Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar përfundoi sot vizitën 2-javore në Tiranë për rishikimin e shtatë të programit të bashkëpunimit me Shqipërinë.
Drejtuesja e Misionit, Anita Tuladhar, deklaroi para shtypit se Shqipëria duhet të çojë përpara me më shumë shpejtësi reformat themelore ekonomike.
Sipas saj, konsolidimi fiskal duhet të vazhdojë, buxheti po zbatohet sipas parashikimit, rregullimet në politikat monetare janë të nevojshme por nevojiten reforma strukturore për të përmirësuar klimën e biznesit.
Zonja Tuladhar tha se synimi i qeverisë për rritje ekonomike 3.4 për qind është ende herët si fillim viti, ndërsa inflacioni është nën 2 % për shkak të uljes së çmimeve në karburante etj., dhe presioneve të ulëta inflacioniste nga jashtë.
Drejtuesja e Misionit të FMN-së, Tuladhar, tha gjithashtu se kreditë e këqija në banka duhen ulur më tej, ndërsa sistemi bankar është likuid, i qëndrueshëm dhe i mirëkapitalizuar.
Ajo theksoi se shpresonte që të vazhdonin përmirësimet edhe në sektorin energjitik, i cili është jetik për ekonominë e vendit.
Po ashtu, edhe lufta kundër informalitetit po jepte rezultatet e para. Por kryesori, sipas misionit të FMN-së, mbetet konsolidimi i treguesve makro-ekonomikë. (voa)