I dërguari special i qeverisë amerikane për çështjet energjetike Amos Hokstein, mbërriti me urgjencë në Athinë, ku pas takimeve me ministrin grek të Energjisë deklaroi se, është e rëndësishme që Greqia të përqendrohet te gazsjellësi TAP.
“Në tryezë sot është vetëm gazsjellësi Transadriatik, që do të sjellë gazin azer. Ky është projekti që ka Greqia sot”, deklaroi Hokstein.
Gazsjellësi Transadriatik po ndërtohet për të transportuar gazin azer në Europë përmes Turqisë, Greqisë dhe Shqipërisë. Linja që përfundon në brigjet italiane mbështetet fuqishëm nga SHBA dhe Bashkimi Europian, pasi ul varësinë energjetike të Europës nga Rusia.
Por Moska nuk ka pranuar të qëndrojë duarkryq. Presidenti Putin ka njoftuar publikisht planin për të ndërtuar një tjetër gazsjellës, të ashtuquajturin “Turkish Stream”. Ky projekt do të transportojë gazin rus në Turqi, përmes Detit të Zi dhe më pas do të shtrihet deri në Greqi. Putin ka premtuar financimin e plotë të projektit nga Rusia, duke shtuar se ky gazsjellës e bën Greqinë një nga qendrat më të fuqishme të shpërndarjes energjetike në Europë e duke i sjellë asaj qindra milionë euro të ardhura në vit vetëm nga kalimi i gazit.
E uritur për para qeveria greke është hapur menjehërë ndaj projektit. Ministri grek i Energjisë, Panagiotis Lafazanis deklaroi se Athina do ta mbështesë variantin rus, sepse beson që ky projekt është i dobishëm për Greqinë.
Por Shtetet e Bashkuara dhe BE janë vënë në alarm, pasi avancimi i këtij projekti do të rriste edhe më shumë ndikimin rus, jo vetëm në rajon, por në gjithë kontinentin.
Çështja duket se është shndërruar në përplasjen më të nxehtë gjeopolitike mes dy fuqive të mëdha, ndërsa Ballkani është kthyer në fushëbetejen e kësaj përplasjeje.
/ Top Channel