Familja e kryeprokurorit Adriatik Lalla dërgohet për mbrojtje jashtë vendit. Kërcënimet lidhen me hetimet ndaj disa organizatave kriminale
Në Shqipëri Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla ka marrë kërcënime serioze për jetën dhe familjen e tij, e cila rezulton të jetë larguar për këtë shkak jashtë vendit
Lajmi u bë publik nga televizioni Top Channel. Burime nga Prokuroria të kontaktuara nga Zëri i Amerikës nuk e mohuan faktin se zoti Llalla është kërcënuar përmes mesazheve dhe telefonatave direkte. Ndërsa bashkëshortja dhe dy fëmijët e tij mësohet se janë marrë në mbrojtje nga autoritetet e një prej vendeve të Bashkimit europian.
Kërcënimet ndaj Prokurorit të Përgjithshëm dyshohet se lidhen me hetimet që po zhvillohen ndaj disa grupeve dhe organizatave kriminale në vend. Edhe masat e sigurisë për zotin Llalla janë përforcuar ndjeshëm. Vetë Prokuroria në një reagim të sajin u mjaftua të saktësonte se “si Prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe institucioni i Prokurorisë vijojnë normalisht aktivitetin në bazë të ligjit dhe nuk ka asnjë cënim në ecurinë e hetimeve që po zhvillohen nga të gjithë strukturat e institucionit”. (voa)