Çështja Doshi, pyeten Meta, Rama e Tahiri

Drejtuesit e lartë shtetërorë paraqiten në prokurori. Meta: Gati të ballafaqohem dhe me Doshin e BerishënNë Shqipëri kryetari i Parlamentit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhanë shpjegimet e tyre sot përpara prokurorëve që po hetojnë mbi deklarimet e deputetit Tom Doshi, sipas të cilave ndaj tij kishte patur një plan për ta vrarë dhe se urdhëruesi kishte qenë zoti Meta. Thirrja e tyre nga prokurorët e cështjes u bë pak orë pasi dje morën dëshminë e parë nga zoti Doshi.

I pari që shkeli në prokurorinë e krimeve të rënda ishte kryetari i parlamentit Ilir Meta, personi i cili është akuzuar direkt nga deputeti Doshi se qëndron pas planit që, sipas tij, ishte thurrur për ta vrarë, atë dhe deputetin tjetër demokrat Mhill Fufi. Në përfundim të seancës së pyetjeve zoti Meta tha se u kishte shprehur gatishmërinë prokurorëve të cështjes për të qenë në dispozicion të tyre në cdo moment, qoftë dhe “në rast se prokuroria, do ta çmojë të arsyeshme, të bëj ballafaqim në prokurori me të dy akuzuesit e mi, me zotin Doshi dhe me zotin Berisha dhe me të dy sëbashku dhe me cilindo tjetër që pretendon se ka prova që mund të implikojnë Ilir Metën në këtë çështje”.

Pas tij radha ishte për ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ishte takuar me parë në zyrën e tij me zotin Meta. Ministri i Brendshëm, i cili ka qenë në dijeni të cështjes dhe ka takuar disa herë si deputetin Doshi ashtu dhe Durim Banin, personin i cili dyshohet se do të kryente vrasjet, ka qëndruar përmbi tre orë me grupin hetimor dhe u tregua telegrafik në deklarimet e tij në daljen nga prokuroria: “Kjo që bëjmë ne të gjithë është ndihma më e madhe për t’i dhënë kohën dhe mundësitë e duhura prokurorisë për të bërë hetime të plota dhe të zbardhi gjithshka lidhur me këtë ngjarje”.

I treti në radhë ishte kryeministri Edi Rama i cili tha se uronte që prokuroria të kishte vullnetin e plotë për t’i shkuar deri në fund kësaj cështjeje. “Unë besoj se e gjithë kjo shëmti e turpshme mund të kthehet në një mirësi për publikun dhe për politikën, nëse organi i akuzës bën me vullnet të plotë detyrën dhe nxjerr fajtorët që duhet të përgjigjen ligjërisht, kushdo qofshin. Kjo histori e shëmtuar nuk mund të mbarojë si një film dhe jeta politike e shqiptarëve nuk mund të vazhdojë më tutje, nga filmi në film”.

Por ndoshta më me interes per prokurorët mund të ketë qenë deputeti Mark Frroku, i cili sipas deklarimeve të djeshme të zotit Doshi në emisionin Top Story, ishte personi, i cili i kishte treguar për planin e atentatit, ndërkohë që vetë Frroku, në një bisedë telefonike me gazetarët e televizionit Top Channel, kishte deklaruar më parë se kishte dijeni për ngjarjen aq sa kanë gjithë shqiptarët pasi e kishte mësuar atë kur ishte bërë publike në media.

Përmes një njoftimi zyrtar prokuroria njoftoi dje se ishte thirrur edhe ish kryeministri Sali Berisha, “pas deklarimeve të tij në seancën e djeshme të parlamentit”. Zoti Berisha tha sot se ai nuk kishte marrë asnjë njoftim, ndërsa prokuroria saktësoi më pas se të gjithë do të thirren sipas nevojave të hetimit. Duke folur për gazetarët zoti Berisha theksoi së nuk kishte besim se prokuroria do t’i shkonte deri në fund cështjes: “Përderisa Ilir Meta paraqitet si kryetar parlamenti e vërteta është e pashpresë. Nuk ka shanse”.

Opozita këmbëngul në dorëheqjen e kryetarot të parlamentit dhe ka parlajmëruar edhe një protest të enjten e ardhshme. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>