Debatet për Reformën në Drejtësi

Pas qëndrimeve të mbrëmshme të opozitës, kryetari I parlamentit Ilir Meta kërkon që të ketë “një interpretim sa më objektiv të rekomandimeve të Venecias”. Ambasadorët Lu dhe Vlahutin takojnë kryetarin e Komisionit të posacëm parlamentar për Reformën

ilir metaNë Shqipëri kryetari i parlamentit Ilir Meta u përpoq sot të jepte sinjale çtensionimi, pas situatës së krijuar mbrëmë në Komisionin e posacëm për reformën në Drejtësi, ku përfaqësuesit e opozitës kundërshtuan hapur të paktën 10 aspekte të projekt ndryshimeve kushtetuese. Zoti Meta bëri thirrje për një interpretim objektiv të Opinionit të Komisionit të Venecias, duke përsëritur dhe një herë se për cështje të caktuara për të cilat mund të ketë lexime të ndryshme, mund të kërkohet ndihma e misionit europian Euralius apo atij amerikan Opdat

Mbledhja e mbrëmshme e Komisionit të Reformës në Drejtësi, e para pas Opinionit përfundimtar të Venecias, ngriti pikëpyetje të shumta mbi të ardhmen e procesit. Ndonëse të gjitha palët janë shprehur publikisht se Opinioni i Venecias përbën një bazë solide, në takim dolën në pah ndarje të thella, jo vetëm për procedurën që duhej ndjekur drejt miratimit të ndryshimeve kushtetuese mbi bazën e rekomandimeve të Venecias, por edhe për cështje të përmbajtjes.

Kryetari i parlamentit Ilir Meta, u përpoq sot të c’dramatizojë situatën, duke theksuar se bëhet fjalë vetëm për një takim të parë. “Të gjithë e kanë pranuar dhe vlerësojnë raportin, rekomandimet dhe opinionit e Komisionit të Venecias si bazën e referimit dhe të certifikimit të standardeve më të mira evropiane. Tani duhet më shumë vullnet për të qenë më racional dhe për të bërë një interpretim objektiv të atyre opinioneve që ka dhënë Komisioni i Venecias për të gjitha pyetjet, çështjet dhe opinionet që i janë drejtuar”, u shpreh zoti Meta.

Opozita kundërshton të paktën 10-11 cështje që sipas tij janë të karakterit politik dhe duhet të marrin fillimisht një zgjidhje politike. Cështjet e renditura prej saj përfshijnë mosdakortësinë me ekzistencën e disa institucioneve të cilat parashikohet të krijohen rishtaz, si Këshilli i Emërimeve, ashtu dhe me organizimin e disa të tjerave, përbërjen dhe funksionet e tyre, apo dhe mënyrën e emërimit të anëtarëve në disa të tjera, si dhe me ndërprerjen e mandatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Por sipas zotit Meta, nuk bëhet fjalë për 10 apo 11 kushte, por cështje për të cilat sic tha ai, “Partia Demokratike synon që të zgjidhen apo të diskutohen sipas këndvështrimit që ajo ka”. Sipas tij kjo kërkon vullnet dhe durim, pasi, sic shpjegoi, për çdo çështje ka rekomandim të Komisionit të Venecias. Zoti Meta shtoi se “për çështje të caktuara të cilat mund të lexohen ndryshe, ne mund të kërkojmë ndihmën e misionit Euralius, këtu në vendin tonë, që na ndihmon për përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së ku duam të anëtarësohemi, dhe që ka dhënë një kontribut deri tani, apo dhe të Opdat-it, i cili gjithashtu ka qenë i përfshirë në këtë reformë. Pra i kemi të gjitha mundësitë për të arritur konsensus për të gjitha çështjet”

Megjithatë opozita vuri në dyshim edhe arkitekturën e sistemit që është propozuar, të cilën Komisioni i Venecias e vlerëson “të pranueshëm”, duke shpjeguar se “një sistem me një korrupsion të përhapur, ka nevojë për më shumë mekanizma të jashtëm kontrolli se sa një sistem i shëndetshëm”.

Por kundërshtitë nuk ishin vetëm nga opozita. Edhe përfaqësuesi i LSI-së Spartak Braho, ngriti po ashtu disa probleme që duket se nuk janë në linjë me ndryshimet kushtetuese që i shkuan Komisionit të Venecias, duke nisur nga kundërshtimi për një Gjykatë të Lartë administrative, te mënyra se si është konceptuar organizimi i Prokurorisë, varësia e Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo dhe nevoja për të “ridizenjuar parimin e balancës së pushteteve”.

Por për zotin Meta “LSI-ja është e hapur për të dhënë kontributin e saj në përmbylljen sa më shpejt të këtij procesi. Me konsensus dhe sipas standardeve të Venecias. LSI nuk çedon në këtë reformë, sepse kjo reformë duhet bërë dhe nuk ka alternativë tjetër për vendin, përveç realizimit të kësaj reforme”. Ai i quajti si “të tepërt” komentin e tij për Byronë e Hetimit, duke shtuar me tone humori se “nuk është hera e parë që zoti Braho rebelohet”.

Rruga drejt së cilës do të eci procesi i reformës është ende e paqartë, ndonëse Komisioni i Venecias ka vlerësuar se dokumenti i rishikuar, “përmban propozime të vlefshme për rikonceptimin institucional të sistemit gjyqësor shqiptar” dhe se “teksti është gjerësisht koherent dhe në përshtatje me standartet europiane”. Një vlerësim që dukej se do e bënte më të lehtë situatën, ndërkohë që edhe ambasada amerikane në Tiranë, në një koment të sajin dhënë pak ditë më parë televizionit Top Channel, për Opinionin e Venecias, theksonte se “raporti përfundimtar ka  ofruar udhëzime të qarta dhe ka lënë vetëm një çështje qartësisht politike, atë të shumicës së cilësuar, në duart e udhëheqësve politikë të Shqipërisë”.

Pas takimit të djeshëm me zotin Meta, sot ambasadori amerikan Donald Lu dhe koelgia e tij e Bashkimit Europian Romana Vlahutin patën një takim të gjatë më kryetarin e Komisionit të Reformës Fatmir Xhafaj. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>