Komisioneri i BE, për Politikat e Zgjerimit dhe të Fqinjësisë, Johnnes Hahn shpalli në Tiranë të martën ( 17.07) fillimin zyrtar të procesit të vlerësimit analitik të Shqipërisë për negociatat me BE-në vitin e ardhshëm.
Ligji dhe shteti i së drejtës: Këtu do të qëndrojë së pari lupa e Komisionit Europian në procesin analitik për të parë konkretisht progresin e Shqipërisë në afrimin e saj me BE-në dhe nëse është gati të hapë negociatat e pranimit në mes të vitit të ardhshëm. Komisioneri i Zgjeirmit Johannes Hahn, tha se në krye të procesit do të qëndrojë identifikimi i legjislacionit të Shqipërisë krahasuar me atë të BE, si hap i domosdoshëm për të paraprirë hapjen e negociatave. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryemnistrin shqiptar Edi Rama, Komisioneri Hahn theksoi: “Procesi që kemi nisur sot është lajm i mirë për Shqipërinë. Ajo çfarë po bëjmë tashmë është të shohim situatën e përgjithshme të shtetit të së drejtës në Shqipëri, që të mund ta krahasojmë më pas me legjislacionin e BE. Do të na duhet të bëjmë një vlerësim se ku qëndron vendi, çfarë duhet bërë ende, cilat janë standarde për nisjen e negociatave: Procesi i vettingut p.sh është një element thelbësor, me rëndësi, në kuadër të tërë fushës së shtetit të së drejtës, por është vetëm një pjesë e mozaikut”.
Hahn: Filloni punën sa më parë, mos humbni as një ditë
Që mozaiku të jetë i tillë që të tregojë se Shqipëria ka bërë aq progres sa të meritojë hapjen e negociatave në qershor 2019, ai duhet “plotësuar” me rezultate të qëndrueshme dhe domethënëse. Shqipëria duhet të plotësojë kushtet e vendeve skeptike për progresin e saj si Franca dhe Holanda që kërkojnë më shumë rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Komisioneri Hahn bëri të qartë në Tiranë se procesi i vlerësimit analitik: “duhet bërë me çdo vend që kërkon të hapë negociatat e pranimit me BE dhe do të bëhet në të ardhmen me vendet e tjera kandidate. Nuk është një qasje e posaçme”. Ai bëri të qartë rëndësinë e rezultateve të procesit analitik kur tha se: “Sa më e mirë të jetë cilësia e procesit të vlerësimit analitik nga të gjitha institucionet e përfshira, sa më shumë të paraprihet, aq më mirë do të jetë për nisjen e negociatave për secilin kapitull më vehte. Rezultatet e këtij procesi do të përcaktojnë mandatin e negociatave. Është mjaft ambicioze e sfiduese që kjo të bëhet brenda një viti. Mos humbi asnjë ditë. Nisni punën sa më shpejt të jetë e mundur, jepni rezultate në mënyrë që të tejkaloni çdo dyshim të mbetur se Shqipëria e meriton”, tha komisioneri Hahn në Tiranë.
Reforma në Drejtësi dhe vetting-u një model për t’u ndjekur
Vazhdimi i Reformës në Drejtësi dhe i Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve mbetet një nga kushtet kryesore të hapjes së negociatave në qershor 2019. “Mirëpresim rezultatet e reformës në drejtësi dhe vettingut se ato mund të shërbejnë si model, shembull i mirë edhe për vende të tjera, madje edhe brenda BE-së. Kjo ka të bëjë edhe me arritjen e rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet e gjithashtu kundër krimit të organizuar, përfshi edhe luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave”, theksoi komisioneri Hahn, të martën në Tiranë.
Ai theksoi që nuk ka kushte shtesë për Shqipërinë. Javën e kaluar Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk, në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, në Bruksel, përmendi si kushte për Shqipërinë edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë dhe mbylljen e rrugës së re të emigracionit illegal nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së.
Hahn bëri të qartë se synimi kryesor është që deri në fund të vitit 2019 të hapen kapituj 23-24 të negociatave, kapituj që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjit. (dw)