Ndeshja Serbi-Shqipëri, Ministria e Jashtme, raport “sekret” në Kuvend

Ministria e Punëve të Jashtme dorëzoi dje në Kuvend një material të detajuar lidhur me hapat që janë marrë nga Tirana zyrtare për çështjet që pasuan incidentin e Beogradit, ditën që u zhvillua ndeshja Serbi-Shqipëri.Lajmi u pohua dje nga kryetarja e Komisionit parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë, Arta Dade. Kësisoj vetëm pak javë para zhvillimit të vizitës zyrtare të kryeministrit Rama në Beograd, çështja e marrëdhënieve të tensionuara me Serbinë shndërrohet edhe në një objekt të punës së veprimtarisë parlamentare. Në një prononcim për “Gazeta Shqiptare” burime zyrtare pranë MPJ-së pohuan se materiali voluminoz i dorëzuar pranë Kuvendit nuk mund të bëhet publik për 35t për shkak se konsiderohet si “korrenspondencë e mbyllur mes dy institucioneve”.

Ndërkohë në mbledhjen e djeshme të Komisionit për Politikën e Jashtme drejtori për Çështjet e Rajonit në MPJ, Bashkim Rama, informoi deputetët lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë. Përsa i përket incidentit të ndodhur dy ditë më parë në Fushë-Kosovë, Rama tha se “sipas informacionit që kemi nga policia e Kosovës, dy persona të panjohur kanë kaluar pranë një klubi në pronësi të një qytetari serb dhe kanë hedhur shishe me lëndë djegëse. Këta persona nuk janë evidentuar ende, por dyshohet se mund te jenë shtetas shqiptarë. Mendohet se janë reagime lidhur me ngjarjet e 14 tetorit”, – sqaroi drejtori për Çështjet e Rajonit në MPJ.

Sakaq, Rama bëri dhe një ekspoze të çështjeve politike në Kosovë, ku vuri theksin se Kosova ka nevojë për një qeveri gjithëpërfshirëse, jo qeveri me ndasi. Po dje Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi një seancë informimi me përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Marrëdhënieve Dypalëshe, në Ministrinë e Punëve të Jashtme mbi programin, përparësitë dhe veprimtaritë e Qeverisë Shqiptare, në kuadrin e SEECP, në kuadër të marrjes së Kryesisë së SEECP-it nga ana e Shqipërisë. Më pas mbledhja vijoi me një prezantim të Koordinatorit Kombëtar për Nismën dhe Bashkëpunimin e Evropës Juglindore, Gjergji Mura, mbi programin e Kryesisë së SEECP-it nga ana e Shqipërisë. Në këtë nisëm do të marrin pjesë 13 vende anëtare, ku dhe Kosova do të jetë pjesëtare me të drejta dhe detyrime të barabarta. Kjo nismë, u shpreh Mura, “ka një rëndësi të veçantë diplomatike dhe politike, duke synuar afirmimin e rolit të vendit dhe politikës sonë të jashtme në rajon dhe më gjerë”. Gjatë fjalës së tij, Mura sqaroi gjithashtu se “do të zhvillohen 40-të aktivitete, 13 prej tyre me krerë shtetesh, takime të kryetarëve të parlamenteve, tre takime të ministrave të Jashtëm. Gjithashtu dhe Kuvendi i Shqipërisë, shoqëria civile, biznesi, bota akademike, do të zhvillojnë disa aktivitete për të shtrirë këtë bashkëpunim në të gjitha fushat”, – u shpreh ai.
(ed.me/BalkanWeb)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>