Rruga e Arbrit, koncesion te kinezët. Qeveria çon në Kuvend draft-kontratën

Rruga e Arbrit do të financohet dhe ndërtohet nga “China State Company”, përmes një procedure të veçantë jashtë ligjit të koncesioneve dhe atij të partneritetit publik-privat. Qeveria ka dërguar në Kuvend një projektligj të posaçëm, i cili akordon kontratën për ndërtimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e rrugës drejtpërdrejt te kompania kineze, pa konkurrim.

Në relacionin e draftit, Qeveria thotë se përjashtimi nga ligji bëhet për fillimin sa më shpejt të veprës, duke mundësuar shkurtimin e kohës së udhëtimit dhe kursimin e kostove për mjetet.

Por, cila është procedura e propozuar në projekligj? Sipas saj, i gjithë procesi i negocimit për lidhjen e kontratës do të ndiqet nga një komision i posaçëm, i kryesuar nga Ministria e Transporteve, por me anëtarë edhe nga Ministria e Financave, ajo e Zhvillimit Ekonomik, e Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit.

Komisioni do të ketë për detyrë të shqyrtojë propozimin, që kompania kineze ka paraqitur në Ministrinë e Transporteve. Në këtë propozim janë përcaktuar kushtet financiare, afati dhe gjithë detajet e tjera të draft-kontratës, që kërkon kompania kineze.

Nëse komisioni do t’i vlerësojë këto kushte si të përshtatshme, pasi të ketë përfunduar me shqyrtimin do të përgatisë një projektkontratë, e cila u dërgohet për firmosje tre ministrave: atij të Transporteve, ministrit të Financave dhe atij të Zhvillimit Ekonomik.

Të tre ministrat kanë të drejtë të kërkojnë nga komisioni rinegocim të kontratës, nëse kanë rezerva për termat e saj. Nëse jo, pas firmosjes së tyre, ajo do të dërgohet për miratim në Kuvend.

Ndërtimi i Rrugës së Arbrit është një angazhim elektoral i Qeverisë. Për shkak të madhësisë së investimit, përzgjedhja e një procedure të veçantë për dhënien e veprës pa konkurrim, edhe pse e parashikuar në ligj, mund të ndezë debate. Megjithatë, ajo që mbetet për t’u parë është se cilët do të jenë kushtet financiare të propozuara nga “China State Company” dhe çfarë do të pranojë prej tyre Qeveria.

Ndonëse propozimi i kompanisë kineze ka mbërritur në Ministrinë e Transporteve, kjo e fundit ende nuk e ka bërë publike. Deri tani, ajo që dihet me siguri është se 26.8 kilometrat e patenderuar të rrugës do të ndërtohen nga kompania kineze dhe, me gjasa, aksi do të jetë me pagesë nga qytetarët; drejtpërdrejt ose përmes buxhetit, apo një kombinim i të dyjave; kjo mbetet për t’u parë kur kontrata të bëhet publike. / Top Channel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>