raportet me Serbinë. Merkel theksoi domosdoshmërinë e krijimit të Gjykatës Speciale. Gjermania ka kontribuar jashtëzakonisht shumë, që me mbështetjen në fillimet e luftës në 1997-n, e sigurisht kërkon ta shohë Kosovën në Evropë me kërkesa të rrepta e detyra të përmbushura. Mendoj se edhe konferenca e ardhshme e Vjenës, më 27 gusht do të jetë një pikë e diskutimit, në kuadër të bashkëpunimit rajonal.
Duhet të “hapim” portat për më shumë investime gjermane
Në planin e bashkëpunimit ekonomik, si i gjykoni marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Shqipërisë? Çfarë mendoni se duhet përmirësuar?
Unë dua të theksoj se mbështetjes së jashtëzakonshme politike që Gjermania na ka dhënë ndër vite, nuk i jemi përgjigjur me “hapje të portave” tona për investime e sipërmarrje të ndryshme. Ndaj ne duhet të punojmë bindshëm që Gjermania ta shohë realisht, pa asnjë rezervë, Shqipërinë, si mundësi investimesh të mëdha, e të shtimit të shkëmbimeve ekonomike e tregtare. Për vitin 2014, midis Shqipërisë dhe Gjermanisë rezulton një volum shkëmbimesh prej 300 milionë euro. Kjo është fare pak dhe do të thosha është e papranueshme. Dhe në këtë shifër rreth 240 milionë euro janë importe gjermane dhe 60 milionë euro janë eksportet tona drejt Gjermanisë.
Unë mendoj se duhet parë më mirë edhe struktura e eksporteve tona drejt Gjermanisë. Si çdo biznes, por veçanërisht biznesi gjerman, i ngjan një kaprolli: sa është i bukur dhe i mirë, aq është edhe shumë i frikësuar. Pa asnjë dyshim që biznesi gjerman do të kërkonte një klimë më të shëndoshë ligjore, një luftë më të madhe ndaj korrupsionit, një profesionalizëm më të lartë të administratës, më pak burokraci, sorollatje, më shumë besueshmëri. Unë mendoj se pavarësisht kësaj, ne duhet, edhe në kuadër të vizitës së kancelares Merkel në Tiranë, të kërkojmë, mbi bazën e projekteve konkrete, nxitjen e programeve të bashkëpunimit vjetor ndërmjet dy qeverive, për bashkëpunim teknik e financiar. Është pozitive arritja e 6 marrëveshjeve të reja mes dy shteteve.
Pak ditë më parë u hap një biznes i rëndësishëm gjerman në afërsi të Tiranës. A mund të flasim për një erë të re të bashkëpunimit me firmat gjermane?
Padyshim që hapja e këtij biznesi është shumë e rëndësishme dhe do t’i shërbejë edhe nxitjen për të tjera. Boll kemi thënë: hajdeni investoni! Tani të jemi konkretë. Në këtë drejtim, për sa i përket raporteve ekonomike me Gjermaninë, ishte me interes konferenca e 18 qershorit të vitit të kaluar në Berlin, për nxitjen e investimeve gjermane në Shqipëri, me pjesëmarrjen e kryeministrit Rama. Në këtë konferencë, zëvendëskancelari dhe ministri Federal i Ekonomisë, Gabriel, duke folur për zhvillimin ekonomik të vendeve të rajonit, u përqendrua në disa drejtime, në nxitjen e eksporteve dhe në një përmirësim rrënjësor të sistemit të arsimit profesional. Në këtë të fundit duket se me shumë të drejtë, qeveria shqiptare është kapur mirë dhe rezultatet do të jenë të dukshme. Sigurisht që Shqipëria po luan një rol aktiv me përgatitjen e projekteve rajonale, që i kërkon edhe procesi i Berlinit, por në planin e bashkëpunimit dypalësh ka shumë për të bërë, dhe këtu krahas potencialeve që kemi, duhen përmbushur edhe një sërë detyrash.
Nënshkruhen 6 marrëveshje, me vlerë 118 milionë euro
Qeveria shqiptare dhe ajo gjermane, 48 orë përpara vizitës së kancelares Angela Merkel në Tiranë, nënshkruan 6 marrëveshjeve dypalëshe. Financimi i marrëveshjeve është në formën e huasë dhe granteve. Ato përqendrohen në përmirësimin e sistemit energjetik, furnizimin me ujë të pijshëm, ndërkohë që një tjetër marrëveshje prej 10 milionë euro do të përdoret si rifinancim për ndërmarrjet e vogla e të mesme në zonat urbane. Marrëveshjet morën firmat e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani dhe ambasadorit gjerman Helmut Hofman, i cili u shpreh se, “kjo është një ditë shumë e mirë për bashkëpunimin shqiptaro-gjerman dhe njëkohësisht kurorëzim i një pune dyvjeçare”. Nënshkrimin e 6 marrëveshjeve, ambasadori Hofman e vlerësoi si nisjen e një pritjeje shumë të mirë për kancelaren Merkel. Ndërsa numri një i Financave shqiptare, Shkëlqim Cani, u shpreh se, këto marrëveshje konfirmojnë marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe i hapin mundësinë nënshkrimit të të tjerave në vijim.
Marrëveshjet e nënshkruara:
1 – Për projektin e “Rifinancimit të Ndërmarrjeve të Vogla e të Mesme në zonat urbane dhe rurale në fazën e dytë”. Marrëveshja parashikon dhënien e një huaje deri në 10 milion euro.
2 – Për projektin “Energjia ujore dhe siguria e digave në kaskatën e Drinit”. Marrëveshja parashikon dhënien e një huaje deri në 20 milionë euro.
3 – Për projektin “Efiçenca energjitike – programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike”. Ajo parashikon dhënien e një huaje deri në 40 milionë euro, garantuar nga qeveria shqiptare.
4 – Për masën shoqëruese të projektit “Program në sektorin e ujit – furnizim me ujë të zonave rurale II”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 1.5 milion euro.
5 – Për “Programin III për furnizimin me ujë të zonave rurale”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 24 milionë euro.
6 – Për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Eficenca Energjitike përmes sektorit bankar. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 12 milionë euro.
Detaje mbi konferencën ekonomike gjermano-shqiptare
Konferenca Ekonomike Gjermano-Shqiptare organizohet në bashkëpunim me organizatat kryesore të ekonomisë gjermane dhe mbështetet nga qeveritë e Gjermanisë dhe Shqipërisë. Në të do të marrin pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit gjerman dhe shqiptar, si dhe të kompanive nga Gjermania dhe Shqipëria, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të informohen mbi çështjet kryesore politike, mundësitë dhe mbështetjen ekonomike si dhe të krijojnë kontakte me aktorë të rëndësishëm të politikës dhe biznesit. Konferenca do të jetë e organizuar në tre panele.
Fushat kryesore që do të diskutohen do të jenë: zgjerimi i marrëdhënieve ekonomike gjermano-shqiptare, infrastruktura dhe energjia, SME-të, arsimi dhe financimi. Në konferencë do të jenë të pranishëm rreth 300 pjesëmarrës nga Shqipëria, Gjermania dhe rajoni, të cilët interesohen për mundësi bashkëpunimi. Fjalën hapëse në konferencë do e mbajë Rolf Kastro Vaskes, Presidenti i Shoqatës Gjermanë të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri. Për të vijuar me ministrin Arben Ahmetaj dhe sekretarin gjerman të Shtetit në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjitikës. Pjesë e diskutimeve do të jenë edhe ministrat Haxhinasto dhe Gjiknuri. Ndërsa në fund do të mbajnë fjalët përshëndetëse kancelaria gjermane Angela Merkel dhe kryeministri Edi Rama.