Në Shqipëri janë shtuar pyetjet rreth firmës së regjistruar në Delaware të SHBA, Dunwell Haberman, e cila përmes falsifikimit të dokumenteve të regjistrimit kompani kishte arritur të siguronte dy kontrata me vlerë prej rreth 30 milionë eurosh nga qeveria shqiptare.
Firma kryente biznes me emrin DH Albania dhe në regjistrat kombëtarë si përfaqësues i saj figuron 26-vjeçari Avdjol Dobi.
Kur këto fakte u bënë publike, lindën dyshimet se si një firmë pothuajse anonime mundi që me kaq lehtësi dhe falsifikime, të siguronte kontrata të kësaj natyre. Për të fituar një kontratë të tillë, firma fituese duhet të depozitonte një shumë prej 10 për qind të vlerës së investimit, ndërsa zoti Dobi nuk dihet të ketë patur biznese për të bërë këtë depozitë.
Ndërkohë, ka dyshime të forta se pas kompanisë DH Albania fshihet biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj. Para një muaji, përfaqësuesi i firmës e ka transferuar adresën e tij në kullën “ABA Business Center”, në pronësi të zotit Ulaj. Zëri i Amerikës ka mësuar se zoti Dobi, ka lidhje familjare me biznesmenin Ulaj.
Zëri i Amerikës u lidh me zotin Ulaj për t’i kërkuar konfirmim për këto informacione, por përpjekjet rezultuan pa sukses. I pyetur në telefon zoti Ulaj nuk pranoi të përgjigjet, duke thënë se ishte i zënë. Po ashtu, ai nuk ka kthyer ende përgjigje për mesazhet ose e-mailet me të njëjtën kërkesë.
E njëjta përpjekje e Zërit të Amerikës për të marrë më shumë informacion dërguar disa ditë më parë në emailin e firmës Dunwell Haberman rezultoi e pasukseshme. Kompania nuk ka pranuar të kthejë përgjigje.
Bilanci i kompanisë Dunwell Haberman, i dorëzuar në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, rezulton të jetë përkthyer nga zonja Shenda Kruja, e cila nuk figuron në listën e përkthyesve zyrtarë, të miratuar nga Ministria e Drejtësisë. Ajo rezulton në rrjetet sociale si specialiste pranë kompanisë GENER 2 të zotit Ulaj. (voa)