Dhënia e dijes për fenë në arsimin publik – Shqipëria model?

Stephanie Schwandner-Sievers, antropologe dhe njohëse e Shqipërisë thotë për DW, se: “edukimi i të menduarit kritik të nxënësve ndihmon në parandalimin e ekstremizmit”.

 

kishaKëtë shtator, në kurrikulat mësimore të arsimit laik, publik të Shqipërisë, do të futet edhe dhënia e dijeve për fetë. Këtë do ta bëjë të mundur zbatimi i një projekti pilot, në pesë shkolla nëntëvjeçare dhe pesë gjimnaze, të përzgjedhura në të gjithë vendin në rajonet urbane dhe rurale. Synimi i këtij projekti, në bazë të deklaratave të qeverisë, shfaqet afatgjatë dhe strategjik. Kryeministri Edi Rama, që e publikoi atë në një ceremoni të besimtarëve myslimanë për ditëlindjen e Profetit Muhamed, e quajti citoj “një instrument të domosdoshem për rininë, që ajo të mos bjerë pre e propagandës ekstremiste të çfarëdo lloji qoftë ajo: e radikalizmit islamik apo ekstremizmit politik”. Rama siguroi se kjo nuk do të cënojë karakterin laik të shkollës, përkundrazi do të forcojë kulturën laike që ndodhet sot e papërgatitur për të përballuar sfidat e propagandës ekstremiste të çdo lloji. Ferit Hoxha, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme për Politikat dhe Strategjitë, i ngarkuar nga qeveria për konceptimin dhe jetësimin e kësaj nisme thotë për DW: “Koncepti i qeverisë ka në thelb nevojën që ndjejmë sot për t’u dhënë fëmijëve dhe të rinjve disa njohuri më specifike dhe të organizuara sipas moshës, mbi besimet fetare, që kanë të bëjnë me çfarë përfaqëson feja në shoqëri, cila është historia, kultura dhe roli i saj. Synohet që fëmijët dhe të rinjtë të pajisen me njohuritë e nevojshme – sidomos kur ata i përkasin një komuniteti të caktuar fetar- të dinë çfarë do të thotë t’i përkasësh një besimi tjetër nga ai që ata vetë kanë. Për një shoqëri me disa besime fetare si kjo e jona, njohja dhe kultivimi i respektit për tjetrin merr rëndësi parësore”, thotë Ferit Hoxha.

Mësime nga historia, situata e sotme gjeopolitike.

Bashkëjetesa në paqe dhe respekti për fenë e njëri- tjetrit, mes banorësh me katër besime të ndryshme fetare e bën Shqipërinë një rast krejt të veçantë, edhe në zbatimin e këtij projekti. Thelbi është që kjo nismë e qeverisë të forcojë klimën fetare të respektit dhe besimit të ndërsjelltë që ekziston në Shqipëri dhe të pajisë me dije nxënësit për të shmangur instrumentalizimin e dallimeve fetare dhe konfrontimin për shkak të tyre. Kjo merr rëndësi jetike kur mësimet nga historia vijnë dhe aktualizohen në dritëne situatave aktuale gjeopolitike. “Të mos harrojmë se vetëm dy dekada me parë, gjatë procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Ballkani pagoi një çmim të llahtarshëm nga instrumentalizimi i dasive fetare. Dalja në skenë dhe mizoritë e papërshkrueshme të të ashtuquajturit DAESH, si projekt politik me bazë fetare, amplifikon dasitë fetare, ushqen radikalizimin, dhunën ekstreme të justifikuar me interpretimin abuziv të fesë dhe mështetet pikërisht tek këto fenomene. Shqipëria nuk është e paprekshme apo e imunizuar prej zhvillimesh të tilla. Fakti që rreth 100 qytetarë shqiptarë u bënë pjesë e kultit të vdekjes-DAESH- apo që organet tona ligjzbatuese dhe sistemi i drejtësisë po ballafaqohen me shkeljen e ligjit nga individë në baza fetare, siç tregoi gjyqi i imamëve radikalë, muajin e kaluar, tregojnë se është koha për të marrë masat e duhura, ruajtur të sotmen dhe siguruar të ardhmen”, thotë për DW, Ferit Hoxha

Kjo përqasje në futjen e dijeve për fetë në arsimin laik të Shqipërisë bazohet në praktikën e jetës së sotme: adoleshentët kanë akses pakufi në internet, në gamën pa kufi të instrumentave pa kufi të teknologjisë digjitale. Nëse ata nuk kanë dije për të përzgjedhur me vetëdije informacionin pafundësisht të madh që marrin, nuk është e pamundur të joshen nga gjuha e urrejtjes, të bëhen viktima të demagogëve dhe indoktrinimit fetar ekstrem. Që kjo të mos ndodhë dhënia e dijeve për fenë duhet të nxisë dhe frymëzojë kureshtjen, relativitetin, vënien në dyshim të dogmës, të menduarit kritik.

Nxitja e të menduarit kritik të nxënësve domosdoshmëri

Dr. Stephanie Schwandner-Sievers, antropologe gjermane, akademike në Universitetin e Bournemouth në Britaninë e Madhe, që ka kryer studime për Shqipërinë, thotë për DW se ka rëndësi të madhe pikërisht nxitja e të menduarit kritik të nxënësve, përmes dijeve për fenë që do t’u jepen atyre: “Nëqoftëse edukimi fetar është krahasues dhe i inkurajon nxënësit të mendojnë në mënyrë kritike për ngjashmëritë dhe dallimet mes feve, mënyrat në të cilat besimet fetare janë përdorur për të justifikuar dhunën ose krijuar të ashtuquajturin “superioritetin” të një grupi ndaj një grupi tjetër apo për të parë potencialin e paqes në çdo fe…atëherë kjo mund të ushtrojë dhe forcojë shumë mirë të menduarit kritik. Të edukosh të rinjtë të mendojnë në mënyrë kritike, ndihmon në parandalimin e ekstremizmit. Nxënësit duhet të nxiten të kuptojnë që çështja e besimit fetar dhe fjala e lirë nuk përjashtojnë njëra-tjetrën në çdo besim fetar, që të dyja janë të rëndësishme. Edukimi i tyre duhet bërë nga mësues të arsimuar shumë të mirë, që nuk kanë ndërmend të preferojnë një fe në krahasim me një tjetër, që dinë sesi ta bëjnë mësimin interaktiv, që nxënësit të mendojnë. Ka rëndësi koncepti i përgjithshëm i mësimeve ku do të jepen dije për fenë, cilësitë e mësuesit, edukimi i nxënësve përtej perceptimeve të vjetëruara, statike të fesë, aftësia e mësuesve për t’i angazhuar nxënësit, të bëjnë pyetje interesante, të cilat i bëjnë ata të mendojnë. Pikërisht për shkak të shoqërisë ekumenike të Shqipërisë, dhënia e dijeve fetare me një frymë të tillë mund të bëhet model”, thekson Dr.Stephanie Schwandner-Sievers.

Si do të ndërtohet modeli i dhënies së dijeve për fenë?

Që kjo frymë të marrë jetë sfidat kryesore që duhet të përballojë qeveria janë modeli që po ngrihet, përmbajtja e teksteve shkollore që po hartohen, përzgjedhja e mësuesve të duhur dhe trainimi i tyre. “Modeli për dhënien e dijeve mbi fenë do të jetë në përputhje me situatën, realitetin dhe nevojat e Shqipërisë. Janë ngritur grupe pune me ekspertë, mësues, studiues, dijetarë shqiptarë që do të përcaktojnë metodologjinë, materialet mësimore, mësuesit dhe formimin e tyre. Mendohet që dijet për fenë të integrohen në lëndën e Edukatës Qytetare. Po bashkëpunojmë ngushtë edhe me vende dhe institucione që kanë një eksperiencë më të madhe sesa Shqipëria: me Ministrinë e Arsimit në Francë, Observatorin Francez të Laicitetit, me Jordaninë për rolin e veçantë dhe aktiv që luan ky vend dhe Mbreti Abdallah, SHBA, OKB, Këshillin e Europës, me Fondacione e individë të vecantë. Por nuk do të replikojmë modele egzistuese në vende të tjera”, thotë për DW Ferit Hoxha.

Pirro Misha, intelektual i mirënjohur në Shqipërti, studiues, Drejtor i Institutit për Dialog dhe Komunikim, thotë për DW se në realizimin e këtij projekti duhet pasur fort parasysh që Shqipëria është e veçantë në çështjet e besimeve fetare: “Modeli nuk mund të bazohet në vende që kanë një fe dhe emigracion si Franca p.sh. Shqipëria ka katër fe, që bashkëjetojnë në paqe dhe harmoni, duhet ruajtur ekuilibri mes tyre pa përjashtuar edhe ateizmin, për të cilin duhen dhënë dije si pjesë e kulturës së Shqipërisë”, thotë Pirro Misha.

Lidhur mer pjesëmarrjen e komuniteteve fetare në konsultimet për modelin dhe konceptin e dhënies së dijeve për fenë ka mendime pro dhe kundër.

“Kemi zhvilluar takime me komunitetet fetare, ku kam marë pjesë edhe unë, ideja është absolutisht e mirëpritur prej tyre. Kemi ndarë konceptin, kemi shkëmbyer mendime për të bërë më të mirën. Nuk duhet harruar që përfaqësuesit e besimeve fetare në Shqipëri kanë meritën e tyre në ruajtjen e forcimin e harmonisë fetare. Por vendimet do të merren nga institucionet e Republikës së Shqipërisë përgjegjëse, për fushat përkatëse”, thotë Ferit Hoxha.

Pirro Misha mendon se komunitetet fetare nuk mund dhe nuk duhet të jenë partnere në këtë nismë të qeverisë. “Ka konflikt interesi. Komunitetet fetare duhet të merren me besimtarët. Çdo ndërhyrje duhet bërë me pasoja afatgjata, për të ruajtur harmoninë fetare, presioni nga ISIS nuk mund të jetë faktori vendimtar, feja nuk duhet përdorur si instrument gjeo-politik”.

Ecuria e projektit pilot në vitin shkollor 2016-2017 do të monitorohet që të korigjohen të metat dhe mangësitë dhe për t’i hapur rrugën zbatimit të në shkallë republike. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>