Euro 2016- Shqipëria tashmë mund të ëndërrojë “Francën”

Shqip_Arm_golli_dyteKombëtarja e Shqipërisë ka bërë hapin e madh. Fitorja e rëndësishme ndaj Armenisë i hap rrugën Kombëtares Kuq e Zi drejt realizimit të ëndrrës së madhe, kualifikimit në kampionatin europian “Francë 2016”.

Një përmbysje e mrekullueshme me të gjithë përbërësit e një skuadre të madhe, karakter, zemër, forcë dhe besim për të mos u dorëzuar kurrë, e gjitha e arritur në një atmosferë të mrekullueshme me tifozerinë Kuq e Zi në ‘Elbasan Arena’.

Tashmë situata në grup ka ndryshuar dhe llogaritë e pikëve janë shpresëdhënëse. Shqipëria pozicionohet në vendin e tretë në grup, me 7 pikë, po aq sa Danimarka e vendit të dytë, ndërsa Portugalia pas fitores ndaj Serbisë qëndron në krye me 9 pikë. Për Serbinë dhe Armeninë praktikisht gjithçka ka përfunduar pasi renditen të fundit me vetëm një pikë. Shqipëria vijon rrugën e saj  me 4 ndeshjet e rradhës.

Tashmë të paktën vendi i tretë që siguron play-offin është mëse i mundshëm e madje ekzistojnë dhe shanset reale që Shqipëria të sigurojë një biletë për në Francë edhe duke u kualifikuar si skuadra e tretë më e mirë e të gjitha grupeve, ndërkohë që mund të synojë me këmbë në tokë vendin e dytë.

Kuqezinjtë e De Biasit do të zbresin sërish në fushë në 4 shtator, kur do të përballen në Kopenhagen me Danimarkën, në një sfidë që në situatën aktuale ngjason pikërisht si një play-off për vendin e dytë, por përpara atij takimi do të luhet një ndeshje tjetër e rëndësisë maksimale.

Një betejë që ndryshe nga të tjerat nuk do të luhet me zemër e grintë, por me mendje te kthjellët e fakte. Në datën 17 prill, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë do të japë verdiktin e saj përfundimtar në lidhje me ndeshjen e ndërprerë në Beograd me Serbinë. Në Lozanë, Shqipëria kërkon 3 pikët dhe drejtësinë. Beteja e Shqipërisë në KAS ka të bëjë në fakt me shumë më tepër se 3 pikët, pasi në thelbin e saj qëndron e drejta, por produkti i një fitoreje eventuale do t’i jepte Kuqezinjve kryesimin e Grupit I, duke rezultuar një tjetër hap gjigant drejt arritjes më të madhe në historinë e futbollit shqiptar. /a.g/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>