Berisha kërkon thirrjen e forumeve, Basha i tregon kufirin

Në Shqipëri tonet e përplasjes mes kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe pararendësit të tij, ish kryeministrit Sali Berisha po vijnë duke u rritur. Ndërsa ky i fundit ka nisur një lëvizje në bazën demokrate duke kërkuar thirrjen e forumeve më të lartë të partisë për t’u shprehur për vendimin që e la atë jashtë grupit parlamentar, kryetari Basha i tregoi atij të mërkurën kufirin kur u shpreh se “sa u përket pretendimeve për referendume dhe kuvende, kuvend të Partisë Demokratike për të marrë nën shqyrtim vendimet e qeverisë amerikane nuk ka për të patur”, deklaroi prerë zoti Basha.

Kryetari demokrat ju kundërpërgjigj dhe akuzave të zotit Berisha për pazare me kryeministrin Edi Rama, apo pengmarrje prej tij. “Për 8 vite me radhë Edi Rama më ka akuzuar për kukull të Sali Berishës. Dje, Sali Berisha më ka akuzuar për peng të Edi Ramës. E para është gënjeshtër, e dyta nuk do të ndodhë kurrë. Të dyja janë dy anë të të njëjtës medalje”, nënvizoi zoti Basha.

Ish kryeministri reagoi në Facebook, duke u kundërpërgjigjur se askush nuk mund të pengojë mbledhjen e forumeve të PD-së si dhe duke përsëritur sërish dhe disa herë me radhë akuzat për lidhjet sipas tij të kryetarit demokrat me kreun e qeverisë. “Kuvendi i PD do mblidhet në përputhje me statutin e PD dhe askush që tmerrohet prej tij nuk mund ta pengojë. Ai nuk do të mblidhet për të shqyrtuar vendimet e asnjë qeverie por vetëm vendimet e pengut të Edi Rames. Kuvendi do mblidhet gjithashtu për të shpëtuar PD nga pazaret e peng Bashës me Edi Ramën dhe për t’u rikthyer dinjitetin dhe shpresën demokratëve pas 4 humbjesh radhazi përballë rregjimit më të korruptuar dhe inkriminuar të Europës. PD nuk i duhet një lider i kapur peng, që bën pazar me Ramën dhe shpall non grata bazën e partisë i tmerruar prej saj”, deklaroi zoti Berisha, i cili deri më tani ka realizuar dy takime më bazën demokrate. një në Tiranë dhe një në Fier një ditë më parë, ku ai reagoi dhe ndaj komenteve të ambasadores amerikane Yuri Kim gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, duke provokuar dhe reagimin e saj të menjëhershëm.

 

Kim i kundërpërgjigjet Berishës: Ne e marrim seriozisht korrupsionin

Ambasadorja amerikane në Shqipëri Yuri Kim ju kundërpërgjigj të martën disa deklaratave të ish kryeministrit Sali Berisha, i cili përsëriti se vendimi i Departamentit amerikan të Shtetit që i ndalon atij dhe familjes së tij hyrjen në Shtetet e Bashkuara është i bazuar mbi shpifje. “Qartazi, ne jemi seriozë sa i përket korrupsionit”, shkruan ambasadorja Kim në një postim në Twitter, duke theksuar se kjo përfshin dhe rastet e parashikuara nga ligji i posaçëm mbi bazë të të cilit Sekretari i Shtetit Antony Blinken mori në maj vendimin që e futi zotin Berisha në kategorinë e “zyrtarëve të korruptuar që kishin minuar demokracinë”.

Reagimi i zonjës Kim erdhi nga Uashingtoni ku ajo bëri të ditur se ndodhet “për të koordinuar hapat e ardhshëm në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri”. Pak ditë më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës, ambasadorja Kim, duke folur për “rastin Berisha” ishte shprehur se “në momentin kur dikush përcaktohet nga Sekretari i Shtetit për korrupsion domethënës, zakonisht është shumë e dukshme. Dhe mendoj se ata që thonë se janë të habitur, me gjasë nuk po tregohen fort të sinqertë”.

Pikërisht këtij shpjegimi të saj, i ishte referuar zoti Berisha nga Fieri, në një takim me një grup demokratësh, kur ju drejtua ambasadores se “ke thënë edhe diçka tjetër. I ke thënë Lulzim Bashës se Berisha e di që ne kemi dosje, por ai nuk i beson ato dosje”, u shpreh zoti Berisha duke përsëritur se “ato janë të tëra shpifje dhe vetëm shpifje”.

Takimi në Fier, ishte ndalesa e dytë i një aksioni në bazën demokrate që zoti Berisha ka ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj vendimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për ta lënë atë jashtë grupit parlamentar. Gjuha dhe akuzat e zotit Berisha kanë ardhur duke u ashpërsuar, ndërsa qartazi ai po kërkon largimin e zotit Basha nga drejtimi i Partisë.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>