Gjatë të gjithë paradites të kësaj të Hëne, ambasadorja e BE në Tiranë Christiane Hohmann, bashkë me stafin e saj, ka qëndruar në ambientet e stadiumit Arena Kombëtare, ku do të mbahet samiti i BE-së me Ballkanin Perëndimor.
E pyetur për pritshmëritë e këtij samiti nga gazetari Top Channel Muhamed Veliu, ambasadorja e BE në Tiranë Christiane Hohmann deklaroi:
“Mendoj se së pari është një mesazh shumë i rëndësishëm që Shtetet Anëtare të BE-së i japin vendeve të Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithëve që vijnë këtu. Për herë të parë ky samit zhvillohet jashtë Bashkimit Evropian. Është një vlerësim i rolit të Ballkanit Perëndimor edhe për Bashkimin Evropian, për stabilitetin tonë, dhe veçanërisht duke pasur parasysh situatën gjeopolitike në të cilën ndodhemi, është e rëndësishme të ritheksojmë se jemi së bashku ndaj sulmit të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës. Ky është një mesazh shumë shumë i fortë që do të marrim nga ky samit”, tha ambasadorja Christiane Hohmann.
Gazetari Top Channel Muhamed Veliu raporton se shtatë janë çështjet më thelbësore që do të diskutohen në samit, ku sikurse në samitet e shkuara të BE-s, kryefjalë mbetet konflikti në Ukrainë.
Udhëheqësit e BE-s në Tiranë do të diskutojnë edhe për pasojat negative të krizës energjetike në Ballkanin Perëndimor, sulmet kibernetike përfshi shqetësimin për shtimin e emigracionit të paligjshëm drejt vende të BE.
ÇËSHTJET PËR DISKUTIM NË SAMIT
- Pasojat e agresionit rus në Ukrainë
- Intensifikimi politik dhe politikat e zgjerimit
- Shtimi ndërtimit të sigurisë nga influencat e huaja
- Sfidat e emigracionit, lufta ndaj terrorizmit dhe krimit të organizuar
- Shtimi bashkëpunimit në mbrojtjen ndaj sulmeve kibernetike
- Efektet negative të krizës energjetike në Ballkanin Perëndimor
- Heqja e Roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në përfundim të samitit pritet të dilet me një deklaratë, e cila do të njihet si “Deklarata e Tiranës”.
Top Channel