Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, thanë të enjten në Beograd se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të zgjidhen në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, por kjo nuk duhet të jetë pengesë për përfshirjen e Kosovës në nismën Ballkani i Hapur.
Ata i bënë këto komente në përfundim të takimit të nismës për Ballkanin e Hapur që është hedhur nga Shqipëria, Serbia e Maqedonia, duke bërë thirrje që asaj t’i bashkohen Kosova, Bosnja dhe Mali i Zi.
Në takimin ku mori pjesë zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, është rënë dakord që të përshpejtohet zbatimi i marrëveshjeve të arritura në kuadër të kësaj nisme.
Presidenti serb, tha se do të formohet një këshill i zbatimit të marrëveshjeve, ndërsa paralajmëroi se takimi i radhës do të mbahet në Tiranë pas krishtlindjeve, ku pritet nënshkrimi i marrëveshjes për lejet e punës në të tri vendet anëtare të nismës.
Kryeministri shqiptar Edi Rama, presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, hodhën në tetor të vitit 2019 nismën me emrin “mini-shëngeni” Ballkanik, ndërsa në korrik të këtij viti i ndryshuan emrin në “Ballkani i Hapur”, një nismë për siç është thënë, vendosjen e lëvizjes së lirë për njerëzit, mallrat e shërbimet ndërmjet vendeve të rajonit.
As ndryshimi i emrit, nuk e ndryshoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës e cila nuk pajtohet me nismat që mund të duken si zëvendësim i proceseve integruese evropiane.
Presidenti serb tha se nisma është e hapur për të gjithë dhe dyert janë të hapura për Prishtinën, Podgoricën dhe Sarajevën.
“Marrëdhëniet tona me Prishtinën do t’i zgjidhim me dialog, pasi kemi qëndrime të ndryshme, por Ballkani i Hapur është diçka tjetër. Kushdo që është i interesuar është i mirëpritur”, tha ai.
“Çështja e mosdakordësisë ka dialogun e vet, ka rrugën e vet. Ama një gjë duhet ta dini, nëse të gjashtë vendet marrin pjesë, atëherë edhe për Kosovën edhe për Bosnjën do të jetë shumë më e mirë atmosfera për të trajtuar edhe çështjet tjera”, tha kryeministri Rama.
“As Shqipëria, as Serbia, as Maqedonia e Veriut që kanë vendosur të ecin më shpejtë, nuk do presin që të binden të gjithë të tjerët. Arsyet pse të tjerët janë skeptikë, ose refuzues ndaj Ballkanit të Hapur, i kam dëgjuar. I kam dëgjuar edhe arsyet e Malit të Zi, i kam dëgjuar edhe arsyet e Bosnjës, i kam dëgjuar me shumë vëmendje edhe arsyet e Kosovës dhe më vjen shumë keq, por i konsideroj arsye të mosarsyes”, tha kryeministri Rama.
Nisma ndërkaq është mbështetur nga diplomatët perëndimorë. Ditë më parë gjatë një dëgjimi në Kongres, zv/ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Escobar, tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin të gjitha nismat që afrojnë vendet ekonomikisht.
“Udhëheqësit e tre vendeve (Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut) që e kanë hedhur nismën për Ballkanin e Hapur, na kanë siguruar se është e hapur për të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ne u besojmë. Në fakt nuk mund të ketë sukses pa tre vendet tjera”, tha ai.
Ai shtoi se kjo nismë është e ngjashme më atë që nën procesin e Berlinit njihet si tregu i përbashkët rajonal, dhe një treg i tillë do të ishte shumë tërheqës për kompanitë amerikane.
Të tri vendet anëtare të nismës sikurse edhe tri të tjerat që e kanë refuzuar atë deri tani, aspirojnë integrimet evropiane por ndodhen në faza të ndryshme të procesit.
Mali i Zi dhe Serbia tashmë kanë hapur negociatat për anëtarësim, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në pritje të hapjes së tyre, por aktualisht janë peng i mospajtimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Kosova është e fundit në proceset integruese dhe i vetmi vend i rajonit, qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë pa viza në zonën Shëngen.
voa