Lobimi në SHBA, Basha i pandehur

BashaNë Shqipëri, Prokuroria ka vendosur të marrë të pandehur kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish sekretarin e Përgjithshëm Arben Ristani dhe Drejtorin e Financës në Partinë Demokoratike Ilir Dervishi, lidhur me fondet e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas hetimit, mësohet se ka rezultuar se “paratë janë paguar nga një kompani kompani offshore dhe se Partia demokratike nuk ka raportuar në mënyrë të rregullt, pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, paratë e shpenzuara, duke ju shmangur kështu legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave”. Zoti Basha është thirrur më datë 17 në Prokurori ku atij do t’i komunikohet akuza dhe do merret në pyetje.

Nuk ka vonuar reagimi i kryetarit demokrat Basha, i cili bën përgjëgjës direkt kryeministrin Rama që sipas tij “me metoda putiniane, ka vendosur të hapë hetime kundër meje, me akuza qesharake, të sajuara keq nga prokuroria e tij politike. Edi Rama ka një vit e gjysëm që mban si shpatë në dorë një hetim absurd, pa prova dhe pa asnjë fakt kundër Partisë Demokratike. Tani që është në dëshpërim për të larguar vëmendjen nga kriza politike dhe skandalet për bashkëpunimin me krimin për të vjedhur zgjedhjet, Edi Rama ka vendosur që të sajojë akuza absurde për të shpërqendruar publikun”. Sipas zotit Basha “Edi Rama ka menduar se do të më trembë mua apo do të stepë opozitën, por do ta kuptojë shpejt se unë as nuk trembem dhe as nuk tërhiqem!”.

Çështja e pagesave për lobim të kryera nga ana e PD-së u hap në nëntorin e vitit 2017, kur firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ plotësoi me informacione shtesë deklarimet e saj të detyruara me ligj për Departamentin e Drejtësisë. Sipas deklarimeve të kompanisë ‘Muzin’ ajo ka marrë tre pagesa, në një shumë prej 675 mijë dollarësh, për punën e saj në favor të Partisë Demokratike në vitin 2017: pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë. Nga këto deklarime të firmës Muzin, vetëm ajo prej 25 mijë dollarësh, është pranuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha që është paguar nga PD-ja. Dy të tjerat mbetën të paqarta.

Partia Demokratike nuk ka pranuar asnjë lidhje me firmën ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale. Sipas një investigimi të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev.

Një tjetër material investigues, i publikuar nga Top Channel, lidhur me hetimet në Skoci, bën të ditur se pronarët e vërtetë që qëndrojnë pas “Biniatta Trade LP”, janë dy shtetase ruse, Victoria Valkovskaya dhe Natasha Radysheva, e para jeton në ishujt Seychelles, një vend i njohur si “parajsë fiskale” për kompanitë “offshore”, ndërsa Radysheva në shtetin Belize. Edhe këto, sipas artikulit të Top Channel, të lidhura përmes fijesh të shumta me emra të tjerë që të çojnë sërish në Rusi.

Kur vitin e kaluar shpërtheu debate mbi fondet e lobimit, pas artikullit të “Mother Jones” PD deklaroi publikisht se “nuk ka thyer asnjë ligj, as shqiptar, as amerikan dhe të asnjë vendi tjetër. Partia Demokratike nuk ka patur e nuk ka asnjë lidhje direkte apo indirekte me individë apo kompani ruse”.

Megjithatë angazhimi i “Biniatta Trade LP” në favor të Partisë Demokratike, duke paguar 150 mijë dollarë, përbën një moment të paqartë. “Muzin Capitol Partners” ka deklaruar se është “kompensuar nga “Biniatta Trade LP” për aktivitetet e organizuara në emër të Partisë Demokratike për të promovuar lidershipin konservator shqiptar pranë biznesve dhe udhëheqësve politikë​ në Shtetet e Bashkuara”.

“Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, deklaroi marsin e viti të shkuar zoti Basha, duke dhënë të njejtin arsyetim dhe për shumën prej 500 mijë dollarësh e cila në dokumentat e Muzin rezulton e paguar nga PD. Nuk është bërë asnjë pagesë e tillë nga Partia Demokratike”, theksoi zoti Basha, ndërsa në nëntor të 2017 e kishte shpjeguar këtë shumë me pagesën e kryer falë një mbledhje fondesh nga një numër i madh shqiptaro amerikanësh, por që nuk kishte kaluar përmes partisë.

Por ndërsa PD ka pranuar që ka paguar vetëm 25 mijë dollarë, nga ana e saj Muzin ka deklaruar se vetëm shpenzimet e saj për nënkontraktorët e angazhuar për aktivitetetet në favor të partisë shqiptare, shkojnë mbi 100 mijë dollarë.

Zoti Basha u thirr dhe në muajin mars në Prokurori për t’u njohur me aktet e nisura nga SHBA-të dhe Skocia. Dhe në atë kohë, ai deklaroi se “ka një vit e gjysmë që ka nisur ky hetim, ka 6 muaj që kanë ardhur përgjigjet nga SHBA e Britania e Madhe. Ato vërtetojnë se PD dhe drejtuesit e saj nuk kanë shkelur asnjë ligj në Shqipëri, Amerikë e Britani. I kërkoj prokurorisë të bëjë publike përgjigjet e SHBA dhe Britanisë”. Pas këtyre deklaratave Prokuroria reagoi duke u shprehur se “Ka një diferencë thelbësore mes deklarimeve të bëra zyrtare për shpenzimet e bëra nga PD dhe shpenzimeve reale të saj: PD ka deklaruar vetëm 25 mijë dollarë, por nuk ka bërë deklarime për shumën prej 650 mijë dollarësh. Në dokumentat e mbërritura nga SHBA-ja dhe Skocia dalin qartë pagesat e bëra dhe të padeklaruara, pra PD nuk ka bërë asnjë deklarim për këto pagesa në kundërshtim me ligjin” – theksohet në deklaratën e prokurorisë. Sipas saj, nga provat e administruara në dosje rezultojnë të jenë kryer dy pagesa në shumën prej 650 mijë dollarësh për efekt lobimi në SHBA, të cilat PD nuk i ka deklaruar ligjërisht. “Njëra nga këto pagesa rezulton të jetë bërë nga një shoqëri e huaj dhe konkretisht Biniatta Trade” – deklaroi prokuroria e Tiranës në mars, ndërkohë që zoti Basha tha se “çështja po hetohet me kërkesë të PD-së dhe thelbi është nëse formularët e KQZ-së janë mbushur apo jo si duhet. Ky është hetimi dhe jo gënjeshtrat dhe shpifjet për të cilat është investuar fuqimisht qeveria, e cila e aktivizon këtë hetim, sa herë i duhet për nevoja politike” – shpjegoi zoti Basha, ndërsa theksoi se në prokurori ishte thirrur si person, që mund të kishte dijeni për rrethanat e hetimit.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>