Në Shqipëri, ambasadorja amerikane Yuri Kim iu drejtua të dielën në mbrëmje me një mesazh të qartë udhëheqësve politikë të vendit, lidhur me kandidatët që ata do të përzgjedhin për garën elektorale të 25 Prillit. Mesazhi i ambasadores Kim, përmes një postimi të gjatë në Tëitter, erdhi ndërsa mesnatën e së hënës skadon afati për dorëzimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të emrave të kandidatëve. “SHBA-të kanë qenë shumë të qarta lidhur me përgjegjësinë e udhëheqësve për të siguruar kandidatë të pastër, si në lidhje me ligjet e Shqipërisë ashtu dhe me përcaktimet e bëra nga Sekretari i Shtetit i SHBA-ve”, shkruan ambasadorja Kim, duke ju referuar qartazi rasteve të figurave politike shqiptare të cilave u është ndaluar hyrja në territorin amerikan. Më parë, ambasadorja Kim, ka përmendur drejtpërdrejt rastin e deputetit Tom Doshi, të cilit i është ndaluar hyrja familjarisht në Shtetet e Bashkuara.
Ndërsa shkruan se “shqiptarët nga çdo fushë e jetës më kanë thënë se shqetësimi më i madh i tyre është se korrupsioni, mungesa e transparencës dhe pandëshkueshmërisë kërcënojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre”, ambasadorja Kim, bën të qartë se emrat e përzgjedhur do të jenë një test për udhëheqësit shqiptarë. “Listat e paraqitura nga partitë nesër do të na tregojnë,nëse udhëheqësit e Shqipërisë e kanë kuptuar mesazhin nga SHBA, nëse janë të përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE dhe nëse kanë vullnetin të marrin vendimet e vështira që nevojiten për një të ardhme më demokratike dhe më të begatë për Shqipërinë”, thkeson diplomatja amerikane.
Ambasadorja amerikane e përfundon mesazhin e saj me një parlajmërim të drejtëpërdrejtë. “Ne presim që krerët e partive të udhëheqësi të vërtetë. Ne do t’u kërkojmë llogari udhëheqësve të partive”, shkruan ajo ndërsa shton se “po ashtu, do të mbështesim fort Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ndërsa shqyrton dorëzimin e listave të kandidatëve, çka është një detyrë që duhet të marrë në radhë të parë në emër të votuesve shqiptarë”.
voa