Ministrat e Energjisë të vendeve ku kalon korridori jugor i gazit u mblodhën në baku të Azerbajxhanit për të bashkërenduar punën për të shpejtuar realizimin e projektit. Në takimin e nivelit të lartë ishte i pranishëm zëvendëspresidenti i Komisionit Europian Frans Timermans dhe presidenti i Azerbajxhanit Ibrahim Alijev. Korridor jugor është një nga projektet më komplekse të gazit të zhvilluara ndonjëherë në botë, i cili synon të sjellë gazin e Kaspikut në tregjet europiane. Me një gjatësi prej 3500 kilometër dhe vlerë rreth 45 miliardë dollarë, ai përfshin fushën e Shah Deniz 2 dhe tre gazsjellës, atë të kaukazit jugor, gazsjellësin transanatolian dhe atë transadriatik që kalon përmes Shqipërisë.
Ministri shqiptar i Energjisë Damian Gjiknuri deklaroi se Qeveria e Shqipërisë e ka mbështetur fuqimisht realizimin e gazsjellësit TAP. Ai i ka njohur të pranishmit me masat që Shqipëria ka ndërmarrë për përshpejtimin e projektit, si ajo e vënies në dispozicion të tokave shtetërore ku kalon tubacioni, çka bën të mundur nisjen e punimeve në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit.
Zoti Gjinkuri ka kërkuar përfshirjen e kompanive vendase në projekt duke deklaruar se Qeveria e sheh gazsjellësin transadriatik si një mundësi për diversifikimin e burimeve dhe sigurinë energjetike në vend.
Në deklaratën e konkluzioneve të përbashkëta, Ministrat theksuan edhe njëherë mbështetjen e plotë për ndërtimin e Korridorit Jugor të gazit si një objektiv i rëndësishëm për sigurinë energjetike të europës. Ata nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit strategjik për zgjerimin e aktivitetit dhe zbatimin sa më të shpejtë të projektit, duke rënë dakord gjithashtu të angazhohen për të përfshirë në projekt edhe institucionet financiare europiane. / Top Channel