Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në komunikimin e tij me mediat ka deklaruar se, pavarësisht sinjaleve pozitive, ekonomia shqiptare ende nuk ka prekur nivelet e pritura të zhvillimit.
“Ekonomia shqiptare lëviz në trajektore pozitive zhvillimi, por kërkesa agregate, prodhimi dhe punësimi janë poshtë potencialeve. Edhe presionet afatmesme mbi inflacionin mbeten të ulëta”, ka deklaruar Sejko.
Ai ka thënë se, informacioni i ri ekonomik dhe financiar kanë qenë në linjë me pritshmëritë, por rritja ekonomike dhe ecuria e kredisë kanë rezultuar në krahun e poshtëm të tyre.
“Raundi i ri i projeksioneve të parashikimit të çon në përfundimin se skenari i ri i zhvillimit politik dhe monetar nuk ka pësuar ndryshimet e ndjeshme krahasuar me raundin e mëparshëm”, ka pohuar Sejko.
Sipas tij, në horizontin afatmesëm, BSH pret një kthim gradual të inflacionit në objektiv, të mbështetur nga përmirësimi progresiv i rritjes ekonomike.
“Por, në ndryshim nga projektimet parardhëse, projeksionet aktuale sugjerojnë se, kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe inflacionit në objektiv do të kërkojnë një kohë më të gjatë”, ka thënë Sejko.
Gjithashtu, ka vijuar guvernatori, “ato sugjerojnë nevojën për forcimin e stimulit monetar në ekonomi, për të nxitur kërkesën e brendshme dhe për të forcuar më tej kanalin e kredive”.
Për këtë arsye, ka vijuar ai, në mbledhjen e së mërkurës Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindje, nga nga 2% në 1.75 për qind.
/ Top Channel