Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi se pas disa vitesh me rritje nën mesataren e rajonit, vitin e ardhshëm Shqipëria do të rikthehet të jetë ekonomia me rritjen më të shpejtë në Ballkan.
Vlerësimi vjen nga raportin e sapo publikuar mbi zhvillimet ekonomike në Europën Qendrore dhe atë Juglindore. Sipas raportit, prodhimi kombëtar i Shqipërisë do të rritet vitin e ardhshëm me 3.7 për qind, duke lënë pas të gjitha ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat do të kenë një rritje më të ulët.
Madje sipas FMN-së, rritja e parashikuar ekonomike për Shqipërinë do të jetë e dyta më e larta në të gjithë vendet ish-komuniste të Europës Lindore. Vetëm Rumania parashikohet të ketë një rritje ekonomike lehtësisht me të lartë se Shqipëria me 3.8 për qind, ndërsa në të gjitha vendet e tjera prodhimi do të rritet më ngadalë.
Shqipëria e humbi statusin e ekonomisë më dinamike në rajon, pas vitit 2012 kur rritja e prodhimit ra në mënyrë drastike duke cekur shifrën minimale 1 për qind. Por sipas FMN-së, në tre vitet e fundit ekonomia është rimëkëmbur gradualisht, edhe pse me ritme të ngadalta, falë investimeve të huaja në projektet madhore si TAP apo kaskada e Devollit, por edhe rigjallërimit të konsumit privat.
Megjithatë edhe pse rikthehet në krye të rajonit, sërish rritja ekonomike e vendit mbetet më e ulët nga ajo e viteve të para krizës, kur prodhimi kombëtar është rritur mesatarisht me 6 për qind në vit.
Sipas FMN-së, ekonomia shqiptare pritet të përshpejtohet gradualisht deri në 4.2 për qind, ndërsa normat e rritjes përpara krizës nuk mund të arrihen më për shkak se bota ka hyrë në një normalitet të ri ekonomik, ku të gjitha vendet rriten më ngadalë.
/ Top Channel