Dështon rezoluta Shqipëri-BE, opozita kërkoi përfshirjen e Doshit dhe të Metës

Demokratët janë përplasur sërish me kryesuesen e delegacionit të Parlamentit Europian edhe në ditën e dytë të takimit ndërparlamentar për variantin përfundimtar të deklaratës së përbashkët. Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura bëjnë me dije se, deputeti Aldo Bumçi ka replikuar ashpër me Monica Macovein duke bërë që takimi i përbashkët Shqipëri-PE të mbyllet pa një deklaratë të përbashkët, që në Bruksel përkthehet si mungesë e dialogut politik në Shqipëri.

Demokratët kanë kërkuar që në draftin e përbashkët, në pikën që parashikon rekomandimet për hetimet e hapura pas akuzave të Doshit, të vendosej emri i Ilir Metës si i akuzuari i tij.

“Shumica nuk ishte dakort që të vendosej emri i Kryetarit të Kuvendit, por të vendosej emri përgjithësues i Kuvendit. Kjo është e padrejtë. Ç’lidhje kanë 140 deputetë?”, deklaroi përfaqësuesi i opozitës në takimin Shqipëri-BE, Aldo Bumçi.

Ndërsa demokratët kanë këmbëngulur që në këtë deklaratë të përfshihen edhe çështje të tjera, si largimet nga administrata apo raste të korrupsionit, eurodeputetja e djathtë në Parlamentin Europian, që kryeson delegacionin e PE-së në Tiranë, u ndal vetëm tek kërkesa e parë e PD-së, kur bëri thirrje të kihet kujdes me respektimin e parimeve të hetimit.

“Ne bëjmë thirrje për hetim të pavarur dhe të paanshëm për akuzat e ngritura. Për ne është e rëndësishme që prokurori, gjyqtari të funksionojnë në mënyrë të pavarur, megjithëse e dimë që kjo është e vështirë si fillim, megjithatë ka gjithmonë një herë të parë. Kjo duhet të jetë e ardhmja, pra që gjyqësori të bëjë hetime të pavarura dhe paanshme. Po ashtu, është e rëndësishme që t’u drejtohemi të gjitha palëve me një mesazh: hetimet janë në vijimësi, akuzat janë duke u shqyrtuar, nuk ka ende një përfundim. Është e rëndësishme ta kuptojmë këtë, sepse nesër mund të ketë akuza për palën tjetër, ndaj duhet të mësohemi të respektojmë këto parime”, tha Macovei.

Kryesuesja e delegacionit të Parlamentit Europian ka dhënë edhe një tjetër mesazh për partitë shqiptare.

“Kjo është çështje që ne donim të arrinim tek rekomandimet. Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive shqiptare që të jenë sa më të kujdesshme dhe të mos përfshijnë në listat e tyre të kandidatëve për këto zgjedhje vendore persona që kanë të shkuar kriminale”, shtoi eurodeputetja.

Zbatimi i marrëveshjes së plotë të 24 Dhjetorit për dekriminalizimin përfshihet në deklaratën e përbashkët të Macovei-t dhe Ballës, dy bashkëkryesuesit e këtij formati, deklaratë që ka bërë optimiste mazhorancën, e që për herë të parë ka artikuluar një datë për çeljen e bisedimeve, ndërsa opozita e konsideron të vonuar këtë fazë.

Taulant Balla, deputet i PS: Unë shpresoj që ecuria e mirë e procesit të reformave të marrë vlerësimin e radhës, pse jo në vjeshtë apo brenda këtij viti, me hapjen e procesit të bisedimeve për anëtarësim.

Aldo Bumçi, deputet i PD: Një vit nga marrja e statusit kandidat dhe nuk ka ende asnjë shpresë për hapjen e bisedimeve. Ky është një lajm shqetësues, një lajm i keq. Të gjithë prisnim që Shqipëria të bënte përpara. Duket që mënyra se si ka qeverisur kjo shumicë nuk e bën këtë gjë të mundur deri më sot.

/ Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>