Autoritetet vihen në lëvizje, pas publikimit të rastit të kompanisë GFI Technologies, fituese në 2013, së bashku me një shoqëri zvicerane, e tenderit të markimit të karburanteve
Edhe në Shqipëri autoritetet janë vënë në lëvizje për të shqyrtuar rastet e mundshme të kompanive që veprojnë në territorin e saj të cilat mund të rezultojnë të përfshira në cështjen “Dokumentat e Panamasë”
Burime zyrtare thanë se Prokuroria e përgjithshme po bashkëpunon me institucionet e tjera ligjzbatuese “për të qartësuar situatën mbi përfshirjen e mundshme në cështjen “Panama Papers” të kompanive ose shtetasve shqiptarë apo të huaj që veprojnë në tregun financiar shqiptar”.
Dokumentat lidhur me shoqëri apo persona nga Ballkani pritet të bëhen publike pas dy javësh, por një shkrim i gazetës izraelite “Haaretz”, ka zbuluar se një avokat nga izraeli, Assaf Halkin, së bashku me një shtetas shqiptar, i identifikuar me emrin Ismail Mulleti, biznesmen me emër në vitet ’90, janë së bashku me firmën kanadeze “Global Fluids International” pronarë të kompanisë GFI Technologies, e rregjistruar në vitin 2013 në ishullin Anguillas.
Pak muaj pas themelimit, GFi Technologies, në bashkëpunim me një shoqëri zvicerane, dhe ajo e sapokrijuar, fituan një prej koncesioneve më të përfolura, atë të ngjyrosjes së karburanteve, një sipërmarrje prej të paktën 150 milion eurosh që konsorciumi pritet të sigurojë përgjatë 10 viteve të kohëzgjatjes së kontratës. Pavarësisht kundërshtive të kompanive shqiptare të karburanteve, për shkak të kostove shtesë, qeveria e ish kryeministrit Berisha e miratoi koncesionin në javët e fundit të mandatit të saj të dytë. Vitin e kaluar GFI Technologies, ja shiti pjesën e vet të aksioneve shoqërisë zvicerane, duke mbajtur vetëm 0,07 përqind.
Policia shqiptare mësohet se ka verifikuar menjëherë hyrje daljet nga Shqipëria të Ismail Mulletit dhe izraelitit Assaf Halkin. Mulleti rezulton që të ketë dalë nga vendi pak javë më parë, në mars, ndërsa Halkin në muajin shkurt. Ata që të dy kanë realizuar shumë udhëtime nga dhe drejt Shqipërisë, shpesh dhe me avionë charter. (voa)