Nga marrja e statusit të vendit kandidat, në ndërhyrjen e policisë në Lazarat. Nga shembjet e ndërtimeve të paligjshme, e deri tek aksioni për energjinë elektrike. Skandali në Bankën e Shqipërisë me supervjedhjen e të paktën 713 milionë lekëve, e deri tek vizita e kryeministrit Edi Rama në Beograd. Ja ngjarjet më të rëndësishme që u shënuan në vitin 2014 dhe reformat e qeverisë Rama.Statusi
Viti 2014 është shoqëruar me ngjarje të rëndësishme për shqiptarët, siç ishte marrja e statusit të vendit kandidat, një lajm dhe vendim i shumëpritur. Vendi ynë ishte refuzuar tre herë radhazi, për shkak të mos plotësimit të kritereve të vendosura nga Brukseli. Në 23 qershor, Komisioni Europian rekomandoi në mesditë dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, një vendim për të cilin komisioneri për Zgjerimin Stefan Fule udhëtoi drejt Tiranës zyrtare, për t’ua deklaruar këtë shqiptarëve dhe krerëve të politikës. E ndërsa do të shprehte qartë në Tiranë, se ky vendim ishte për njohjen e reformave, por që duhen edhe më shumë përpjekje, kjo do të ishte edhe vizita e tij e fundit në postin e komisionerit për Zgjerimin.
Lazarati
Betejat e qeverisë Rama për këtë vit do të nisnin fillimisht me ndërhyrjen në Lazarat, një aksion i cili zgjati për disa ditë, ku u angazhuan qindra forca policore, dhjetëra të arrestuar, dhe me një jehonë brenda dhe jashtë vendit. Kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur krenarinë për këtë sukses te qeverise, e cila sipas tij, ndryshoi nje realitet 20-vjeçar te paprekshmërisë se krimit ne fshatin e famshëm te Lazaratit. Edhe pse ne dy dekadat e fundit shteti ka tentuar disa here te luftoje fenomenin e lendeve narkotike ne Lazarat; ky është i pari aksion i suksesshëm ne këtë fshat. Lufta kundër prodhimit të drogës vendase e bëri Shqipërinë që të dalë nga harta e vendeve që e prodhojnë atë dhe që e luftojnë fenomenin.
INUK
Shkatërrim pa kompromis i të gjitha ndërtimeve që kanë dëmtuar territorin, trashëgiminë kulturore e sidomos bregdetin e vendit. Do të ishte kjo deklaratë e shefit të qeverisë, që do të vijonte më pas me shembjet e këtyre ndërtimeve nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik për muaj më radhë. Një nismë e kundërshtuar fort nga opozita, por që nuk kanë munguar as zërat kritikë brenda së majtës. Ndryshimi i kodit penal, ku ashpërsohen masat për ata që ndërtojnë në mënyrë të paligjshme ka krijuar jo pak pakënaqësi, deri në debate të deputetëve të majtë me kryetarin e tyre për përdorimin e fjalës burg..në çdo nismë apo reformë. Aksioni ka vazhduar në Tiranë dhe në qytete të ndryshme të vendit. Godina të tëra, lokale, ndërtime anësh rrugëve nacionale dhe kudo tjetër gjetkë janë hedhur në erë ose janë shembur.
Energjia
Aksioni për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike, do të ishte nisma tjetër në këtë fundvit, e kundërshtuar dhe brenda radhëve të mazhorancës, e ndërkohë që nuk mungoi paralajmërimi për ujin. Aksioni i nisur nga policia e Shtetit dhe Operatori i shpërndarjes së energjisë bëri që të përfundojnë në pranga shumë qytetarë për lidhje të paligjshme, apo ata që nuk paguanin prej vitesh energjinë elektrike. Problemi që dilte përpara qeverisë shqiptare ishte se gropa që krijohej mes shitjes së energjisë që shteti apo privatët prodhonin dhe pagesës që i bëhej asaj shkonte në rreth 150 milionë euro në vit. Një numër prej 49 personash u arrestuan vetëm në ditën e parë të aksionit kombëtar kundër vjedhjes së energjisë elektrike. E ndërsa cdo aksion shoqërohen nga një ministër i qeverisë, Kryeministri Rama do të artikulonte sërish fjalën burg…. e me kalimin e kohës, të gjithë kujtojnë frazën e famshme të Ramës, “Dale, dale se nuk keni parë asgjë akoma!”,
Skandali në Bankën e Shqipërisë
Në këtë vit, në ditët e nxehta të fundkorrikut do të shënohej edhe Skandali në Bankën e Shqipërisë, me supervjedhjen e të paktën 713 milion lekëve nga thesari i saj. Ndoshta nuk kishte për të dalë në shesh ky skandal, por vjedhja e bankës u denoncua nga vetë Ardian Bitraj. Kjo, duke qenë se për katër vjet me radhë, askush nuk kishte arritur të konstatonte mungesën e parave që vidheshin nga Bitraj. Vetë Banka e Shqipërisë pretendon se ka qenë ajo që ka konstatuar vjedhjen dhe më pas bëri denoncimin. Ky skandal pati impakt në opinionin publik. Shoqëria civile kërkoi dorëheqjen e ish guvernatorit Ardian Fullani, nisi mbledhjen e firmave për ti kërkuar kuvendit shkarkimin e tij. 44 ditë pas bërjes publik të lajmit për supervjedhjen në Bankën e Shqipërisë, më 5 shtator është arrestuar edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, si dhe Inspektorja e Përgjithshme e këtij institucioni, Elivar Golemi. Me arrestimin e Ardian Fullanit dhe Elivar Golemit, shkoi ne 19 numri i personave të ndaluar për vjedhjen e 713 milion lekëve nga Banka e Shqipërisë. Dy muaj pas arrestimit spektakolar, Gjykata e Lartë vendos detyrim paraqitje për Fullanin, megjithëse prokuroria e akuzon për shpërdorim detyre, pasi veprimet dhe mosveprimet e tij sollën grabitjen nga Thesari i Shtetit. Ceshtja është në duart e prokurorëve të cilët po përpiqen të zbardhin skemën e mashtrimit në rreth 4 vite, si dhe personat përgjegjës. I Gjithë ky skandal u shoqërua me debate të ashpra, ndërkohë gara për guvernator. Në seancën e fundit plenare u miratuan dy tre kandidatura për Këshillin Mbikëqyrës, ndërkohë ende nuk është zgjedhur guvernatori i Bankës së Shqipërisë.
Rama në Beograd
U deshën plot 68 vjet që një kryeministër shqiptar të zhvillonte një vizitë zyrtare në Serbi. Por kjo vizitë u parapri nga “kronika” e një ndeshjeje të ndërprerë Serbi-Shqipëri, një ndeshje që krijoi tension mes palëve, në një kohë që pritej të thyheshin akujt. Droni, i cili u lëshua në stadiumin e Beogradit, dhe ngjarjet që rrodhën më pas, do të pasoheshin nga qëndrimet e dy palëve. E përsos kësaj, vizita e Ramës dhe pritja nga pala serbe u negociua nga europianët. Dhe në 10 nëntor, Serbia do të shtronte tapetin e kuq për kryeministrin Edi Rama, nën një klimë të tensionuar dhe me masa të rrepta sigurie – të parin kryeministër shqiptar që vizitoi Beogradin pas shtatë dekadash. Pas takimeve dypalëshe, pika kulmore e kësaj vizite do të ishte konferenca për shtyp në pallatin Serbia, i njohur si vendtakimi i përfaqësuesve më të lartë të gjashtë republikave dhe dy krahinave autonome të ish-Jugosllavisë, nga ku Rama do të kërkonte njohjen e një realiteti tashmë të ri për Kosovën.
Nga Lugina e Preshevës, e cila ishte dhe ndalesa e kryeministrit Rama në ditën e ditë të vizitës historike në Serbi, Rama dha mesazhe të forta për komunitetin shqiptar atje, duke i ofruar mbështetjen e qeverisë shqiptar përballë të drejtave të munguara nga pala serbe. Duket se akujt u thyen, teksa për herë të dytë brenda një muaji, kryeministri shqiptar do të vizitonte Beogradin më 16 dhjetor, për të marrë pjesë në ne Samitin Ekonomik Kine-Ballkan. Këtë herë vizita e Ramës nuk kishte në vëmendje çështjet politike, por ato ekonomike, që kanë të bëjnë me gjigandin e investimeve aziatike ne rajonin e Ballkanit.
(m.k/BalkanWeb)